Takime me shefat e zyrave diplomatike të akredituar në Prishtinë

Prishtinë, 21 nëntor 2017 –

Ditën e fillova duke pritur në takim Shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë, Konstantina Athanassiadou. Shefes së Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë, i konfirmova se e vlerësojmë mbështetjen që Athina ka dhënë dhe po jep në ndërtimin e perspektives euroatlantike të Kosovës.

I rikonfirmova se dy vendet trajtojnë reciprokisht relacionet me respekt dhe përkushtim të madh. Në takim u diskutua edhe për projektet e reja bilaterale ndërmjet dy vendeve, sidomos në organizimin e konferencave të përbashkëta ekonomike.

Prishtinë, 21 nëntor 2017 – Takim me Shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë, Konstantina Athanassiadou.

Takimi i radhës që zhvillova gjatë ditës ishte me të ngarkuarin me Punë të Arabisë Saudite në Tiranë, që mbulon shtetin tonë, Fayez Almeyat.

Vlerësim për qeverinë e re, gatishmëri për mbështetje të gjithanshme dhe të palëkundur ndaj Kosovës, pranova nga Almeyat.

Vlerësova si shumë të rëndësishme ndihmën saudite në gjithë fushat, duke filluar me njohjen e hershme, që përcaktoi një fluks tjetër njohjesh të Kosovës prej vendeve të tjera arabe dhe islamike. Arabia Saudite do të shtojë numrin e studentëve kosovarë në degë të tjera si mjekësia, inxhinieria, etj, veç degëve teologjike.

Prishtinë, 21 nëntor 2017 – Takim me Shefin e misionit të Ambasadës së Arabisë Saudite, Fayez Almeyat.

Kërkova, që të firmosen marrëveshje të reja bashkëpunimi, të vendoset reciprociteti në lëvizjen e lirë të qytetarëve të të dyja vendeve dhe angazhimin e shtuar të Arabisë Saudite si vend mik për shtimin e njohjeve tek vendet që ajo ka ndikim.

Takimi me Shefin e Zyrës sllovake në Prishtinë, Lubomir Batar

Ngritja e nivelit të përfaqësimit diplomatik në mes Kosovës dhe Sllovakisë dhe rritja e bashkëpunimit ekonomik dhe Odave Ekonomike nga të dyja vendet respektive ishin disa nga çështjet që diskutova me shefin e Zyrës së Sllovakisë në Kosovë, Lubomir Batar.

Prishtinë, 21 nëntor 2017 – Takimi me Shefin e Zyrës sllovake në Prishtinë, Lubomir Batar.

Me Batar kemi ndarë të njëjtin mendim se marrëdhëniet midis dy vendeve  janë shumë të mira, duke vlerësuar se megjithëkëtë ende ka hapësirë për intensifikimin e bashkëpunimit intensiv ekonomik dhe shfrytëzimin e mundësive të reja që ofrojnë tregjet në këto dy vende.

TAKIM ME AMBASADORIN JOREZIDENT TË JAPONISË NË KOSOVË, KIYOSHI KOINUMA

Ambasadorin Koinuma e njoftova me ecurinë e themelimit të Parkut të Biznesit Japonez, i cili do t’i ofrojë bizneseve japoneze kushte të favorshme për investime në Kosovë.

Në kuadrin e thellimit të bashkëpunimit ekonomik, Ambasadori Koinuma më njoftoi për iniciativën e Kryeministrit japonez, z.Shinzo Abe, për mbështetjen e zhvillimit ekonomik të Ballkanit Perëndimor, dhe në këtë kuadër Ambasada japoneze në Vjenë do të organizojë forumin ekonomik për promovimin e investimeve në Kosovë në fillim të muajit tetor.

Prishtinë, 21 nëntor 2017 – Takim me Ambasadorin jorezident të Japonisë në Kosovë, Kiyoshi Koinuma.

U diskutua edhe tema e dialogut me Serbinë, për të cilën Japonia është e interesuar që të mbarojë sa më parë, dhe njëherit përkrahë fuqishëm anëtarësimin e Republikës së Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar.