Tag: Serbia

  • Letër e hapur Presidentit të Serbisë

    Letër e hapur Presidentit të Serbisë

    Prishtinë, 27 shkurt 2019

    I nderuar President i Serbisë, z.Vuçiq

    Si udhëheqës i politikës së jashtme dhe diplomacisë së Republikës së Kosovës, po ju drejtohem me këtë letër vullnetmire. Jam thellësisht i bindur, që thellë-thellë, edhe nëse nuk i afirmoni publikisht, ju do t’i mirëkuptoni, si frymën ashtu edhe mesazhet konstruktive të kësaj letre të hapur. Askush nuk mundë të pretendojë se ju nuk e njihni fare mirë historinë politike të disa vendeve në rajon. Është temë tjetër se si i qaseni ju asaj aktualisht.

    Institucionet e Republikës së Kosovës, janë vendosmërisht të përkushtuara, që t’i zbatojnë dhe afirmojnë të drejtat qytetare dhe kushtetuese të komunitetit serb në Kosovë. Kjo vlen kudo që jeton ky komunitet, në jug, lindje, veri apo perëndim të Republikës së Kosovës.

    Përpos për serbët, ne veprojmë kështu edhe për të gjitha komunitetet që jetojnë në shtetin tonë të ri. Ndryshe nuk ka se si të jetë. Kosova renditet tek kombet dhe shtetet që u ngritën dhe që qëndrojnë mbi themelet e lirisë.

    I nderuar z.President,

    Sot ishim dëshmitar të një takimi mes Jush dhe disa serbëve të Republikës së kosovës. Jemi të tronditur me faktin, që në vend se ky takim të ishte rutinor, mos të them konstruktiv e paqedashës, Ju pohoni se këtij takimi do t’i referoheni në komunikime e biseda të nivelit të lartë ndërkombëtar, madje edhe ne Kinë. Nuk e kuptojmë logjikën e “mureve kineze” mes dy vendeve tona, e cila  është edhe në kundërshtim me çasjen evropiane e cila po investon në konektivitet në këto hapesira.

    Serbia, dhe ju si President i saj, nuk do të duhej të synonit, t’i ktheni serbët e Republikës së Kosovës në murin ndarës, ku përplasen mospajtimet tona ndër-shtetërore. Ju jeni në dijeni, se për dallim prej Serbise, Republika e Kosovës e ka paraparë me Kushtetutë që bashkëpunimi ndër-shtetëror mes të dyja vendeve tona të mund të lehtësohet edhe përmes komunikimit serb.Ju po ashtu e dini, që kjo nuk mund të ndodhë në dëm të karakterit Sovran dhe unitar të Republikës së Kosovës.

    Askush mbi faqe të dheut nuk mundë të mohojë faktin që serbët e Republikës së Kosovës  jetojnë  në një ambient të sigurtë dhe sipas një rendi juridik e institucional, ku të drejtat dhe mundësitë në dobi dhe favor  të tyre, flasin asimetrikisht. Mohimi i fakteve nga ana juaj paraqet mëkat, përderisa t’u kërkohet serbëve t’i refuzojnë ato, përbëjnë mëkat e vuajtje bashkë. Është koha që Serbia t’i lejoje serbët të bëjnë jetën e tyre të lirë nga ndërhyrjet e saj.

    Nuk mund të mos ua them, që mesazhet me të cilat i drejtoheni serbëve në vizitë në Serbi, dhe përmes tyre bashkëqytetarëve serb në Republikësn e Kosovës, ndonëse të projektuara të targetojnë rrugëtimin ndërkombëtar të vendit tonë, ngarkojnë negativisht dhe dëmtojnë vetëm komunitetin serb, asgjë më shumë. Kosova dhe shtetësia e saj, si Brenda ashtu edhe ndërkombëtarisht, nuk dëmtohen nga mesazhe të tilla përqarëse.

