Gjatë aktiviteteve lobuese në Afrikë, u prita në takim nga Ministri i punëve të Jashtme të Ghanës, Mohamet Mumini

Accra, 22 qershor 2011

Z. Behgjet Pacolli u prit nga autoritetet më të larta shtetërore të Ghanës, në Accra, si ish President dhe në cilësinë e zv.Kryeministrit të parë të Republikës së Kosovës.

Në kuadër të angazhimeve lobuese, që po zhvillon për herë të dytë brenda një kohe të shkurtër në Afrikë, zv.Kryeministri, z. Pacolli, ka takuar Ministrin e Punëve të jashtme të Republikës së Ghanës, z. Lahi Muhamet Mumini dhe shefin e Kabinetit të Presidentit të këtij vendi, z. Michael Wilson.

Zv.Kryeministri, z. Behgjet Pacolli duke falënderuar autoritetet përfaqësuese te Gahnës për gatishmërinë dhe respektin e treguar ndaj përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës, ka theksuar se roli i Ghanës në Samitin e Unionit Afrikan është i veçantë dhe shumë i rëndësishëm për Kosovën.

Ky Samit do të mbahet në Kryeqytetin e Guineas Equatoriale, në Malabo, nga 28-30 të këtij muaji, prandaj zv.Kryeminsitri i Kosovës, z. Behgjet Pacolli, kërkoj nga Ministri, z. Muhamet Mumini që të shfrytëzoj këtë rast për të diskutuar lidhur me Kosovën dhe për nevojën që ka vendi ynë për njohje të reja nga vendet Afrikane.

Z. Pacolli po ashtu informoj Ministrin e Jashtëm të Ghanës për zhvillimet demokratike në Kosovë, duke theksuar se Republika e Pavarur e Kosovës ka bërë hapa të rëndësishëm drejt konsolidimit demokratik të institucioneve shtetërore të saj.

Zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Kosovës, z. Behgjet Pacolli ka kërkuar po ashtu nga Ministri i Punëve të Jashtme i Ghanës, z. Muhamet Mumini të shqyrtoj mundësitë për të bashkëpunuar me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Ugandës në mënyrë që bashkërisht të prezantojnë gjatë Samitit të Unionit Afrikan, si pikë të veçantë për diskutim, çështjen e unifikimit të qëndrimit të vendeve Afrikane, për njohjen sa më të shpejtë të Pavarësisë së Kosovës.

Ministri i Punëve të Jashtme të Ghanës, z. Lahi Muhamet Mumini, ka vlerësuar lartë angazhimin e autoriteteve përfaqësuese të vendit tonë për shtimin e numrit të njohjeve për shtetin e pavarur të Kosovës dhe ka premtuar se do të bashkërendis veprimet me Ministrin e Punëve të Jashtme të Ugandës, z. Sam Kutesa për të shqyrtuar me seriozitet, gjatë këtij Samiti të Unionit Afrikan, mundësinë e njohjes së Pavarësisë së Kosovës nga këto vende.