Prishtinë 3 shtator 2011
Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, z.Behgjet Pacolli, priti sot Presidentin e Republikës së Hondurasit, zotëri Porfirio Lobo Sosa, i cili në krye të një delegacioni po qëndron për vizitë zyrtare dyditore në Republikën e Kosovës. Në pritje ishin edhe zëvendëskryeministri dhe ministër i Drejtësisë, z. Hajredin Kuçi dhe zëvendëskryeministrja dhe ministër i Tregtisë dhe Industrisë, Znj. Mimoza Kusari-Lila.
Duke i dëshiruar mirëseardhje presidentit të Hondurasit, zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka falënderuar presidentin Sosa dhe e ka vlerësuar kontributin e tij për Kosovën sidomos për aktin e njohjes së Kosovës nga ky shtet mik.
”z. Soza, ju jeni një mik i madh i Kosovës. Ju jeni të angazhuar në procesin e njohjeve në rajonin tuaj dhe këtë e tregon prania në delegacionin tuaj e kreut të partisë kryesore të Salvadorit që fitoi zgjedhjet e fundit, e një zyrtari të lartë të Guatemalës dhe Nikaraguas”, tha zoti Pacolli në fillim të takimit dypalësh.
Presidenti i Hondurasit e vlerësoi shumë pritjen e ngrohtë që i ishte rezervuar dhe përsëriti angazhimin e tij për të punuar për Kosovën. “kam mbetur i prekur nga fotot e të zhdukurve të vendosura në muret e institucioneve tuaja. Kjo është një dramë që ne e kemi të përbashkët”, tha zoti Soza.
Z. Porfirio Lobo Sosa shprehu gatishmërinë për të zhvilluar marrëdhëniet me Kosovën në fushën e energjetikës,të infrastrukturës, si dhe premtoi angazhimin për njohje të reja të shtetit të Kosovës.