    President i nderuar,

    Politika e instrumentalizmit të qytetarëve serbë, nga Serbia  zyrtare, në funksion të shfrytëzimit të tyre të vahdueshëm në procesin e dialogut  për Marrëvëshjen gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese për të dy shtetet, ndërkombëtarisht e afirmuar si paqësore, nuk mund të jetë as premtuese as e qëndrueshme.

    Politika dhe qasja instrumentalizuese si kjo në lidhje me takimin që keni zhvilluar sot, përpos që prodhon kundërefekte në teren, ajo po ashtu po deformon profilin paqedashës të cilin ju po provoni ta ndërtoni e ta plasoni me zell, kudo në komunitetin ndërkombëtar.

    Jam i bindur qe pajtoheni me mua nëse ju them, se ju nuk mund të shiheni njëkohësisht si njeri paqësor  në SHBA dhe Evropë, ndërsa si planprishës e paqeprishës në rajon.Është paradoksale, për të mos thënë cinike, që ju të derdhni lotë krokodili në forume të nivelit të lartë evropiane, në lidhje me përkushtimin tuaj për arritjen e Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse, përderisa në anën tjetër në Serbi plasoni mesazhe tensioni dhe pasigurie për qytetarët serbë që  jetojnë në Republikën e Kosovës. Ky ështe pozicionimi më i keq i mundshëm, jo vetëm në raport me serbët e Republikës së Kosovës, por edhe në raport me procesin e dialogut për Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse.

    I nderuar z.Vuçiq,

    Më lejoni të ofroj një përmbyllje ekspeditive të kësaj letre të hapur, sepse sikur në këto mesazhe, ne do të fokusohemi të jemi ekspeditiv në secilin proces.

    Qytetarët e Republikës së Kosovës janë përballur me vuajtje e sakrifica, deri në atë nivel, për të cilin deri më sot, asnjë përfaqësues i lartë i Serbisë nuk ka gjetur kurajon që ta pranojë, e të mos flasim për pranimin e përgjegjësisë shtetërore të vendit tuaj, të cilën ju e fshihni pas narracioneve jo të vërteta për të kaluarën dhe të tashmen e shtetit të Kosovës  dhe shteteve tjera në Ballkan. Qindra masakra, dhjetra mijëra të vrarë dhe dhjetëra mijëra gra të dhunuara pranë fëmijëve dhe familjarëve të tyre.

    Nuk mund të mos ua them, që Marrëveshja Gjithëpërfshirëse është një stad kthese drejt një paqeje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, e ku nënkuptohet një process ku ju dhe vendi juaj, e pranoni përgjegjësinë, jepni llogari për krimet e kryera, dhe aktivisht përfshiheni në ndërtimin e një kapitulli të ri të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe popujve tanë.

    Ndryshe nga pohimet tuaja fiktive, ne kemi ndërtuar një Ushtri paqësore e multietnike, FSK-në e cila mishëron vlerat e NATO-s, dhe e cila do të rrugëtojë bashkë me të.Duke qenë e kufizuar me vende anëtare të kësaj organizate, dhe me Kosovën e cila do të jetë anëtare e saj në të ardhsmen, Serbia do të kufizohet me paqe dhe stabilitet.

    Secili vëzhgues rasti i zhvillimeve në rajon, e lëre më një President sikurse jeni ju, është në dijeni  që për Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse mes dy shteteve tona, nuk ka alternativë.

    Serbia ka pasur shumë liderë të cilët e kanë ditur që historia i ka rezervuar Kosovës atributet e shtetësisë, ndërkombëtarisht, por asnjeri nga ta nuk ka pasur kurajon që këtë ta pranojë publiksht këtë fakt. Rrjedhimisht  Marrëveshja Gjithëpërfshirëse do të ndodhë, sepse ikja nga ajo nuka ka alternativë.

    Uroj që ju të shiheni si Presidenti i Parëi Serbisë, i cili merr guximin të përballet  me të vërtetën, njohjen e Republikës së Kosovës, dhe që nuk ikën nga kjo e vërtetë me takime të improvizuara sikurse ky i fundit mes jush dhe disa serbëve të Kosovës në vizitë tek ju në Beograd. Kontriboni paqës zoteri President i Serbisë!

