Washington, 4 shkurt 2019 –
Sot u nisa për në SHBA ku me ftesë të sekretarit të shtetit Mike Pompeo do të marrë pjesë në ministerialin e koalicionit kundër ISIS-it.
Kosova është e rreshtuar fuqishëm në krah të SHBA në secilin angazhim ndërkombëtar.

Gjithashtu gjatë qëndrimit në Washington do të marr pjesë në një nga ngjarjet unike të Shteteve të Bashkura të Amerikës, në lutjet e mëngjesit, në vendin që inspiron botën me vlerat e lirisë dhe tolerancës, e ku për këto qëllime bëhen bashkë me mijëra personalitete nga bota mbarë.
Lutemi që madhështia e SHBA-ve të mos njoh kufinjë e pengesë, dhe që fatin e përkrahjes së saj sikurse e ka Kosova, ta kenë të gjitha kombet dhe vendet liridashëse kudo në botë. Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës rrugëtojnë bashkë në promovimin e vlerave universale në tokë, sikurse janë bashkë edhe në dashurinë dhe mbështetjën në Zot!

NË FORUMIN MBI SFIDAT E EVROPËS JUGLINDORE
Mëngjesin e parë në Washington e fillova me pjesmarrjen në Forumin mbi sfidat në Evropën Juglindore, i organizuar nga Senatori Paul Inhofe, në Senatin Amerikan.
Në adresimin tim para kongresmenëve dhe pjesmarrësve të tjerë, potencova rëndësinë jetike të prezencës amerikane në rajon si garantuese e paqes dhe demokracisë.
Në anën tjetër denoncova lojën e pistë që Serbia në vazhdimësi zhvillon duke vazhduar me minimin e paqes nëpërmjet prezencës ruse.


Rajoni i Ballkanit i takon NATO-s dhe kjo gjë nuk ka alternativë.
Gjatë vizitës në Washington së bashku me presidentin Hashim Thaçi, Ambasadoren Vlora Çitaku dhe përfaqësuesin e FSK-së, vizituam kompaninë e aeroplanëve Boeing.
Misioni dhe mandati i ri i FSK-së është bërë në koordinim të plotë dhe të ngushtë me SHBA-në. Edhe teknologjia e pajisjet që do t’i përdorin ushtarët e Kosovës do të jenë amerikane.
Në selinë e kompanisë lidere në botë “Boeing”, sot pash të arriturat e saj dhe kërkuam mundësi për bashkëpunim në zhvillimin e FSK-së dhe rritjen e kapaciteteve të përgjithshme mbrojtëse të Kosovës.
Edhe në “Boeing” takova miq të Kosovës, që kanë punuar e shërbyer në vendin tonë.

Vlersuam se është koha ideale për të filluar bashkëpunimin!
Në Washington takova edhe ish kryebashkiakun e New Yorkut, Rudy Guiliani. Takimi me Guilianin që është njeri jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe me peshë në politikën amerikane, u zhvillua në frymë shumë miqësore.
SHBA janë garant i shtetësisë dhe lirisë së Kosovës andaj bashkëpunimi i ngushtë me këtë vend është jetik për të ardhmen tonë.

Kënaqësi e jashtëzakonshme që kryebashkiakun legjendar të Nju Jorkut gjatë periudhës së sulmeve terroriste, ta mirëpresim në Prishtinë, ftesë të cilën pa asnjë hezitim e pranoi.
Në Washington, me ftesë të sekretarit Pompeo po marr pjesë në takimin e ministrave të koalicionit kundër ISIS-it.
“Krijimi i Ushtrisë së Kosovës në koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ngrit ndjeshëm kapacitetet e vendit tonë në ndërtimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt”
Këto ishin fjalët e para nga fjala ime në adresimin para rreth shtatëdhjetë ministrave të jashtëm nga e gjitha bota, që përfaqësonin vendet e tyre në ministerialin e Koalicionit Global kundër ISIS-it, që po i zhvillon punimet në Uashington D.C.
Në fjalën e time para të pranishmëve, tregova hapat konkret, që shteti i Kosovës bashkë me SHBA-në ka ndërmarrë në vazhdimësi në këtë drejtim. Gjatë këtij takimi, pjesëmarrësve nga e gjithë bota i është drejtuar edhe Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo dhe Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Ndërkohë, një shtrëngim duarsh me sekretarin Pompeo pas fotos familjare me ministrat e jashtëm pjesëmarrës ka marrë vëmendjen dhe është publikuar në mediat më të rëndësishme të botës.
Përshkrimi i Fotos: Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, në qendër, shtrëngon duart me Ministrin e Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, me Ministrin e Jashtëm të Irakut, në mes tyre Mohamed Alhakim, pas një foto familjare gjatë takimit të Koalicionit Global për Mposhtjen e ISIS-it, në Departamentin e Shtetit, të mërkurën më 6 shkurt, 2019 në Uashington. (Fotografia: Associated Press/Alex Brandon).

