Tag: Opinion

  • Gjykata speciale s’është çudi që na ra nga qielli

    Gjykata speciale s’është çudi që na ra nga qielli

    Prishtinë, 22 prill 2014 –

    Nga Behgjet Pacolli

    Sot Kuvendi i Kosovës pritet të miratojë themelimin e një Gjykate speciale që ngrihet mbi bazën e pretendimeve të një raporti të Këshillit të Europës dhe gjetjeve të prokurorit amerikan Uilliamson.

    Kjo nuk është një ngjarje e zakonshme që ndodh çdo ditë. Ajo nuk është produkt i politikës sonë ditore. Për këtë vendim janë investuar nivelet më të larta të Bashkimit Europian, të SHBA-ve, pra miqve tanë ndërkombëtarë. Ky vendim me pasojat që do të prodhojë, është një ngjarje me rëndësi ndërkombëtare. Ky vendim nuk është thjesht ngjarje me rëndësi kosovare, pra brenda kufijve tanë. Si e tillë, kjo ngjarje nuk mund të shihet si ngjarjet e përditshmërisë sonë, së fshatit tonë, të katundit tonë, të komunës sonë.

    Rreth kësaj ngjarjeje, ashtu si dhe shumë të tjerave kur kemi përfshirje ndërkombëtare, në politikën kosovare ka tre qasje kryesore. Njera që vazhdon t’i shohë si ngjarje me rëndësi vendore. Kjo është qasje miope. Një qasje tjetër i kundërvihet ndërkombëtarëve, gjegjësisht aleatëve tanë duke përjashtuar çdo veprim apo përfshirje të tyre në jetën tonë politike dhe institucionale. Kjo qasje është irrealiste dhe mosmirënjohëse. AKR-ja ka një qasje tjetër : përfshirëse, pajtuese të interesave tona me ato të miqve tanë ndërkombëtarë.

    Mjerisht qasja miope, irrealiste, mosmirënjohëse ka dominuar shpesh politikën kosovare në raport me ngjarje që kanë rëndësi ndërkombëtare. Ne kemi parë në mënyrë miope ose irrealiste dhe raportin famëkeq të Dik Martit kur u prezentua në Këshillin e Europës. Përballë atyre që e panë me këtë qasje të ngushtë, ne si AKR-, unë personalisht e pamë ndryshe. E pashë si ngjarje me pasoja të rënda ndërkombëtare dhe kërkova reagim të fortë kombëtar. Kërkova tryezë mbarëkombëtare partish të udhëhequr nga kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, tryezë që të formulonte qëndrim unik ndaj akuzave që prekin jo thjesht Kosovën, Shqipërinë, por dhe Perëndimin, aleatët tanë. Kërkova që Shqipëria, shqiptarët të harmonizonin qëndrimin tonë me atë të perëndimit duke ia bërë të qartë unitetin e pozicionit tonë kombëtar. Nuk mora përgjigje. Kërkova prej të përmendurve në raport, drejtues qeveritarë ose jo, që të më jepnin mandat për të ndjekur penalisht në Zvicër për shpifje autorin dhe frymëzuesen e raportit, gjegjësisht Dik Marti dhe Karla Del Ponte. Nuk ma dhanë një prokurë dhe kështu mbeta në nivelin e denoncimeve në mediat ndërkombëtare.

    Gjatë 15 vjetëve të lirisë sonë ne nuk jemi marrë seriozisht me dokumentimin ndërkombëtar të krimeve të kryera ndaj nesh, ndaj jetës së 12 mijë qytetarëve të vrarë, dhunimeve të grave, shkatërrimit të xhamive, dhe objekteve tona të kultit, shkatërrimit të shtëpive, dhe ekonomisë sonë, zhdukjes së mijëra qytetarëve. Ne jemi mjaftuar me konferenca vendore, me akademira solemne, me ndeja pa kurrfarë jehone ndërkombëtare. Serbia nuk ka bërë kështu, ajo nuk ka ndenjur duarkryq. Ajo është përpjekur ta rëndojë peshoren e drejtësisë nga ana e kriminelit.

    Ashtu si në një lojë sportive, nëse ti nuk sulmon atëherë të sulmon tjetri, dhe do të duhet të mbrohesh. Kështu kemi mbërritur në ditën kur Kuvendi do të marrë vendimin për themelimin e kësaj gjykate speciale. Nëse atëherë dhe sot do të mendonim ndërkombëtarisht, do të kishim vizion, me gjasë nuk do arrinim në ditën e sotme.