  • Ministeriali i vendeve të Ballkanit perëndimor në Budvë

    Ministeriali i vendeve të Ballkanit perëndimor në Budvë

    Budvë, 30 nëntor 2018 –

    Mora rrugën drejt qytetit bredetar Malazez, Budva, atje ku do e përfaqësojë Republikën e Kosovës në takimin e ministrave të jashtëm të Ballkanit perendimor WB6.

    Tema kyqe e këtij Ministeriali ishte Integrimi Evropian i rajonit tonë dhe shtyrja përpara e procesit të Berlinit. Në takime jo formale para se të fillonim zyrtarisht me liderët e Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë, diskutuam se si procesi i pajtimit është kyç për të ardhmen e Ballkanit Perendimor.

    Thash se takimi i Ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor erdhi në një moment të rëndësishëm për rajonin, por edhe për BE-në.

    Budvë, 30 nëntor 2018 – Gjatë punimeve të Ministrealit të Vendeve të Ballkanit Perëndimor në Mal të Zi.

    Homologve nga Ballkani u thash se është me rëndësi të sigurojmë vazhdimësinë e aktiviteteve të mëparshme rajonale, si dhe të kontribuojmë në rritjen e bashkëpunimit reciprok, si mjet për garantimin e stabilitetit dhe ndërlidhshmërisë në rajon.

    Por takimi i të premtës që po zhvillohej në Budva, nuk kaloi pa tensione e përplasje. Sigurisht, tensionet si gjithnjë erdhen edhe kësaj radhe nga përfaqësuesit e Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës.

    Gjithçka nisi pasi kërkova një ndryshim në deklaratën e përbashkët të ministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Insistimi dhe kërkesa që këmbngulja ka konsistuar në respektin e ndërsjellë për Kosovën në zbatimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë CEFTA.

    Budvë, 30 nëntor 2018 – Gjatë punimeve të Ministrealit të Vendeve të Ballkanit Perëndimor në Mal të Zi, i jam përgjigjur homologut tim boshnjak lidhur me taksën 100 % për produktet serbe dhe boshnjake në Kosovë, duke kritikuar pozicionin e tij si dhe duke e akuzuar Bosnje dhe Hercegovinën se po shërben si marionetë e Beogradit.

    Hipokrizia ishte kur fjalën e mori ministri i Jashtëm i Bosnjës dhe Hercegovinës Igor Crnadak.

    Crnadak filloi me kritika për Kosovën, se ne kishim vendosur taksën 100% për produktet nga Serbia dhe Bosnjë dhe Hercegovina.

    Si përgjigje ia ktheva Crnadak, duke i thënë se Bosnja dhe Hercegovina ka shkelur në vazhdimësi marrëveshjet si dhe frymën e bashkëpunimit rajonal.

    “Dëgjo Igor, ne ju respektojmë juve. Por ju e keni ofenduar vendin tim. Ndonëse ne ju respektojmë juve, ne e respektojmë Bosnjën. Ma thuaj sa kamionë i lejoni ju të hyjnë në Bosnjë? Asnjë! A e respektoni dokumentacionin tonë, i cili shoqëron mallin nga Kosova në Bosnjë? Jo, ju nuk i pranoni, nuk i respektoni!”.

    Budvë, 30 nëntor 2018 – Gjatë punimeve të Ministrealit të Vendeve të Ballkanit Perëndimor në Mal të Zi, homologëve duke ua bërë të qartë kërkesën time dhe pse po insistoja.

    Vazhdova duke i’a shpalosur realitetin se: “A i njihni ju vulat tona? Jo nuk i njihni vulat tona. A munden kamionët tonë të vijnë në Bosnje dhe Hercegovinë me tabela të Kosovës? Jo ata nuk mund të vijnë”.

    “Deri tani ne kemi bërë mjaftueshëm. Ne i pranojmë mallrat tuaja ne e pranojmë dokumentacionin tuaj, ne i pranojmë vulat tuaja. Ne i pranojmë kamionët tuaj ne i pranojmë pasaportat tuaja, ne kemi pranuar të gjitha këto”.

