Presidenti i Republikës së Italisë, Giorgio Napolitano i ka dërguar një ftesë zyrtare Presidentit të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli për të vizituar këtë shtet.
Presidenti Pacolli do të takohet me Presidentin Napolitano. Ai gjithashtu do të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të 150 vjetorit të formimit të Italisë së bashkuar, që do të mbahet më 2 qershor në Romë.
“Prania Juaj do të ishte një nder për mua e për Qeverisë Italiane dhe do të përbënte një dëshmi të re domethënëse të lidhjeve të forta të miqësisë që bashkojnë Kosovën e Italinë. Me shpresën se shumë shpejt do t’ju takoj në Romë, kam kënaqësinë t’ju shpreh përshëndetjet e mia më të përzemërta”, shkruan ndër të tjera në ftesën e tij Presidenti i Italisë, Giorgio Napolitano.
Presidenti Pacolli e ka pranuar më kënaqësi ftesën e dorëzuar nga ambasadori i Italisë në vendin tonë, z.Michael Giffoni. Gjatë vizitës në Romë, Presidenti Pacolli do të realizojë takime edhe me zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit italian, me komunitetin e biznesit dhe takime të tjera.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, në një letër drejtuar Shoqatës të Burgosurve Politikë, me rastin e tridhjetëvjetorit të demonstratave të 11 marsit të vitit 1981, vlerësoi lart angazhimin e të gjithë organizatorëve dhe pjesëmarrësve të këtyre demonstratave.
Në letrën e Presidentit Pacolli thuhet:
Të nderuar veprimtarë, organizatorë dhe pjesëmarrës të demonstratave studentore dhe gjithëpopullore të 11 Marsit të vitit 1981. Kam kënaqësinë dhe nderin që t’ ju përshëndes dhe t’ju përgëzoj për veprimtarinë tuaj të çmuar atdhetare në përpjekjet tona shekullore për çlirim dhe për pavarësi.
Duke e çmuar lart kontributin tuaj, më lejoni që edhe në emër të qytetarëve të Kosovës t’ju shpreh mirënjohjen dhe falënderimin e thellë për kurajon dhe guximin tuaj atdhetar, që t’i jepni impuls një lëvizjeje çlirimtare që kishte nisur shumë herët, por që me demonstratat e vitit 1981 mori karakter masovik dhe gjithëpopullor dhe u bë fundament i lëvizjes së mëvonshme politike dhe ushtarake që shtyri krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës.
Duke u përkulur para veprës tuaj dhe gjithë atyre veprimtarëve që ranë në altarin e lirisë, zotohem se do të vihem me gjithë qenien time, brenda Institucionit që përfaqësoj, në mision të jetësimit të idealit dhe amanetit të atyre brezave që i vunë themelet e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, qoftë e lavdishme vepra e juaj, populli i Kosovës është mirënjohës për këtë.
Me respekt, Behgjet Pacolli, President i Republikës së Kosovës.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli priti në takim myftiun e Kosovës, Naim Tërnava me bashkëpunëtorët.
Myftiu Tërnava e uroi Presidentin Pacolli për zgjedhjen në krye të vendit, duke i dëshiruar sukses në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive të mëdha që ka përpara.
Presidenti Pacolli dhe Myftiu Tërnava theksuan nevojën e bashkëpunimit të vazhdueshëm në të gjitha fushat, në çuarjen përpara të proceseve, në të mirë të interesit të Kosovës dhe të të gjithë qytetarëve të saj.
Duke çmuar lart angazhimin e Myftiut Tërnava dhe të Bashkësisë Islame të Kosovës, Presidenti Pacolli i ofroi atij përkrahjen e vazhdueshme të tij dhe të institucioneve të vendit.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli priti në takim myftiun e Kosovës, Naim Tërnava me bashkëpunëtorët.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli priti ambasadorin e Republikës së Sllovenisë në vendin tonë, Jozef Hlep, i cili ia dorëzoi letrën e urimit të Presidentit të Sllovenisë, Danilo Turk për Presidentin Pacolli.
Në takim, Presidenti Pacolli dhe ambasadori Hlep theksuan marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve tona, përkrahjen e vazhdueshme të Sllovenisë për Kosovën, e sidomos bashkëpunimin shumë të mirë në fushën e ekonomisë, ku Sllovenia është një nga investitorët kryesorë të huaj në vendin tonë.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli priti ambasadorin e Republikës së Sllovenisë në vendin tonë, Jozef Hlep, i cili ia dorëzoi letrën e urimit të Presidentit të Sllovenisë, Danilo Turk për Presidentin Pacolli.
