Tag: Ushtria e Kosoves

  • Përpjekjet historike për shtet të konsoliduar dhe sovran i kurorëzuam me formimin e USHTRISË SË KOSOVËS

    Përpjekjet historike për shtet të konsoliduar dhe sovran i kurorëzuam me formimin e USHTRISË SË KOSOVËS

    Prishtinë, 14 dhjetor 2018

    Rrugëtimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës simbolizon ecjen dhe zhvillimin e shtetit tonë. Një proces me hapa të gjatë dhe të mundimshëm, por gjithmonë i orientuar drejt arritjes së një qëllimi të qartë, në dobi të qytetarëve të të gjitha komuniteteve në vendin tonë.

    Për qytetarët dhe institucionet, Forca e Sigurisë de fakto ka qenë gjithmonë Ushtria e Kosovës.

    Por, nga ky muaj, me mandatin e ri, vajzat dhe djemtë tanë, me dinjitet e krenari edhe do ta mbrojnë Republikën e Kosovës, duke kontribuar gjithnjë në ndërtimin dhe ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe më gjerë.

    Prishtinë, 2011 – Parakalimi në tepihun e kuq para Gardës Ceremoniale të FSK-së, kur mu bë pritja sa isha president i Republikës së Kosovës.

    Sot, nesër dhe përgjithmonë, Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe ushtarët tanë, i tërë populli ynë do t’i shikojë me respekt, me nderim dhe krenari.

    USHTRIA E KOSOVËS buron nga populli liridashës e paqedashës i Kosovës dhe i përket të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim. Ajo do të jetë garantuese e paqes dhe stabilitetit në Rajon me synimin për të qenë pjesë e NATOs dhe t’i kontribuoj qëllimeve madhore të kësaj aleance kudo në Botë.

    Themelet e kësaj Ushtrie janë të vendosura thellë në luftën e pastër dhe të shenjtë të USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS. Kosova do të jetë përgjithmonë mirënjohëse vendeve që po mbështesin formimin e USHTRISË sonë. Kliko linkun: https://fb.watch/n2rOcDLOnL/

    Prishtinë, 2018 – Me 13 dhjetor ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës në kazermen “Adem Jashari” duke demostruar profesnionalizëm.

    Personalisht në cilësinë e Zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës, me ftesë të shtetit të IOWA-së, isha i nderar me respektin që më bëri Dhoma e Përfaqësuesve të shtetit të Iowa-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Komandanti i Gardës Kombëtare të Iowa-s, Gjenerali Orr gjatë vizitës time zyrtare të këtij shteti.

    Me gjeneralin Orr kemi biseduar për procedurat si të vijmë deri tek ushtria e Kosovës.

    Gjeneral Major Tim Orr, gjeneral i Gardës Kombëtare të Iowa-s, shtrëngon dorën me mysafirin Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës Behgjet Pacolli, në të majtë, pasi mbajti fjalimin e tij vjetor për Kushtetutën e Gardës Kombëtare të Iowa-s në një seancë të përbashkët të Dhomës së Iowa-s dhe Senatit, të enjten, 11 janar 2018, në Des Moines, Iowa.

    Rruga e gjatë deri sa e bëm Ushtrinë e Kosovës

    Në vitin 1998 – 1999 ishin Ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që luftuan me forcat barbare serbe. Pas luftës ata dorëzuan armët dhe u transformuan në Trupat Mbrojtëse të Kosovës.

    Prishtinë, 2011 – Me bacën Rifat Jashari, kryeministrin Hashim Thaçi, unë si president i Republikës, duke parakaluar para armatimit të FSK-së, në kazermen Adem Jashari.

    Pas shpalljes së pavarsisë së Republikës së Kosovës në vitin 2008 u krijua Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), e cila ka 2500 ushtarë aktiv dhe 800 ushtarë rezervë.

    Forca e Sigurisë së Kosovës, nuk i pëlqen Beogradit dhe qe disa vite ka bërë presion pjestarëve të komunitetit serb të largohen. Për ta bërë Forcën e Sigurisë së Kosovës ushtri, duhen ndryshime kushtetuese, por pa voten e serbëve nuk mund të ndryshohet kushtetuta.

    Prishtinë, 2011 – Në kazermen “Adem Jashari” mu dha fjala si Komandant Suprem i FSK-së, deri sa ushtroja postin e presidentit të Republikës së Kosovës.

    Mbështetësit kryesor të Kosovës – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe vendet më të fuqishme në NATO kanë thënë se pa ndryshime kushtetuese nuk ka ushtri.