    I thash se ju duhet ta respektoni faktin se Kosova është shtet i pavarur dhe i pranuar nga dy të tretat e shteteve të botës dhe ju duhet të tregoni respekt për këtë. Në të ardhmen ne duhet të kemi vetëm reciprocitet, vetëm reciprocitet.

    “Ju e dini sa herë unë kam biseduar me ju për çështjen e vizave! Igor, ju mund të vini në çdo kohë në Kosovë”.

    Para të pranishmëve thash madje me një doze nervozizmi se është e çuditshme lehtësia me të cilën Serbia dhe Bosnja e Hercegovina nisen e na akuzojnë.

    Këtë po e bëjnë në sy dhe prapa syve tanë, e bëjnë në lindje e perendim. Boll është boll, u tha para edhe se ta shpallnim pavarësinë, është koha që edhe BE ta afirmojë faktin që e ardhmja e qëndrueshme e marrëdhênieve korrekte dhe konstruktive kalon përmes kushtëzimit të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, me pranimin e faktit që Kosova është realitet shtet i pakthyshëm.

    “Ne mirëkuptojmë rëndësinë e ruajtjes së frymës konstruktive, këtë po e bëjmë në secilin rast, por nuk mund të pranojmë asnjë situatë, që të mos sillemi brenda dhe ndërkombëtarisht sikurse na takon, si shtet i barabartë në mesin e shteteve tjera në rajon. Serbia dhe BeH që na akuzojnë për sjelljen shtetërore reciproke përmes takses, le ta dijë secili kudo, se as njëra e as tjetra nuk e kanë me taksën per se, por më shumë e kanë hall të na fusin në kurthin e të sjellurit si kuazi-shtet”

    Ky ishte thelbi i asaj çfarë refuzova në WB6, dhe këtë ia thashë homologut nga BeH, por që ta dëgjojnë edhe të tjerët që ishin prezent aty.

    Por ky propozim nuk u prit mirë nga ministri i Jashtëm i Bosnje Hercegovinës, Igor Crnadak si dhe nga përfaqësuesi serb. Kurse në mbështetje të kërkesës time doli homologu shqiptar Ditmir Bushati.

    Budvë, 30 nëntor 2018 – Konsultimi me mikun dhe vëllain tim nga shteti shqiptar, Ditmir Bushati, i cili doli fuqishëm në krahun tim dhe kërkesës së drejt që unë kisha.

    Vëllau nga shteti amë ua bëri të qartë se nëse Bosnja dhe Serbia nuk tregojnë mirëkuptim, atëherë për Shqipërinë e Kosovën është shumë e lehtë të kthehen tek qëndrimet kombëtare.

    “Besoj se kemi nevoje për të vendosur më shumë theksin tek pajtimi i cili lidhet drejtpërdrejt dhe me vullnetin politik për të bashkëpunuar dhe vijuar me proceset për të cilat kemi rënë dakord me parë. Bashkëpunimi ende nuk është aty ku duhet për shkak të mungesës së vullnetit politik. Një gjë e tillë ndikon jo vetëm zhvillimin por edhe klimën e bashkëpunimit që po mundohemi të krijojmë në rajonin tonë. CEFTA gjithashtu duhet të interpretohet në raport me angazhimet e tjera që çdo vend ka ndërmarrë. Nëse Bosnje Hercegovina dhe Serbia nuk tregojnë mirëkuptim, atëherë dhe për Shqipërinë dhe Kosovën është shume me e lehta te kthehen tek qëndrimet kombëtare”

    Përplasjet erdhen në një kohë kur ne si qeveri e Kosovës kemi vendosur taksen 100% për mallrat nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina.

    Pavarësisht tensionit që pala serbe dhe ajo boshnjake krijuan takimi i Budvës përfundoi punimet me një deklaratë të përbashkët dhe në tekst u përfshi edhe ndryshimi i kërkuar nga unë dhe që u mbështet nga Bushati.