Më poshtë po e japim letrën e plotë të urimit të Presidentit Danilo Turk për Presidentin Behgjet Pacolli:
Shkëlqesi, Më lejoni që, në emër të Republikës së Sllovenisë dhe në emrin tim, t’ju përcjell urimet e mia më të sinqerta me rastin e zgjedhjes Suaj si President i Republikës së Kosovës. Republika e Sllovenisë dhe Republika e Kosovës kanë arritur rezultate të shkëlqyera si dy shtete mike, dhe kjo sigurisht paraqet një bazë të shëndoshë për bashkëpunim në të ardhmen e afërt. Republika e Sllovenisë, padyshim, do vazhdojë ta përkrahë Kosovën në përpjekjen e saj për t’u bërë një vend demokratik me perspektivë euroatlantike. Unë jam plotësisht i bindur që dialogu ynë do të kontribuojë në marrëdhëniet pozitive mes dy vendeve tona. I nderuari, Z. Pacolli, Ju uroj suksese në kryerjen e detyrave të reja.
Pranon, Shkëlqesi, urimet më të sinqerta dhe ndjenjën e konsideratës sime më të lartë! Danilo Turk.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli priti ambasadorin e Republikës së Sllovenisë në vendin tonë, Jozef Hlep, i cili ia dorëzoi letrën e urimit të Presidentit të Sllovenisë, Danilo Turk për Presidentin Pacolli.
Me rastin e tërmetit dhe cunamit shkatërrues që goditi Japoninë, Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli u dërgoi telegrame ngushëllimi, në emrin e tij dhe në emër të popullit të Kosovës, Lartmadhërisë së Tij, Perandorit Akihito dhe kryeministrit të Japonisë, Naoto Kan.
Populli i Kosovës, qeveria jonë dhe unë personalisht ndjejmë thellësisht dhimbjen për humbjen e jetëve dhe dëmet e shkaktuara nga tërmeti dhe cunami shkatërrimtar. Populli i Kosovës është shumë i prekur nga kjo tragjedi. Në mendime dhe në lutje jemi me ju në këto çaste të vështira, shkruan Presidenti Pacolli. Ai gjithashtu thekson se populli i Kosovës është i gatshëm të solidarizohet, në çfarëdo forme që ka nevojë, me popullin e Japonisë, për ta ndihmuar atë për të përballuar tragjedinë dhe për të riparuar sa më parë dëmet që shkaktoi tërmeti i sotëm.
Presidenti Behgjet Pacolli priti në takim një Delegacionin të Fondit Monetar Ndërkombëtar të kryesuar nga z. Adam Bennett, Këshilltar i Lartë i Departamentit Evropian në përbërje të të cilit ishin edhe z. Mr. Costas Christou, Shef i Departamentit Evropian për Kosovë dhe Jose Sulemane përfaqësues i Departamentit Evropian për Kosovë.
Gjatë takimit, Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli i falënderoi përfaqësuesit e FMN-së për të gjithë ndihmën që ky institucion i respektuar ndërkombëtar i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin Kosovës.
Presidenti Behgjet Pacolli priti në takim një Delegacionin të Fondit Monetar Ndërkombëtar të kryesuar nga z. Adam Bennett, Këshilltar i Lartë i Departamentit Evropian në përbërje të të cilit ishin edhe z. Mr. Costas Christou, Shef i Departamentit Evropian për Kosovë dhe Jose Sulemane përfaqësues i Departamentit Evropian për Kosovë.
Presidenti Pacolli i informoi përfaqësuesit e FMN-së për përkushtimin e institucioneve të vendit për bashkëpunim të ngushtë me FMN-në, për programet në fuqi si dhe për programet në vijim.
Gjithashtu, Presidenti Pacolli foli edhe për vështirësitë dhe gjendjen e vështirë sociale që mbretëron në Kosovë dhe kërkoi nga mysafirët mirëkuptim për plotësimin edhe të atyre objektivave që ende nuk janë plotësuar në programet e përbashkëta me FMN-në.
Ai tha se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që të bashkëpunojë ngushtë me FMN-në për gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme duke pasur konsideratë gjendjen sociale në vend.
