Prishtinë, 13 maj 2019 –
Një efektive e Forcave të Armatosura ka humbur jetën dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur nga shpërthimi i disa municioneve, gjatë kryerjes së detyrave luftarake, në misionin e NATO-s në Letoni.
Nga shpërthimi ka humbur jetën nëntetare Zarife Hasanaj, ndërkohë që të plagosur kanë mbetur komandanti i kontingjentit, major Klodian Tanushi dhe rreshter Julian Kapaj.
Kontingjenti shqiptar që shërben në grup-batalionin e NATO-s në Letoni, ka detyrë asgjësimin e municioneve dhe lëndëve eksplozive.
Menjëherë pas ngjarjes së rëndë, u drejtova në Ambasadën e Shqipërisë në Prishtinë, ku shpreha dhimbjen për humbjen e nëntetare Hasanajt dhe shpreha ngushëllimet për familjen e saj.
Gjithashtu urova shërim të shpejtë edhe për dy ushtarakët e tjerë të plagosur.

“Dhimbje e madhe për humbjen e dëshmores së Forcave të Armatosura, nëntetare Zarife Hasanaj. Në këtë moment të vështirë jemi pranë familjes së vajzës dhe do të vazhdojmë t’i gjendemi pranë, për të përballuar bashkë humbjen e madhe. Respekt dhe mirënjohje pafund për Zarifen, për sakrificën, guximin dhe vendosmërinë në përballjen me rrezikun gjatë përmbushjes së detyrave të saj. Djemve të plagosur, major Klodian Tanushi dhe rreshter Julian Kapaj, u uroj shërim të shpejtë dhe kthim shëndoshë e mirë pranë familjes sonë të Forcave të Armatosura.”