    Prej ditës së sotme

    Kuvendi do duhet të vendosë sot thuajse symbyllur rreth një vendimi kaq të rëndësishëm që siç e thashë më sipër ka karakter ndërkombëtar. Deputetët nuk dinë kurgjë rreth tekstit që do t’i nënshtrohet për vendim, deri para pak orësh. Ata nuk kanë mundësi të bëjnë kurrfarë debati ose amendimi në tekstin që do votohet. Është krejt e qartë se për shkak të mosanëtarësimit të Kosovës në OKB, ne s’mund të nënshkruajmë një marrëveshje ndërkombëtare me BE-në, që do të parashikonte themelimin e kësaj gjykate. Për shkak se s’jemi anëtarë të OKB-së, me gjasë gjykimi i këtyre krimeve të pretenduara s’mund të ndodhë as nga Gjykata Ndërkombëtare Penale e krijuar mbi bazën e Statutit të Romës të 1998-ës. Por në këtë « dhurim të sovranitetit » për Bashkimin Europian, në kuadër dhe të raportit që ne kemi me EULEX-in, nuk ka kurrfarë diçkaje të jashtëzakonshme. Sipas Statutit të Romës, GJNP e cila ka hyrë në fuqi tashmë, mund të hetojë dhe të gjykojë për krime lufte qytetarë të zakonshëm, por edhe burra shteti që s’kanë imunitet përballë saj, nëse një vend anëtar nuk don apo nuk ka mundësi ta bëjë këtë. Pra kjo që po ndodh në Kosovë nuk është një dhurim i paprecedent sovraniteti. Ne thjesht për shkak se nuk jemi anëtarë të OKB-së, jemi të detyruar të zgjedhim forma të tilla të veçanta funksionimi të një gjykate. Ne do duhet të bashkëpunojmë me faktorin ndërkombëtar i cili përballë Serbisë, përballë shteteve të tjera aleatë të saj, duhet të tregojë paanësi. Pas mbylljes së kësaj gjykate ne do të kemi të drejtë të mbajmë kokën lart për sjelljen tonë gjatë luftës së Kosovës. Pranimi i kësaj Gjykate në kuadër të zgjatjes së mandatit të EULEX-it, është dhe njëlloj parakushti që Kosova të pranohet si shtet dhe prej anëtarëve të tjerë të BE-së që nuk na kanë njohur. Do kryenim një hap që na e detyrojnë dhe për shkak të anëtarësimit tonë në BE.

    Pasi shpjegova qasjen tonë si AKR, që është qasje inkluzive, pajtuese me perëndimorët, megjithatë ka vend për ndonjë kritikë për ndërkombëtarët, por dhe për ata që ne emër të shtetit të Kosovës kanë negociuar për këtë institucion të ri.

    Mungesa e transparencës në lidhje me ligjin apo korrespondencën për themelimin e kësaj Gjykate, është shumë e dëmshme. Ajo është fyese për integritetin e deputetëve, për ndërgjegjen tonë shoqërore dhe politike. Ajo është fyese për mendimin profesional shkencor të juristëve dhe profesorëve tanë. Ky është një gabim që përsëritet shpesh, ashtu siç është bërë më së fundi me përmbajtjen e negociatave me Serbinë. Mungesa e transparencës prodhon më shumë mitologji antieuropiane dhe antiperëndimore, më shumë qasje provinciale në mes të politikës dhe shoqërisë sonë. Do të krijojë më shumë fabula, përralla dhe legjenda tipike në një vend ballkanik si tonin. Do të krijohet më shumë hapësirë për qasjen e dytë, atë kundërshtuese ndaj bashkëpunimit me ndërkombëtarët.

    Në një situatë si kjo, kur deputetët s’dinë asgjë për përmbajtjen e këtij ligji, objektin e gjykatës, statutin e saj, garancitë, etj, na lind e drejta që rreth saj të ndërmarrim gjithë veprimet e duhura për të verifikuar përputhjen e ligjit me Kushtetutën. Në emër të qasjes pajtuese, bashkëpunuese me ndërkombëtarët, ne do ta votojmë ligjin. Por ne do të kujdesemi deri në fund, për kushtetutshmërinë dhe transparencën e proceseve të tilla që s’janë as të parët, dhe s’do jenë as të fundit.

