Aktivitet i ngjeshur diplomatik në Etiopi

Në ditën e dytë të qëndrimit në Adis Abeba të Etiopisë, zëvendëskryeministri i Kosovës, z.Behgjet Pacolli ka zhvilluar një sërë takimesh, në kuadër të samitit të Unionit Afrikan.

Pas takimit me komisioneren e lartë të këtij Unioni, z.Dlamini Zuma, zëvendëskryeministri Pacolli ka takuar presidentin e Guinesë Ekuatoriale Teodor Obiang, presidentin e Ruandës, z.Paul Kagame dhe presidentin e Afrikës së Jugut z.Jakob Zuma.

Gjatë takimeve të ndara, zëvendëskryeministri Pacolli ka njoftuar udhëheqësit afrikan për proceset politike pas arritjes së marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si akt me të cilin shteti serb de fakto dhe de jure, ka pranuar shtetin e Kosovës. Zoti Pacolli ka shprehur nevojën e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike me vendet afrikane, ndërsa ka kërkuar njohjen formale të pavarësisë nga këto vende.

Në margjina të këtij samiti, zëvendëskryeministri Pacolli ka takuar edhe presidentin e Ganës, John Dramani Mahama, i cili në vazhdimësi ka përkrahur procesin e shtimit të njohjeve për Republikën e Kosovës.

Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli është duke marrë pjesë në samitin e Unionit Afrikan në Etiopi, ku janë duke marrë pjesë krerët më të lartë të 54 shteteve të kontinentit të Afrikës.