Bruksel, 30 qershor 2018 –
Përkundër përpjekjeve të ashpra të Serbisë dhe Rusisë për ta penguar pjesëmarrjen, Republika e Kosovës ka marrë pjesë në sesionin e 132-të të Këshillit të Organizatës Botërore të Doganave – OBD-së, e cila mbahet në Bruksel me pjesëmarrje nga 182 shtete anëtare.
Ky ishte sesioni i 4-të i OBD-së, në të cilin Kosova po merr pjesë si anëtare, që nga janari i vitit 2017.
Në kuadër të këtij sesioni është ri-zgjedhur Sekretar i Përgjithshëm i OBD-së, Kunio Mikuriya; është diskutuar rishikimi i Konventës së Kyotos; ndërtimi i kapaciteteve; programeve për lehtësim të tregtisë që do t’i ofrohen shteteve anëtare dhe çështje të tjera të rëndësishme në fushëveprimin doganor.
“Gjatë punimeve të sesionit, Republika e Kosovës ka ushtruar të drejtat e saj sikurse të gjitha vendet e tjera anëtare, duke marrë fjalën, ushtruar të drejtën e votës dhe duke u konfirmuar nga Këshilli buxheti për kontributet financiare të Kosovës”
Ndërkaq, mediat serbe të dëshpruara gjatë gjithë ditës kanë raportuar se “është penguar anëtarësimi i Kosovës në OBD”.
Por e vërteta është krejt ndryshe pasi që fotografitë nga ambientet ku po mbahet sesioni në Bruksel, ku paraqitet flamuri i Kosovës, tregon dështimin e Serbisë dhe Rusisë për të penguar pjesëmarrjen e Kosovës.