    AKR si dhe më parë do të tregojë se i parasheh ngjarjet. AKR e di se votimi i sotëm, se Gjykata nuk na ka rënë nga qielli. AKR do ta tregojë se është gjithmonë për bashkëpunim me aleatët tanë perëndimorë. Por AKR do të tregojë si gjithmonë se ky bashkëpunim duhet të jetë dinjitoz dhe jo me symbyllur. Vetëm kështu do të jetë më i fortë dhe kurrë nuk do të errësohet nga askush.

  • Mbi hapësirën mbarëkombëtare të zhvillimit

    Mbi hapësirën mbarëkombëtare të zhvillimit

    Nga Behgjet Pacolli

    Ish president i Kosovës

    Idenë e hapësirës së përbashkët e hodha për herë të parë në parlamentin e Shqipërisë kur isha President, dhe ajo krijoi entuziazëm të madh tek shumë intelektualë të shquar të hapësirës sonë. Dhe unë vendosa t’i bëj thirrje atyre që të më ndihmojnë me ide të tjera, përplotësuese, jetësuese të kësaj hapësire. Busulla intelektuale, e mendjes së kombit nuk të lë të gabosh si kur je duke udhëtuar fillikat në këtë horizont, si kur mban përgjegjësi publike, si një pjesë jona sot. Mes intelektualësh ndihet atmosfera e lirisë thithen ide që vijnë prej lirisë akademike, që aq shumë na mungon ne politikanëve. Për mua që kam hyrë në politikë nga bota e biznesit ndërkombëtar, ajri i lirisë, është një rikthim në realitet. Për mua është hapje e një horizonti ku nuk e sheh fundin, njëjtë me përfytyrimin që më krijonte në fëmijëri, fshati im i lindjes.

    Në mes të këtij horizonti, idetë e ndritshme si ato të Arben Xhaferrit, të dy Presidentëve Moisiu dhe Meidani, të intelektualëve të tjerë që së bashku  me mua themeluan Lëvizjen për Hapësirën Mbarëkombëtare të Zhvillimit të ofrojnë busullën,  drejtimin. Busulla është: Ne duhet të punojmë për Mirëqenien e kombit tonë. Ne duhet të nxisim vetëiniciativën për të vënë në punë në funksion të këtij qëllimi të gjitha kapacitetet tona njerëzore, natyrore, etj. Askush nuk mund të na pengojë për këtë.  Askush s’ka të drejtë të na pengojë për këtë. Duke folur në frymë pozitive, më duhet të them se institucionet evropiane ku ne duam të hyjmë, na nxisin të punojmë për këtë mirëqenie. Në përputhje me modelet evropiane, në mbrojtje të interesit tonë kombëtar ne mund të punojmë, pa trembur askënd..

    Para disa muajsh falënderova Universitetin Europian për titullin honoris causa që më blatuan,  dhe nënvizova: guri peshon më rëndë në vendin e vet. Me këto fjalë doja të thoja, se pas udhëtimeve të shumta nëpër botë, si njeri i biznesit,  kam kuptuar shumë sesa i rëndësishëm është Atdheu, por dhe kam kuptuar akoma më shumë sesi duhet të zhvillohet ai. Atdheu për ne, është Kosova, është Shqipëria. Ne jemi një komb, ne kemi një Atdhe. Ne duhet të mendojmë së bashku për zhvillimin e tij. Ashtu kështu veç e veç jemi të vegjël, edhe bashkë jemi gjithashtu të vegjël. Por më të fortë akoma!

    GJENDJA E DY VENDEVE TONA

    Janë disa fjalitë kyçe, që të çojnë tek ideja e Mbrothësisë siç i thonë në Jug të Shqipërisë, apo e Mirëqenies, siç i thonë kudo ku jetojnë shqiptarët, termi që përdor Mjeshtri i fjalës dhe i ideve, Arben Xhaferri.

    Mbrothësia apo Mirëqenia kombëtare janë imperativ i kohës për klasën politike dhe intelektuale të dy vendeve.