    Budvë, 30 nëntor 2018 – Fotografia e përbashkët me pjesmarrësit në fund të takimit përfundoi punimet me një deklaratë të përbashkët dhe në tekst u përfshi edhe ndryshimi i kërkuar nga unë dhe që u mbështet nga Bushati.
  • Pacolli: Zyrtarët serbë duhet të marrin leje për vizita në Kosovë

    Pacolli: Zyrtarët serbë duhet të marrin leje për vizita në Kosovë

    Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, gjatë konferencës së përbashkët për media me homologen e tij austriake, ministren për Evropë, Integrim dhe Çështje të Jashtme, Karin Kneissl, foli për çështjen e vizitës së ministrave serbë në Kosovë.

    Ai theksoi se të gjitha personalitet politike serbe janë të detyruar të njoftojnë 72 orë më parë se kur do të realizohet vizita e tyre në Kosovë. 

    Lidhur me çështjen e vizitës së zyrtarëve serbë në Kosovë, përkatësisht të minisrit serb të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, ministrit të Kulturës, Vladan Vukosavljeviç dhe shefit të zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, Pacolli deklaroi se duke u bazuar në marrëveshjen e arritur në mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel çdo ardhje e personaliteteve politike serbe në Kosovë duhet t’i nënshtrohet një informate paraprake dhe lejes e cila duhet të merret nga autoritetet e Kosovës. 

    “Ne kemi patur kërkesë për ardhjen e disa ministrave serbë në Kosovë. Sipas marrëveshjes që kemi arritur në Bruksel çdo ardhje e personaliteteve politike në Kosovë duhet t’i nënshtrohet një informate paraprake dhe lejes e cila duhet të merret nga qarqet e Kosovës. Është një çështje bilaterale që nuk e kemi imponuar ne por është diskutuar në Bruksel dhe është dakorduar. Ne veprojmë sipas kësaj marrëveshjeje”, u shpreh Pacolli. 

    Ai potencoi se Kosova është e vendosur dhe e përkushtuar të ketë marrëdhënie fqinjësore dhe të mira me secilin nga shtetet e Ballkanit dhe shtoi se Kosova është duke punuar me intensitet shumë të lartë që të ketë marrëdhënie të mira edhe me Serbinë. 

    Duke dhënë një shembull lidhur me refuzimin e vizitës së tij në Beograd për të marrë pjesë në një konferencë, Pacolli tha se kur ka ndodhur refuzimi ka patur një qasje shumë normale lidhur me këtë. 

    “Sipas marrëveshjes të gjitha personalitetet janë të detyruara t’i drejtohen Kosovës 72 orë para se të ndodhë vizita dhe Kosova ka të drejtën të lejojë ose nëse ka arsye të refuzojë hyrjen e tyre ashtu siç kanë bërë dhe bëjnë organet serbe”, tha ai. 

    Sa i përket vizitës së ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, Aleksandar Vulin, Pacolli tha se ai nuk ka arsye që të vjen në Kosovë, të propagandojë dhe të nxisë urrejtje duke nënvizuar se Kosova nuk ka asnjë problem në mbrojtjen e shtetit duke iu referuar KFOR-it dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës të cilët kujdesen për mbrojtjen e territorit të Kosovës. 

    Ndërsa, për ministrin e Kulturës së Serbisë, Vukosavljeviç Pacolli tha se ai ka kërkuar leje që të hyjë në Kosovë nga pika kufitare në Jarinje dhe Kosova ka dërguar protokollin e saj për ta pritur por ai ka tentuar të hyjë në një pikë tjetër nga pika në Merdare me ç’rast i është refuzuar hyrja.

    Duke potencuar edhe vizitën e shefit të zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, Pacolli po ashtu tha se deklaratat e tij kanë nxitur urrejtje dhe pakënaqësi tek popullata shqiptare dhe se ai nuk mund të hyjë në Kosovë kur të dojë pa patur lejen e autoriteteve kosovare dhe duhet t’i respektojë normat prandaj MPJ nuk ka mundur ta lejojë atë të hyjë në Kosovë.