Ish presidenti Pacolli zgjidhet kryetar i Lëvizjes për Hapësirë Mbarëkombëtare të Zhvillimit

Forumi i organizuar në Tiranë nga dy universitetet, ai Europian i Tiranës dhe Fama në Prishtinë, nën patronatin e ish Presidentit të Kosovës, zotit Behgjet Pacolli u mbyll me shpalljen e Lëvizjes për Hapësirën Mbarëkombëtare të Zhvillimit, thënë ndryshe Nisma Pacolli. Bashkangjitur keni Kartën e Parimeve të kësaj lëvizjeje, propozuar nga zoti Pacolli.

Lëvizja në fjalë do të ketë Bordin e tij të Besimit të përbërë nga tre ish Presidentët, Alfred Moisiu, Rexhep Meidani, Behgjet Pacolli, intelektuali i shquar Arben Xhaferri, dy autoritetet akademike, Profesor Faik Brestovci, dhe Dr. Teuta Dobi. Ky Bord zgjodhi në krye të vet, zotin Behgjet Pacolli, zgjedhje që u duartrokit nga të pranishmit.

Duke falënderuar për besimin zoti Pacolli tha se “ideja që unë shpalla në Parlamentin e SHqipërisë, për krijimin e një hapësire mbarëkombëtare të Zhvillimit, njëlloj bashkimi kombëtar që nis nga ekonomia,” ide e duartrokitur nga intelektualët më të shquar të hapësirës shqiptare ku dua të veçoj Akademik Rexhep Qosen, u jetësua në mënyrën më të shkëlqyer nga ky Forum”.

Ai vlerësoi referimet akademike që rrokën një spektër të gjerë, nga bujqësia, tek tregu i përbashkët energjetik, bashkëpunimi akademik, ai diplomatik, etj. Zoti Pacolli tha se tash fillon një periudhë pune aktive.

“Në vjeshtë ju presim në Prishtinë, ku do të realizohet një konferencë për bashkëpunimin arsimor dhe do të vijojmë me ide të reja për bashkëpunimin, si reprizë e Forumit të Tiranës”.