E premte, 28 shtator, 2012, Nju Jork – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga Zëvendës Kryeministri Pacolli kanë takuar Zëvendës Presidentin e Burundit, Therence Sinunguruza, i cili ishte i shoqëruar nga Ministri i Jashtëm i Burundit, me të cilët kanë biseduar për shumë çështje.
Gjatë takimit, Kryeministri Thaçi njoftoi Zëvendës Presidentin Sinunguruza në lidhje me zhvillimet e fundit në Republikën e Kosovës duke përfshirë reformat politike, ekonomike, si dhe veçanërisht me procesin e suksesshëm të përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë.
Kryeministri gjithashtu theksoi se Republika e Kosovës ka marrëdhënie të shkëlqyera me të gjitha vendet fqinje, përveç Serbisë, me të cilin shtet Kosova është e përkushtuar ti normalizojë raportet për të jetuar në një fqinjësi të mirë si dy shtete sovrane dhe të pavarura.
Sipas kryeministrit Thaçi – “Republika e Kosovës ka për qëllim dhe vizion integrimin në BE, NATO, si dhe gjithashtu edhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, prandaj është e përkushtuar që të punojë dhe të ndërmarrë të gjithë hapat e duhur që të përmbush këtë vizion” theksoi Kryeministri Thaçi.
Kryeministri Thaçi kërkoi nga Zëvendës Presidenti njohjen e shpejtë të Republikës së Kosovës nga shteti i Burundit, si hap të nevojshëm për fillimin e ndërtimit të raporteve diplomatike ndërmjet dy vendeve. Ndërsa Zëvendës Presidenti Sinunguruza së bashku me Ministrin e Jashtëm të Burudnit ftuan Zëvendës Kryeministrin Pacolli në një vizitë zyrtare në Burundi ku do të diskutohej për ndërtimin e marrëdhënieve bilaterale në mes të dy shteteve.
