Abu Dhabi, 7 janar 2018
Vizitova Emiratet e Bashkuara Arabe. U prita nga ministri i Jashtëm dhe i Bashkëpunimit Ndërkombëtar i Emirateve të Bashkuara Arabe, Lartmadhëria e Tij, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan.
Në kuadër të këtij takimi, ndër të tjera, u pajtuam për hapjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës, e cila ndodhi pak kohë më vonë.
E falënderova për përkrahjen e vazhdueshme, që ata kanë bërë dhe po e bëjnë për Kosovën, jo vetëm në njohje, por edhe duke e përkrahur fuqishëm anëtarësimin e saj në Organizatat Ndërkombëtare.

Në funksion të kësaj, diskutuam edhe mbi sinkronizmin e punëve të përbashkëta për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, ku samiti i radhës i kësaj Organizate do të mbahet në Abu Dhabi.
Mora premtimin për shtimin e angazhimit të tij edhe personal në çështjet, që ndërlidhen me forcimin e subjektivitetit dhe integrimit të mëtutjeshëm ndërkombëtarë të Kosovës.

Hapja e Ambasadës së Republikës së Kosovës në EBA, ishte temë tjetër diskutimi në aspektin politik dy-palësh dhe u dakorduam, që Ministria e Jashtme e Kosovës t’i fillojë procedurat e hapjes së Ambasadës së Kosovës në Abu Dhabi që nga java e ardhshme.
Në lidhje me çështjet e intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik në mes dy vendeve, i bëra thirrje investitorëve potencial nga EBA për të investuar në Kosovë, gjë e cila është mirëpritur dhe vlerësuar nga bashkëbiseduesi.

NË KONFERENCËN, “THE NEW NEXUS – DIPLOMACY, SECURITY AND DIGITAL NATION STATE”
Isha një ndër folësit kryesor për sfidat e ndërtimit të shtetit dhe nderlikimet/vështirësitë në diplomaci, në kuader të konferencës “The New Nexus – Diplomacy, Security and Digital Nation State” që u mbajt në Abu Dhabi.
Po ashtu gjatë ditës pata edhe një takim shumë miqësor me Sheikh Nahyan bin Mubarak Al Nahyan, Ministër i Shtetit për Tolerancë, me të cilin biseduam për shumë qështje dhe për paqën dhe tolerancën ndernjerëzore.