    NATO doli me qëndrim se nëse një gjë e till bëhet pa ndryshimin e kushtetutës atëher raportet me FSK-në do të dëmtohen. Ky është një historik i shkurtër se si erdhëm deri në ditën e formimit të Ushtrisë së Kosovës.

    Përkundër paralajmrimeve ne si qeveri e Kosovës, vendosëm për të miratuar 3 ligje që kishin për qëllim transformimin e FSK-së në Forca të Aramatosura. Ligjet pastaj u përcollën për votim në parlament.

    Seanca u thirr për datën 14 dhjetor 2018, kur deputetët e Kuvendit të Kosovës do të miratonin përfundimisht tri ligjet, me të cilat mundësohet transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës.

    Ndonëse emri i FSK-së nuk pësoi ndryshime për shkak të pamundësive për ndryshime kushtetuese, ligjet e miratuara vlerësohet se i japin FSK-së kapacitete ushtarake gjatë një procesi transformimi brenda disa viteve.

    Prishtinë, 2018 – Me 13 dhjetor ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës në kazermen “Adem Jashari” duke demostruar profesnionalizëm.

    Bëhet fjalë për Ligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, atë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ligjin për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

    Të gjithë atë ditë ishim unik, seanca filloi me një minutë heshtje për të nderuar, të gjithë ata që u vranë dhe sakrifikuan duke dhënë kontributin e tyre për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

    Votimi u përcjellë me duartrokitje të gjata në Kuvend.

    I kapluar nga emocionet kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se me këtë votim po fillon një epokë e re për shtetin e Kosovës.

    “Nga ky moment, zyrtarisht e kemi Ushtrinë e Kosovës. Në sallë kemi kadetët e Forcës së Sigurisë së Kosovës që nga ky çast janë ushtarë të Kosovës, të cilëve ua urojmë Ushtrinë e Kosovës”, ka thënë Veseli.

    Vendimi për formimin e Ushtrisë së Kosovës po përcillej me një atmosferë festive në sheshet e Prishtinës.

    Sheshet e kryeqytetit ishin mbushur me flamuj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe shteteve tjera, të cilat Kosova i konsideron si vende që e kanë ndihmuar në vazhdimësi atë.

    Ceremoni festive në FSK

    Pas vendimit të Kuvendit, një ceremoni ku është prezantuar Forca e Sigurisë së Kosovës, u mbajt në kazermën “Adem Jashari”, në Prishtinë.

    Aty, morëm pjesë ne krerët më të lartë të shtetit të Kosovës.

    Pas vendimit të Kuvendit, një ceremoni ku është prezantuar Forca e Sigurisë së Kosovës, u mbajt në kazermën “Adem Jashari”, në Prishtinë.

    Presidenti Thaçi mori fjalën dhe falënderoi partnerët ndërkombëtarë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha vendet e NATO-s. Ndërkaq, kryeministri Ramush Haradinaj, tha se Kosova po hyn e fundit në rreshtin e ushtrive të paqes në botë.

    Propaganda kishte filluar në Beograd

    Përderisa në Prishtinë, 14 dhjetori cilësohej si ditë historike, në Beograd kishte shqetësime. Këtë e dinim, ishte e pritur.

    E para doli me qëndrime kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ajo të premten tha se për të është “një ditë e rëndë”, porse Serbia do ta vazhdojë rrugën e paqes. “Për mua kjo është ditë e rëndë. Nuk është ditë që i kontribuon bashkëpunimit në rajon”, ka thënë Brnabiq për mediat serbe.

    Një atmosferë ndryshe me Prishtinën dhe qytetet tjera të banuara nga popullata shumicë shqiptare, mbizotëronte në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me popullatë serbe.

    Dora e zgjatur e politikës së Vuçiqit kishte mbushur sheshet e Mitrovicës Veriore me flamuj të Serbisë. Direktivat i ishin dhënë edhe deputetëve të Listës Serbe që të bojkotonin seancën, duke kundërshtuar kështu vendimin për Ushtrinë.

    Nga veriu i Kosovës, ku jetojnë popullata shumicë serbe, u dërguan porosi se Forca e Sigurisë së Kosovës nuk ka të drejtë të shkojnë atje.

    Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe, thirri konferencë për media duke thënë që vendimi i autoritete të Prishtinës është i papranueshëm për serbët dhe se nuk ka asnjë fuqi.

    Mitrovica e Veriut dhe Prishtina, në ditën kur pritet formimi i Ushtrisë së Kosovës.

    Si zëvendëskryeministër i parë dhe minister i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, fillova ti kundërpërgjigjem propagandës së Beogradit.

