Sunion, 11 maj 2018 –
Dje mbërrita në Sunion, një vend të bukur në Greqi, prej Emirateve të Bashkuara Arabe, ku hapëm dje ambasadën tonë.
Kosova po e zgjeron praninë e saj ndërkombëtare dhe po flet me zërin e saj si e barabartë në familjen e shteteve.
Me ftesë të ministrit grek Kotzias po marr pjesë në Ministerialin e vendeve të procesit të Vishegradit dhe të Ballkanit Perëndimor në qytetin grek Sunion. Jam i lumtur që e hapa serinë e takimeve këtu në Greqi, me ministrin e jashtëm polak Jacek Kaputoviç.
Ai do vizitojë shumë shpejt Prishtinën dhe unë Varshavën që me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike të zhvillojmë akoma dhe më shumë marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve.
Polonia është një nga shtetet më të fuqishme të Bashkimit Europian i cili ka interes të veçantë për Ballkanin dhe posaçërisht Kosovën, ndaj kolegu im polak gjendet në Greqi.

Mos e harroni Kosovën. Kosova është krijesë e Bashkimit Europian dhe ne jemi pjesë natyrale e Europës. Baballarët që udhëtonin me hekurudhë përgjatë Europës 50 vjet më parë e kanë të vështirë t’i shpjegojnë fëmijëve të tyre sot pse ata nuk mund të udhëtojnë- i thashë homologëve nga Bashkimi Europian mbledhur në Greqi.
Më tej thashë se një vend i krijuar nga Bashkimi Europian, me një legjislacion tërësisht sipas normave europiane, rrezikon të harrohet megjithatë, si tregon izolimi i qytetarëve të Kosovës për shkak të mungesës së liberalizimit të vizave.”
Dhe shtova një metaforë që e përjetoj herë pas herë: “për ta ilustruar rëndësinë tonë, po i referohem shembullit të fëmijëve tanë që shpesh nuk e ndërtojnë dot objektin e tyre në lojën Lego, sepse harrojnë ndonjë element të vogël… Pa ne, Europa nuk është e plotë, nuk është e qëndrueshme…. Po nëse fëmijët mund t’i këshilloj të përkujdesen për të gjithë pjesët e lojës së tyre, si përfaqësues i një vendi të vogël, e kam të vështirë t’ju këshilloj juve, përfaqësuesve të shteteve të mëdhenj. …Megjithatë ju sugjeroj: sa herë që shikoni fëmijët që luajnë këtë lojë, kujtohuni për Kosovën”.

Takim me homologun grek Niko Kotzias
Gjatë qëndrimit tim në Sunion të Greqisë për ministerialin e disa vendeve të Europës qendrore dhe Ballkanit Perëndimor, kalova shumë kohë me nikoqirin tim, Niko Kotzias.
U dakorduam që shumë shpejt Zyra e Kosovës të çelet në Athinë. Shpreha keqardhjen që në një aktivitet kaq të rëndësishëm ku kishte disa zëvendëskryeministra dhe ministra të jashtëm si ai i Çekisë, Polonisë, Kroacisë, Greqisë, Hungarisë, Bosnjës, Maqedonisë, etj, Serbia nuk ishte e pranishme, me gjasë shkaku i pranisë sime dhe Kosovës si e barabartë.
Ministri Kotzias na bëri mua dhe kolegëve për një pjesë të kohës ciceronin në një vizitë që bëmë në Tempullin e Poseidonit, një dëshmi impozante e qytetërimit të Greqisë së Lashtë.

Pas takimit me homologun grek Kotzias, vazhdova me takime tjera të frytshme, si ai që pata me zëvendëskryeministrin çek, homologun tim, njëherësh ministër i jashtëm Martin Stropincky, në margjinat e ministerialit në Sunion të Greqisë.
Shtetet janë si njerëzit shpesh, duhet të takohemi që ta zhvillojmë miqësinë, të prodhojmë rezultate për ekonomitë tona, për qytetarët tanë.
Prej një kohe të gjatë nuk kemi patur takime në nivel zëvendëskryeministrash. Ramë dakord të forcojmë bashkëpunimin në baza dypalëshe dhe shumëpalëshe.
E ftova zëvendskryeministrin Stropincky të vizitojë Kosovën, ftesë që u pranua me kënaqësi.
Ministri Kotzias na bëri mua dhe kolegëve për një pjesë të kohës ciceronin në një vizitë që bëmë në Tempullin e Poseidonit, një dëshmi impozante e qytetërimit të Greqisë së Lashtë.



Edhe në takimin e radhës potencova se Kosova do të hapë dyer të reja dhe do të mbajë të hapura dyert e miqësisë me të gjithë vendet e botës, posaçërisht me ato europiane, apo anëtare të Bashkimit Europian.
Takim konkret dhe rezultativ me Sekretarin slovak të shtetit Ivan Korçok. Slovakia do t’i përmbahet linjës së Bashkimit Europian me Kosovën dhe është gati të mirëpresë zyrën e Kosovës në Bratislavë.
Do të forcojmë marrëdhëniet dhe më shumë në të gjithë planet.

