Prishtinë, 23 prill 2019 –
Raportimin tim para komisionit e fillova me veprimet e ndërmarra nga Ministria e Punëve të Jashtme për përmbushjen e obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit- MSA-së, në mes të Kosovës dhe BE-së. Deputetët i njoftova se Ministria e Punëve të Jashtme po ashtu është duke i përmbushur obligimet rreth tri Masave tjera zbatuese:
Strategjia për Punë të Jashtme- që është hartuar nga MPJ dhe është përcjellë në qeveri për miratim;
Plani i Veprimit për Zhvillimin sa më efikas të Dialogut Politik në mes të RKS dhe BE– është miratuar dhe jemi në zbatim e sipër;
Numri i vizave të lëshuara shtetasve të vendeve të treta nga ana e Konsullatave dhe përfaqësive diplomatike të Republikës së Kosovës– raportohen rregullisht për çdo tre muaj në detaje;

Po ashtu ndër detyrat e rëndësishme që Ministria e Jashtme bartë në zbatimin e MSA-së ka të bëjë me Këshillin e Stabilizim Asociimit, KSA, që është struktura e nivelit politik që vendos dhe rekomandon për çështje që dalin në kuadër të zbatimit të MSA-së dhe në çështjet me interes të përbashkët për palët. Në pjesën e dytë, fokusi im ishte në veprimet e ndërmarra nga Ministria e Punëve të Jashtme lidhur me procesin e integrimit evropian në përgjithësi. I njoftova deputetët se ndër prioritetet kryesore të politikës së jashtme të Kosovës mbetet avancimi i partneritetit strategjik me Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Pjesë e madhe e agjendës së Brukselit përfshinë edhe marrëdhëniet e mira me vendet fqinje.
Raportimin tim e përfundova duke iu falënderuar për mbështetjen dhe shpresoj në mirëkuptimin dhe ndihmën e tyre në këtë rrugëtimin tonë të veshtirë të integrimit evropian, por jo edhe të parealizueshëm.