     -Ne sot jemi ndër shtetet më të varfra dhe të pazhvilluara të Evropës.Megjithë njëlloj diference pozitive të Shqipërisë sa i takon të ardhurave për frymë, përqindja e popullsisë që jeton nën dyshemenë e varfërisë, është thuajse e njëjtë. Papunësia është njëlloj e lartë, duke u luhatur tek 30-50% nëse do i marrim për të sakta të dhënat e burimeve zyrtare statistikore. Ne jemi vende që nuk prodhojmë, ose prodhojmë fare pak. Ne jemi vende që po e braktisim traditën tonë të punimit të tokës, ndryshe nga fqinjët tanë, që e punojnë tokën disa herë më shumë sesa ne që e lemë djerrë..Ne jemi vende që blejmë më shumë sesa shesim, pra ne jemi vend që importojmë shumë më shumë sesa eksportojmë. Ne jemi të vetmet vende në Evropë, megjithëse me rezervat ujore dhe të thëngjillit më të mëdhatë për frymë popullsie, kemi vuajtur së bashku, nga kriza energjetike, megjithëse Shqipëria ka disa vite që është shkëputur prej saj. Ne jemi që të dy vende pa modele të qarta zhvillimi siç pohojnë këtu dhe atje autoritete të rëndësishme profesionale, si Guvernatori i Bankës së Shqipërisë. Ne nuk po identifikojmë dot prioritetet tona të zhvillimit. Ne nuk po mësojmë nga gabimet e të tjerëve.

    Kjo situatë është dramatike. Ne e dimë siç e kanë afirmuar profesorë të shquar se pjesa më e madhe e problemeve të moszhvillimit janë për shkak të copëtimit nga fqinjët. Viset shqiptare para 1912,përfaqësonin një unitet ekonomik dhe demografik të krahasueshëm me popujt e tjerë të rajonit, grekët, serbët, apo bullgarët.  Por nëse në 1912, Shqipëria copëtohej, ne sot  100 vjet më pas, duam të bëjmë diçka modeste për t’i bashkuar copat e mozaikut kombëtar. Në ekonomi, kulturë, arësim, etj.

    SHIKIMI NGA E ARDHMJA

    Pra nuk do doja të merrem me të kaluarën dhe të shoh brenda saj të metat tona apo fatkeqësitë historike. Sot dua të shoh me ndihmën e intelektualëve, kah horizonti i të ardhmes.

    Për fat të mirë, aspiratat tona kombëtare, ëndrrat e patriotëve tanë të mëdhenj, nuk shkojnë kundër proceseve evropiane në të cilët ne jemi kyçur. Ne duke ecur në pista europiane mund të rikrijojmë realitete ekonomike kombëtare konkurenciale, prej të cilëve nuk do të fitonin vetëm shqiptarët, por dhe popullsitë që jetojnë bashkë me ta, apo pranë tyre.

    Fjala kyçe është heqja e barrierave kufitare, administrative, thyerja e tyre dhe shfrytëzimi i të gjithë kapaciteteve tona njerëzore, natyrore, politike në funksion të mirëqenies sonë kombëtare.

    Me fjalë të tjera krijimi i tregut të përbashkët kombëtar, por jo thjesht atij ekonomik. Krijimi i këtij tregu, në të gjithë elementët e tij, është parakusht i çdolloj integrimi kombëtar apo evropian të shqiptarëve. Nga krijimi i këtij realiteti ekonomik të përbashkët, shqiptarët do të potenconin dhe epërsitë strategjike që kishin mbi popullsitë e tjera, për shkak të pozicionit gjeografik.

    Si mund të arrihet kjo, pa vendosur kudo në hapësirën tonë kombëtare një sistem legjislativ evropian? Si mund të arrihet kjo pa standardizuar dijen, kulturën, universitetet?A ka mundësi që ne të ngremë një sistem energjetik unik? A e dini se nëse do të kishim ndërtuar prej kohësh një linjë interkonieksioni, dy sistemet tona energjetike do të krijonin mundësi që as Kosova, as Shqipëria të mos vuanin për energji, dhe madje të eksportonin? A e dini se po sikur të kishim krijuar një sistem unik, të menaxhuar sipas standardeve të njëjta, duke shtuar burimet e prodhimit, do të kushtëzonim tregun rajonal të energjisë? Kush na ka penguar ne të ndërtojmë një sistem të tillë?

     Jam shumë i lumtur që më në fund, qeveria e sotme e Shqipërisë vendosi ndërtimin e kësaj linje, ashtu si dhe vendosi që të heqë çmimet e referencës për produktet e dy vendeve, një barrierë mjaft problematike doganore.

    Më mirë vonë se kurrë.

    ORIGJINA E ANGAZHIMIT TIM PER KETE IDE

    Në këtë shkrim unë thjesht po mundohem të hap disa pista për diskutimet e ardhshme.