Republika e Kosovës qëndron fuqishëm në krah të SHBA-së në luftën kundër kësaj organizate terroriste e cila i ka shkaktuar dëme edhe vendit tonë.
Miqësia e përhershme me SHBA-në ka qenë dhe mbetet bekim për Republikën e Kosovës. Rrugëtimi i Kosovës në botë është i mundur vetëm me SHBA-në.
Kosova gëzon status të privilegjuar kudo ku në krah ka shtetin më të fuqishëm në botë. Mirënjohje sekretar Pompeo për çdo gjë që bëni për Kosovën dhe popullin e saj.
Gjatë drekës në Departamentin Amerikan të Shtetit, kisha nderin të takohem dhe të bashkëbisedoj me fituesen e çmimit nobel për paqe Nadia Murad.
Nadia është mbajtur peng nga ISIS dhe është dhunuar seksualisht. Bashkëbiseduam për fatin e njejtë të mbi 20 mijë grave të Kosovës të cilat u dhunuan nga forcat serbe në Kosovë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Michael R. Pompeo, i dhuroi Nadias një certifikatë mirënjohjeje në emër të Koalicionit Global për të mposhtur ISIS-in për guximin dhe përpjekjet e saj të palodhura për ta mbajtur ISIS-in përgjegjës dhe për të marrë drejtësi në emër të komunitetit Yazidi në Departamentin e SHBA-së.
Nadia më premtoi se do të vizitojë Kosovën me ftesë të qeverisë tonë, për të senzibilizuar botën për fatin e femrave të Kosovës që vazhdojnë të vuajnë edhe sot e kësaj dite.
Në Washington takova ministrin e jashtëm të Kolumbisë Carlos Holmes Trujillo, i cili zyrtarisht më informoi për lajmin e mirë se Presidenti i Kolumbisë ka nominuar ambasador jorezident në Republikën e Kosovës.
Kosova vazhdon konsolidimin e vet ndërkombëtar duke vendosur marëdhënie me secilin shtet të botës.

Kolumbia është vend jashtëzakonisht i fuqishëm në Amerikën e Jugut andaj edhe Republika e Kosovës shumê shpejt do të ketë ambasadën e vet atje, që do të mbulojë shumë vende të kontinentit latin.

Gjithmonë kënaqësi të takoj mikun e madh të Kosovës dhe timin, Kryesuesin e Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, kongresistin Eliot Engel, si dhe të konfirmojmë miqësinë e përhershme në mes Kosovës dhe SHBA-së.
Kosova ka dalë fitimtare gjithmonë kur ka qenë bashkë me SHBA-në. Prandaj do ta ruajmë dhe do ta çmojmë përherë këtë miqësi.

Lutjet e Mëngjesit ishin mundësi e shkëlqyer për të takuar zyrtarë të lartë amerikanë dhe liderë të shteteve të ndryshme nga tërë bota, për t’i njoftuar ata me të arriturat e Kosovës dhe me përpjekjet për të vendosur paqe të qëndrueshme në tërë rajonin tonë.
Ishte inkurajuese të konfirmohej që të gjithë në Uashington flasin me një zë për Kosovën, pa marrë parasysh për cilin institucion apo tabor politik bëhet fjalë.
Jemi të bekuar që kemi mbështetjen e SHBA-së për zhvillimin e vendit tonë dhe ndajmë së bashku të njëjtat vlera e synime.