    Mobilizova ekipen time dhe në vazhdimësi kemi informuar shumicën e vendeve dhe institucioneve të botës, për hapin historik të Republikës së Kosovës, tranzicionin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në një ushtri bashkohore, sikurse të gjitha ushtritë e vendeve demokratike.

    Të njëjtat shtete i kam informuar se tranzicioni nga Forca në Ushtri, është proces i kujdesshëm, transparent, e demokratik, përmes të cilit do të përfitojë jo vetëm Republika e Kosovës, por edhe siguria dhe stabiliteti në nivel rajonal, evropian dhe global.

    Në esencë mesazhi i përcjellë nga ana ime në të gjitha adresat relevante diplomatike kudo në botë, nënvizonte që Republika e Kosovës synon t’i shërbejë dhe të jetë pjesëmarrëse aktive në nisma, zhvillime dhe projekte të sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

    Sigurisht se deri sot Serbia ka bërë një fushatë të egër dhe primitive kundër këtij momenti historik, dhe komunikimi im me të gjitha vendet, institucionet dhe adresat tjera diplomatike, mes tjerash, ka pasur si qëllim që të degradojë narracionin e rremë të Serbisë.

    Dhe koha po tregon se i’a kam arritur. E vërteta është një dhe e vetme, Ushtria është forcë e Republikës dhe qytetarëve dhe e cila reflekton karakterin kushtetues e divers të vendit.

    E njëjta ka qenë, është, dhe do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë strategjik me NATO-n, si ombrellë dhe hisedare e sigurisë në rajon.

    Në fakt, përderisa vendet tjera kanë ndjekur rrugëtimin e hyrjes në NATO, ne kemi përparësinë që ta kemi NATO-n brenda në Kosovë. Tashmë nga sot, rrugëtimi ynë strategjik mori një tjetër hov!

    Ushtria është atributi unik i shtetit tonë të ri.

    Hezitime në NATO dhe përkrahje nga SHBA-ja

    Transformimi i kësaj ushtrie nuk arriti të sigurojë mbështetjen e plotë të NATO-s, ishim në dijeni për këtë fakt. I pari që reagoi ishte Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili doli me qëndrim se ky transformim po ndodh në një “kohë të papërshtatshme” dhe i tërhoqi vërejtjen Prishtinës se nëse do të ndërmarrë hapin e transformimit “do të përballet me pasoja”.

    Por, ne në Prishtinë deklaratat e tilla i pamë si reflektim i qëndrimeve të disa vendeve anëtare të NATO-s, të cilat nuk na njohin pavarësinë e Kosovës.

    Ne kishim siguruar mbështetjen e nevojshme të NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në kapacitete ushtarake.

    Qytetarët e duartrokasin qëndrimin e SHBA-së për FSK-në

    Për dallim nga NATO, e cila ka në përbërje të vet shumë shtete, Qeveria Amerikane përmes ambasadorit të saj në Kosovë, Philip Kosnett na dha mbështetje se votimi për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës është historik për Kosovën.

    Qeveria Amerikane përmes ambasadorit të saj në Kosovë, Philip Kosnett na dha mbështetje se votimi për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës është historik për Kosovën.

    Një javë më parë FSK-në e kishim pajisur me 24 automjete ushtarake të tipit “Humvee”, të cilat erdhën pikërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Si ministër i jashtëm në çdo takim me zyrtarë të shteteve të ndrysme që takoja u zotova se transformimi i FSK-së do të bëhet në koordinim me NATO-n dhe shtetet që Kosova i konsideron si aleate, duke veçuar sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    24 automjete ushtarake të tipit “Humvee”, të cilat erdhën pikërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    FSK nuk e zëvendëson KFOR-in

    Forca e Sigurisë së Kosovës do të nisë rrugën drejt shndërrimit në ushtri,rolin dhe mandatin mbrojtës në Kosovë do të vazhdojë ta ketë forca paqeruajtëse dhe shumëkombëshe e KFOR-it.

    “Prezenca e NATO-s në shtetin tonë do të jetë gjithmonë e mirëpritur. Ne duam t’i bashkohemi NATO-s, duam të punojmë me ju. Me tranzicionin, FSK-ja është e gatshme të shërbejë me ju, me forcat e juaja të armatosura gjithkund në botë”.

    Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua më 2009 në bazë të Planit të Ahtisaarit, dokument që çoi drejt pavarësimit të Kosovës.

    Kjo Forcë, është ngritur nën mbikëqyrjen e NATO-s, por misioni dhe kapacitetet e saj, nuk përkuan me ambicien e institucioneve, që Kosova ta ketë ushtrinë e saj.