    Ndërkohë dua të sqaroj diçka personale, për atë se ku i ka rrënjët ky përkushtim i imi për këtë ide. Dua të qartësohet se ky përkushtim nuk është pasojë e ndonjë konvertimi tim politik në nacionalistin e orës së fundit. Përkundrazi.

    Dua të kuptohet se pikërisht kozmopolitizmi im jetësor, profesional, ma ka forcuar dashurinë për atdheun, diçka që mund ta kuptojnë shumë mirë ata që jetojnë jashtë vendit.

    Dua të jetë e qartë se pikërisht kjo lloj endje rrugëve të botës, tregjeve të saj, më bëri të shoh shumë më larg sesa miq të mi politikanë që nuk e kanë patur këtë shans.

    Pra, eksperienca ime në biznesin ndërkombëtar më ka bindur prej kohësh për dobinë e ideve mbi Hapësirën Mbarëkombëtare të Zhvillimit.

    -Shumë vite më parë në përpjekje për të ndihmuar Shqipërinë të kapërcente krizën energjetike të vitit 2005, i njoha potencialet e bashkimit të sistemeve tona energjetike dhe kundërshtarët e këtij bashkimi.

    -Në vitin 2006, pikërisht duke identifikuar problemet ekonomike si moment i rëndësishëm përbashkues i popujve të Ballkanit, themelova Fondacionin SEED, për zhvillimin e Europës Juglindore.

    -Në vitin 2007 rashë në kontakt me idenë e zotit Xhaferri për krijimin e një Komunuelthi shqiptar, një objektiv që ai e përsëriti dhe sot të rishikuar. Ishte një forum akademik si ky i sotmi, ku zoti Xhaferri plasoi idenë e tij, një forum ku shumë akademikë artikuluan shumë ide të ngjashme, por që prej atëherë mbetën pa realizim.  

    -Kam reflektuar shumë për idenë e tregut të cilën e kam afishuar me forcë të madhe  në zgjedhjet e 2010 anembanë Kosovës, dhe në parlamentin e Shqipërisë në mars 2011.

    -Po punoj dhe sot në cilësinë e zëvendëskryeministrit, për jetësimin në praktikë të dy zonave të lira ekonomike në Mitrovicë, dhe në Gjakovë. Janë këto dy zona prej të cilave do të fitojnë dy vendet tona, do të fitojnë shqiptarët, por dhe serbët. Ekonomia ofron të vetmet mundësi që të kapërcehet ndarja aktuale, që të thyhen kufijtë midis shqiptarëve, apo ata që janë vendosur në Mitrovicë.

    PUNA SI ZEVENDESKRYEMINISTER

    -Po punoj sot në cilësinë e zëvendëskryeministrit, për jetësimin në praktikë të dy zonave të lira ekonomike në Mitrovicë, dhe në Gjakovë. Janë këto dy zona prej të cilave do të fitojnë dy vendet tona, do të fitojnë shqiptarët, por dhe serbët. Ekonomia ofron të vetmet mundësi që të kapërcehet ndarja aktuale, që të thyhen kufijtë midis shqiptarëve, apo ata që janë vendosur në Mitrovicë.

    Siç dihet unë kam pranuar ftesën e kryeministrit të Kosovës për të ndihmuar në nxitjen e investimeve të huaja dhe shtimin e njohjeve në cilësinë e zëvendëskryeministrit. Ajo që po bëj, është ajo që di shumë mirë ta bëj dhe s’do ndalem kurrë.

    -Unë do të ndryshoj rrënjësisht mënyrën e promovimit të Kosovës, pse jo dhe të Shqipërisë për t’i bërë tërheqëse për investimet e huaja, nëpërmjet reformimit të Agjencisë së Investimeve, por dhe duke modifikuar rrënjësisht Agjencinë e Privatizimit. 

    -Pasojat e aktivitetit të kësaj Agjencie në vite kanë qenë përgjithësisht negative në ekonominë dhe financat e  trojeve tona, duke prodhuar varfëri, papunësi dhe duke zhvendosur burime financiare nga tregu i Kosovës në një destinacion, prej ku Kosovës do t’i duhet një kohë e gjatë për t’i përdorur.

    Ne flasim shumë për partneritetin publiko privat PPP.

    S’di si janë punët në Shqipëri, por në Kosovë s’ka asnjë shans që ky partneritet të funksionojë ashtu siç është menduar dhe tentohet nga dikush.