Ndërkaq, z. Adam Bennett, Këshilltar i Lartë i Departamentit Evropian duke shprehur gatishmërinë e FMN-së për bashkëpunim me institucionet e Kosovës edhe në të ardhmen , tha se objektiv i FMN-së është përparimi afatgjatë dhe qëndrueshmëria afatgjate buxhetore e Kosovës.
z. Adam Bennett, theksoi se shumica e objektivave të programit të vitit të kaluar janë përmbushur dhe po punohet për gjetjen e zgjidhjeve edhe për çështjet e ngritura.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli mori pjesë në ceremoninë vjetore të KFOR-it, organizuar në Prishtinë, në të cilën morën pjesë përfaqësues të pranisë ndërkombëtare në vend, përfaqësues të misioneve diplomatike, udhëheqës të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të ftuar të tjerë.
Në këtë ceremoni, Presidenti Pacolli mbajti një fjalim, të cilën po e sjellim në vijim:
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Kosovës, i nderuari komandant i KFOR-it, gjenerali Buhler, të nderuar ambasadorë, të nderuar të pranishëm, jam shumë i nderuar që kam mundësinë, në cilësinë e Presidentit të Republikës së Kosovës, të shtetit mikpritës të KFOR-it, t’ju përshëndes juve në këtë ceremoni vjetore.
Me komandantin e KFOR-it, gjenerali Erhard Buhler në ceremoninë vjetore të KFOR-it, organizuar në Prishtinë.
KFOR-i është një miks i shkëlqyer trupash nga shumë vende të NATO-s, vende mike të Kosovës dhe vende të tjera, të cilët unë dua t’i përshëndes, duke filluar nga oficerët e deri te ushtarët dhe njëkohësisht të përshëndes edhe popujt dhe shtetet prej nga vijnë këta ushtarë të vyeshëm, këta ushtarë dhe oficerë të dashur.
KFOR-i është një eksperiencë unike e NATO-s, në një vend jashtë NATO-s, siç është Kosova. Edhe ky është një fakt që unë dua ta potencoj në këtë mbrëmje, me një mirënjohje dhe falënderim nga zemra. Kur shohim mëdyshjet e Perëndimit për të ndërhyrë në vatrat e tjera të krizës në botë, në rastin siç ishte ky i Kosovës, ne kemi më shumë arsye për të qenë edhe me tepër mirënjohës. Përpara tragjedisë së shqiptarëve, të popullit tim, ju nuk hezituat dhe erdhët e çliruat Kosovën.
Gjatë fjalës që mu dha në ceremoninë vjetore të KFOR-it, organizuar në Prishtinë, në të cilën morën pjesë përfaqësues të pranisë ndërkombëtare në vend, përfaqësues të misioneve diplomatike, udhëheqës të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të ftuar të tjerë.
Kosovarët u bënë popull i lirë. Kosovarët nuk e harrojnë këtë. Kosovarët ju falënderojnë për këtë dhe do të jenë gjithmonë falënderues. Faleminderit shumë juve të gjithëve, që keni lënë familjet e juaja, keni lënë një jetë sigurisht më të mirë nëpër vendet e juaja, dhe keni ardhur që ditët më të bukura të rinisë suaj, të kohës suaj, t’i kaloni bashkë me ne, duke u bërë pjesë e hapave tanë. Ju garantoj se kosovarët dinë ta shpërblejnë këtë. Ata asnjëherë nuk do ta harrojnë.
Ne ju jemi mirënjohës dhe ju jeni mysafirët tanë, në tokën tonë. Ju e dini kultin që ka populli ynë për miqtë e vet. Populli i Kosovës ju do dhe ju respekton. Ju faleminderit gjeneral Buhler, juve dhe trupave tuaja, për mbështetjen që jeni duke i dhënë Kosovës. Kosova edhe më tutje ka nevojë për ndihmën e juaj, ka nevojë për ju, ka nevojë për eksperiencën e juaj.
Kosova bashkë me ju do të vazhdojë përgatitjet dhe po përgatitet në rrugëtim për të hyrë në shtëpinë në të cilën ju gjendeni sot, në NATO. Aty është destinacioni ynë i ardhshëm dhe ne një ditë duam që t’u kontribuojmë popujve dhe shteteve që janë të ngjashme me ne. Ne borxhin do t’ua kthejmë.
Në ceremoninë vjetore të KFOR-it, organizuar në Prishtinë, në të cilën morën pjesë përfaqësues të pranisë ndërkombëtare në vend, përfaqësues të misioneve diplomatike, udhëheqës të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të ftuar të tjerë.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli priti ambasadorin e Republikës së Francës në vendin tonë, Jean Francois Fitou, i cili i dorëzoi letrën e urimit të Presidentit të Francës, Nicolas Sarkozy me rastin e zgjedhjes së Presidentit Pacolli.
