Gjatë qëndrimit në New York takova edhe përfaqësuesen e Singaporit në OKB

Nju Jork, 22 shtator 2012

Në kuadër të angazhimeve shtetërore për lobim për shtimin e njohjeve të reja për Republikën e Kosovës, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, i shoqëruar nga konsullja e nderit e Kosovës në Tajlandë, Mom Luang Rajadarasri, ka takuar konsullen e Singaporit në Nju-Jork, Yuin-Lyn NG.

Gjatë këtij takimi, zëvendëskryeministri Pacolli informoi konsullen Lyn me zhvillimet aktuale politike në Kosovë, dhe proceset nëpër të cilat po kalon vendi ynë, veçanërisht në dhjetëvjeçarin e fundit të pasluftës.

“Ne sapo kemi përmbyllur procesin e pavarësisë së mbikëqyrur, që nënkupton që në përpikëri kemi respektuar zotimet para faktorit ndërkombëtar. Kemi respektuar plotësisht pakon e të të dërguarit të OKB-së, Marti Ahtisari, dhe i kemi treguar botës demokratike, se Kosova është e përkushtuar seriozisht të avancojë përpara”, ka thënë Pacolli.

Nga ana tjetër, konsullja Lyn është shprehur se shteti që përfaqëson ajo, ka përcjellë në vazhdimësi zhvillimet politike rreth Kosovës. Ajo ka shtuar se Singapori do të studiojë në mënyrë të detajizuar vendimin rreth njohjes së Kosovës.