Kam pritur në takim ministrin e punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Panariti

Prishtinë, 26 korrik 2012

Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, z.Behgjet Pacolli ka pritur në një takim ministrin e punëve të jashtme të Shqipërisë, z.Edmond Panariti.

Gjatë këtij takimi, zëvendëskryeministri Pacolli ka informuar ministrin Panariti me proceset politike nëpër të cilat është duke kaluar Kosova, me theks të veqantë procesin e përmbylljes së pavarësisë së mbikqyrur.

’’Kosova është duke shënuar progres në konsolidimin si shtet’’, ka thënë Pacolli. Gjithashtu, Pacolli ka informnuar ministrin Panariti edhe për arsyet e vendimit të ministrisë së Tregtisë për taksën prej 35 përqind për importin e çimentos. Zoti Pacolli ka thënë se një vendim i tillë nuk është drejtuar në asnjë mënyrë kundër askujt, e veqanërisht nuk është drejtuar kundër eksportit të Shqipërisë. 

“Masat e ndërmarra për çimenton nuk janë të drejtuara kundër eksportit të Shqipërisë, por janë masa që janë ndërmarrë për mbrojtjen e tregut nga monopoli që ishte në krijim e sipër si rezultat i qmimeve `dumping`. Ky vendim ka mbrojtur punën e mëse 500 punëtorëve, dhe i ka sjellë buxhetit të Kosovës të hyra të konsiderueshme. Jana masa mbrojtëse që janë ndërmarrë për të mbrojtur prodhuesin vendor, dhe për të stimuluar investimet“ ka thënë Pacolli.

Në këtë drejtim, Pacolli ka vlerësuar lartë sjelljen e shtetit shqiptar, i cili ka respektuar qëllimet e mira të këtij vendimi.

Në këtë kontekst, Pacolli ka ripërsëritur qëndrimin e tij, që tregjet shqiptare të integrohen në mënyrë që në të ardhmen të evitohen rreziqe të cilat aktualisht sfidojnë ekonomitë e të dyja vendeve.

“Rasti i Cimentos tregon sesa te domosdoshme jane takimet bilaterale periodike, ku te diskutohet per ceshtje te tilla. Ka ardhur koha e nje konference te madhe kombetare, per te sinkronizuar politikat ekonomike, tregetare, kah hapesira e perbashket ekonomike“, ka theksuar Pacolli.

Pacolli ka shprehur falenderimin e tij për qeverinë dhe shtetin shqiptar, për angazhimin e vazhdueshëm në përkrahjen e shtetit të Kosovës, për të marrë njohje të reja. Pacolli ka kërkuar nga ministri Panariti, që të ketë koordinim edhe në të ardhmen, veqanërisht në prag të sesionit vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Panariti: Pacolli figurë e respektuar te të gjithë shqiptarët

Në anën tjetër, ministri i punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Panariti, ka thënë se MPJ e Shqipërisë dhe gjithë Qeveria shqiptare janë në mbështetje të parezervë të proceseve politike nëpër të cilat është duke kaluar Kosova. Ministri Panariti, ka thënë se shteti shqiptar, do të vazhdojë fuqishëm të mbështesë ushtrimin e sovranitetit të Kosovës në të gjitha pjesët e territorit.

Gjithashtu, Panariti ka thënë se Republika e Shqipërisë, do të vazhdojë të luajë rolin e vet në lobimin për njohjet e reja për shtetin e Kosovës.

Në këtë kontekst, Panariti ka vlerësuar punën e zëvendëskryeministrit Pacolli, veqanërisht në thyerjen e “akullit“ tek vendet afrikane.

Ministri Panariti ka thënë se zëvendëskryeministri i Kosovës, z.Behgjet Pacolli është figurë e respektuar tek të gjithë shqiptarët.