Në takim, Presidenti Pacolli falënderoi për urimin e Presidentit Sarkozy, duke u quajtur atë një mik të madh të Kosovës dhe duke vlerësuar shumë lart kontributin e Francës në shtendërtimin e Kosovës.
Ndërsa, Ambasadori Fitou theksoi se përkrahja e Francës për Kosovën ka ekzistuar gjithmonë dhe ajo do të jetë e vazhdueshme.
Këtë, tha ai, e thekson fuqishëm edhe Presidenti Sarkozy në letrën e tij të urimit.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli priti ambasadorin e Republikës së Francës në vendin tonë, Jean Francois Fitou, i cili i dorëzoi letrën e urimit të Presidentit të Francës, Nicolas Sarkozy me rastin e zgjedhjes së Presidentit Pacolli.
Në vijim po japim letrën e plotë të urimit të Presidentit Sarkozy:
Zotëri Kryetar, Ju uroj ngrohtësisht për zgjedhjen e juaj në krye të Kosovës dhe jam i lumtur t’ju adresoj dëshirat e mia më të mira për suksesin, në përmbushjen e funksioneve të larta, në emër timin personal. Kaluan tri vjet nga pavarësia. Kosova po forcohet në fushën ndërkombëtare dhe ka marrë gjithnjë njohje të shumta. Ka ditur të udhëheqë përpjekje të rëndësishme në një kontekst delikat dhe kompleks. Unë e di se mund të llogarisë në ju për të dyfishuar zellin e madh në këtë punë. Kosova ka bërë reforma kruciale për konsolidimin e institucioneve dhe në mbizotërimin e Ligjit. Është angazhuar me vendosmëri në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Nuk kam dyshim se, me nxitjen e juaj, Kosova do të mund të përballet me sfidat që e presin. Mbetet shumë për të bërë në fushat e konsolidimit të institucioneve dhe në mbizotërimin e Ligjit. Llogaris në angazhimin e vendit tuaj për të bërë reformat e rëndësishme në zhvillimin ekonomik dhe social. Franca do të vazhdojë të punoj për ju në këtë perspektivë, me qëllim të forcimit të lidhjeve miqësore dhe besueshmërisë në mes dy vendeve tona. Franca ju sjell tërë mbështetjen e saj në këtë detyrë.Përfitoj, po ashtu, këtë rast për t’i shprehur dëshirat për prosperitet dhe lumturi për Kosovën dhe popullin e saj.Ju lutem, Zotëri Kryetar i Republikës, pranoni sigurinë e konsideratës time të lartë.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli priti sot ushtruesin e detyrës së guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), z.Gani Gërguri dhe zëvendësguvernatorin, Nexhat Kryeziu.
Z.Gërguri e njoftoi Presidentin Pacolli për gjendjen në Bankën Qendrore të Kosovës, punën që bën ky institucion, rezultatet e arritura, por edhe sfidat që e presin në të ardhmen.
Ai tha se Kosova ka një sistem stabil, të sigurt dhe të shëndoshë financiar. Presidenti Pacolli vuri theksin tek projektet e së ardhmes, duke pasur gjithnjë synim zhvillimin e vendit dhe integrimin e tij sa më të shpejtë në institucione dhe struktura ndërkombëtare.
Ai tha se zhvillimi ekonomik, prosperiteti i vendit, është rruga më e mirë edhe për përparimin e vendit edhe për integrimin e Kosovës në familjen e madhe evropiane.
Në kuadër të aktivitetit të tij, Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli është takuar sot edhe me Ombudspersonin e Kosovës, z. Sami Kurteshi.
Presidenti Pacolli theksoi në takim rëndësinë shumë të madhe që ka për vendin dhe shoqërinë institucioni i Ombudspersonit, si një institucion në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve të vendit.
Duke qenë se institucioni i Ombudspersonit shihet nga gjithë qytetarët si një institucion me rëndësi dhe shpresëdhënës, Presidenti Pacolli theksoi nevojën e bashkëpunimit sa të mirë me këtë institucion dhe përkrahjen e punës së tij.
Ombudspersoni i Kosovës, z. Sami Kurteshi e njoftoi Presidentin Pacolli me punën dhe shtrirjen e zyrave të këtij institucioni në komuna të ndryshme të Kosovës dhe për sfidat me të cilat përballet institucioni që ai drejton, në përpjekje për të përfaqësuar e mbrojtur sa më mirë të drejtat e të gjithë qytetarëve të vendit tonë.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli është takuar edhe me Ombudspersonin e Kosovës, z. Sami Kurteshi.