    -Nga ky forum, po i bëj thirrje klasës politike, institucioneve në Kosovë dhe në Shqipëri që në menaxhimin e aseteve që kanë mbetur pa u privatizuar, të përdoret me efektivitet kjo formulë participimesh në biznese të përbashkëta.

    Kjo mundëson që investitori të ndihet i sigurt, t’i ndihmohet atij në krijimin e biznesit, të ndikohet pozitivisht në mirëqenie dhe punësim.

    Kështu Kosovës do t’i mundësohet që paratë e privatizimit të mbesin në qarkullim në ekonominë e vendit dhe jo të ngurtësohen jashtë tij.

    -Shteti do të tërhiqet nga partneriteti kur biznesi të fuqizohet, t’i shumëfishohet vlera dhe do të marrë mbrapsh më shumë para sesa ka harxhuar.

    -Unë do të angazhohem fuqimisht që asetet tona minerare të mos trajtohen shkel e shko siç është deri më sot me burimet tona natyrore.

    -Unë do mundohem së bashku me ekspertët e huaj këto asete minerare të vlerësohen dhe të jenë pjesë përbërëse e berzave, panaireve ndërkombëtare. Në këtë angazhim do të përfshihen vetëm ekspertët me eksperiencë.

    -Nga një qasje krijuese si kjo, mineralet si të tilla kanë shansin më të mirë që vlera e tyre të shumëfishohet. Ndërkohë krijohen mundësitë që aksionarë të tyre të mos jenë vetëm një person apo një kompani, por ato të jenë të hapura për aksionariat publik.

    Krijimi i holdingjeve të përbashkëta ndërshtetërore që të ruhet vlera dhe interesi i kompanisë është një drejtim tjetër ku ne duhet të investohemi së bashku. Pra qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë. Asetet minerare janë pasuri e kombit tonë.

    – Në vend se Trepça e Kosovës të shitet për dhjetra milionë për shkak të pamundësisë së buxhetit të vogël për ta funksionalizuar, ne do të ndërrojmë adresën e kompanisë menaxhuese duke e transferuar atë në qendrat më të rëndësishme financiare botërore. Atje ajo do të vendoset në kontakt me publikun. Vlera e saj e shitjes nga dhjetra milionët aktualë do të jetë miliardëshe. Bëj apel që kjo mënyrë privatizimi apo trajtimi duhet të përdoret urgjentisht dhe në Shqipëri për ato minerale që janë të dobishëm jo vetëm për shqiptarët, por për mbarë botën.

    -Jetësimi i parimit one stop shop në trajtimin e investimeve të huaja, do të jetë imediat në punën time dhe të stafit tim.

    -Reformat në sistemin gjyqësor janë jetike për investimet e huaja. Jam i njohur me problemet në procese të ndryshme këtu në SHqipëri dhe tek ne, që zgjatin shumë dhjetra vite; njerëzit e biznesit shantazhohen, dhe dekurajohen.

    Unë po e ndiej edhe vetë në Kosovë kohët e fundit këtë të keqe të madhe. Këto praktika të pranishme në vendet tona duhet të marrin fund sepse ato damkosin për keq vendet tona dhe mbyllin rrugët e zhvillimit.

    KRIJIMI I SINERGJIVE KOMBETARE

    Sot jam shumë i lumtur se ideja e krijimit të Hapësirës Mbarëkombëtare të Zhvillimit, ka gjetur përkrahje të madhe në mjediset politike, akademike, biznesore të kombit tonë në Prishtinë dhe në Tiranë.

    Dua të falënderoj publikisht intelektualin e shquar, Akademikun Rexhep Qosja, i cili megjithë disa kritika për mua, kishte gjetur rastin të çmonte idetë e mia për bashkimin kombëtar që nis nga ekonomia.

     Më tej akoma, shumë mjedise intelektuale, OJQ– kanë filluar të diskutojnë për idetë tona të intensifikimit të bashkëpunimit tonë kombëtar, të krijimit të tregut të përbashkët.

     Makina kombëtare, tani është vënë në lëvizje prej energjive tona dhe askush nuk mund ta ndalë.

    Unë dua që idetë intelektuale puna ime, kontributi i miqve të mi të politikës dhe të biznesit të bashkohen në një fluks të përbashkët energjish, në një lëvizje qytetare, mbarëkombëtare që t’ja nisë që sot e të punojë për realizimin e ideve tona përbashkuese.