Kukës, 16 prill 2018 –
Me të vërtetë provova emocion ndërsa Kukësi, kryeqyteti botëror i mikpritjes dhe bujarisë, në vitin 1999, vit i eksodit kosovar, më nderoi me 2 titujt “Qytetar Nderi i Kukësit” dhe “Nder i Qarkut”.
U ndjeva i vlersuar pse kryebashkiaku Bashkim Shehu dhe kryetari i Qarkut, përmendën ndihmën financiare që Kompania e drejtuar prej meje MABETEX, i ka dhënë Luftës apo kampeve të të ikurve në Shqipëri dhe Mal të Zi.
Kurrë nuk i kam përmendur këto punë të mira dhe këto ishin pjesë e motivacionit. Po ashtu u vlersua vizioni im për heqjen e kufijve mes shqiptarëve nëpërmjet vizionit zhvillimor ekonomik.

U përsërita bashkëqytetarëve të mi të rinj se do punoj pa u ndalur për jetsimin e ideve, projekteve ndërshqiptare ku Kukësi ka rëndësi themelore me pozitën strategjike, bukuritë natyrore, etj.
Dy titujt mu dhuruan në cilësin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Kosovës.
E gjithë ceremonia ishte organizuar në frymën vëllazrore, ku të pranishëm ishin kryetari i bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu, autoritete vendore nga Kosova dhe Shqipëria, deputetë, qytetarë etj,.

Kryetari i Bashkisë Kukës, Bashkim Shehu duke më dorëzuar titujt e lartë theksoi se “vepra juaj në shërbim të kombit shqiptar, në të dy anët e kufirit ka shumë lidhje me Kukësin, ka shumë lidhje me 16 prillin, ditën kur dhjetëra mijëra bashkëpatriotë tanë të Kosovës, u vendosën këtu”.
“Kompania juaj e ka ndihmuar Luftën e Shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me shuma të mëdha financiare. Në atë Luftë ka marrë pjesë vëllai juaj Selimi, në Zonën e Gollakut, dhe ju keni shumë viktima në mesin e familjarëve tuaj”

Falënderova për nderimin e lartë, dhe u shpreha se:
“Kukësi është Kryeqyteti i Mikpritjes Botërore, Kukësi është Nobeli i humanizmit global; Kukësi e shpëtoi Kosovën në 1999. Nëse kosovarët nuk do kishin qëndruar këtu, do ishin shpërndarë nëpër botë. Dhe jo të gjithë, do ktheheshin nga larg për t’i shërbyer Kosovës së Re. Ndaj për mua është krenari që prej sot jam një kuksian, që prej sot jam njeri si ju”.
Falënderova edhe qytetarët kuksianë dhe anëtarët e Këshillit bashkiak dhe të Këshillit të Qarkut për titujt iu kërkova që të kapërcejnë ndarjet partiake për t’i shërbyer më mirë këtij populli të mrekullueshëm.

“Ju keni të drejtë që përmendni Vizionin si cilësi e domosdoshme për të shikuar lart dhe larg. Edhe kur kufijtë mes nesh ishin të pakapërcyeshëm, unë gjithmonë e kam parë këtë zonë si pjesë e pandarë e Gjakovës, Prizrenit, e Kosovës. Aq më shumë në kohën e lirisë që u parapri nga sakrifica, gjaku, vepra e madhe e humanizmit tuaj që e pa bota mbarë, unë sot e shoh si pol kombëtar zhvillimi qarkun e Kukësit, Hasin, Tropojën, të lidhur me komunat në anën tjetër”

U mobilizova dhe dërgova ndihma në kampet e Kukësit ku qëndronin bashkëvendasit e mi, i kam vuajtur shumë ato skena
Nga Behgjet Pacolli
15 vjetori i eksodit të bashkatdhetarëve tanë që ikën nga vatrat e tyre stërgjyshore nga tmerret e luftës dhe të ndjekur nga njësitë ushtarake serbe, do të përkujtohet çdo vit në Kukës. Është shumë mirë të mos harrojmë këtë krim të madh të konsumuar në mes të Europës në fundin e shekullit të 20- si genocid dhe spastrim etnik të shqiptarëve!
Ky përkujtim ngjan i qëlluar sot, kur për shkak të njëlloj apatie që ne kemi treguar për të dokumentuar krimet e serbëve, po ndërron statusi i viktimës me atë të kriminelit! Dik Marti dhe Karla del Ponte, kanë arritur njëfarë suksesi me ngritjen e Tribunalit të Posaçëm, vendim që do diskutohet javën që vjen.
I kam vuajtur shumë skemat e atyre krimeve megjithëse kam qenë jashtë Kosovës. Shumë familjarë të mi janë vrarë, shtëpi të tyre janë granatuar apo djegur. U mobilizova për të çuar ndihma së bashku me aktiviste të mëdha humanitare europiane në kampet e Kukësit ku qëndronin bashkëvendasit e mi, gra, pleq, fëmijë. Kam punuar për të sensibilizuar diplomacinë ndërkombëtare, kam marrë pjesë në shumë emisione të rëndësishme të mediave europiane për ta treguar tragjedinë e popullit tim.

Kukësi u bë monument i bujarisë njerëzore universale dhe mbarë bota kishte sytë tek Kukësi.
Kukësi dhe Shqipëria penguan realizimin e planit të Milosheviqit, që duke nxjerrë afro gjysmën e popullsisë jashtë, mendonte se ata nuk do ktheheshin më. Bashkëvendasit tanë që ishin afër vatrave të tyre, u kthyen menjëherë pas mbarimit të luftës dhe kjo ishte një fitore e madhe strategjike e kombit shqiptar.
Mirënjohje të përjetshme për këtë vepër të madhe!


