Letër e hapur Presidentit të Serbisë

Prishtinë, 27 shkurt 2019

I nderuar President i Serbisë, z.Vuçiq

Si udhëheqës i politikës së jashtme dhe diplomacisë së Republikës së Kosovës, po ju drejtohem me këtë letër vullnetmire. Jam thellësisht i bindur, që thellë-thellë, edhe nëse nuk i afirmoni publikisht, ju do t’i mirëkuptoni, si frymën ashtu edhe mesazhet konstruktive të kësaj letre të hapur. Askush nuk mundë të pretendojë se ju nuk e njihni fare mirë historinë politike të disa vendeve në rajon. Është temë tjetër se si i qaseni ju asaj aktualisht.

Institucionet e Republikës së Kosovës, janë vendosmërisht të përkushtuara, që t’i zbatojnë dhe afirmojnë të drejtat qytetare dhe kushtetuese të komunitetit serb në Kosovë. Kjo vlen kudo që jeton ky komunitet, në jug, lindje, veri apo perëndim të Republikës së Kosovës.

Përpos për serbët, ne veprojmë kështu edhe për të gjitha komunitetet që jetojnë në shtetin tonë të ri. Ndryshe nuk ka se si të jetë. Kosova renditet tek kombet dhe shtetet që u ngritën dhe që qëndrojnë mbi themelet e lirisë.

I nderuar z.President,

Sot ishim dëshmitar të një takimi mes Jush dhe disa serbëve të Republikës së kosovës. Jemi të tronditur me faktin, që në vend se ky takim të ishte rutinor, mos të them konstruktiv e paqedashës, Ju pohoni se këtij takimi do t’i referoheni në komunikime e biseda të nivelit të lartë ndërkombëtar, madje edhe ne Kinë. Nuk e kuptojmë logjikën e “mureve kineze” mes dy vendeve tona, e cila  është edhe në kundërshtim me çasjen evropiane e cila po investon në konektivitet në këto hapesira.

Serbia, dhe ju si President i saj, nuk do të duhej të synonit, t’i ktheni serbët e Republikës së Kosovës në murin ndarës, ku përplasen mospajtimet tona ndër-shtetërore. Ju jeni në dijeni, se për dallim prej Serbise, Republika e Kosovës e ka paraparë me Kushtetutë që bashkëpunimi ndër-shtetëror mes të dyja vendeve tona të mund të lehtësohet edhe përmes komunikimit serb.Ju po ashtu e dini, që kjo nuk mund të ndodhë në dëm të karakterit Sovran dhe unitar të Republikës së Kosovës.

Askush mbi faqe të dheut nuk mundë të mohojë faktin që serbët e Republikës së Kosovës  jetojnë  në një ambient të sigurtë dhe sipas një rendi juridik e institucional, ku të drejtat dhe mundësitë në dobi dhe favor  të tyre, flasin asimetrikisht. Mohimi i fakteve nga ana juaj paraqet mëkat, përderisa t’u kërkohet serbëve t’i refuzojnë ato, përbëjnë mëkat e vuajtje bashkë. Është koha që Serbia t’i lejoje serbët të bëjnë jetën e tyre të lirë nga ndërhyrjet e saj.

Nuk mund të mos ua them, që mesazhet me të cilat i drejtoheni serbëve në vizitë në Serbi, dhe përmes tyre bashkëqytetarëve serb në Republikësn e Kosovës, ndonëse të projektuara të targetojnë rrugëtimin ndërkombëtar të vendit tonë, ngarkojnë negativisht dhe dëmtojnë vetëm komunitetin serb, asgjë më shumë. Kosova dhe shtetësia e saj, si Brenda ashtu edhe ndërkombëtarisht, nuk dëmtohen nga mesazhe të tilla përqarëse.

President i nderuar,

Politika e instrumentalizmit të qytetarëve serbë, nga Serbia  zyrtare, në funksion të shfrytëzimit të tyre të vahdueshëm në procesin e dialogut  për Marrëvëshjen gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese për të dy shtetet, ndërkombëtarisht e afirmuar si paqësore, nuk mund të jetë as premtuese as e qëndrueshme.

Politika dhe qasja instrumentalizuese si kjo në lidhje me takimin që keni zhvilluar sot, përpos që prodhon kundërefekte në teren, ajo po ashtu po deformon profilin paqedashës të cilin ju po provoni ta ndërtoni e ta plasoni me zell, kudo në komunitetin ndërkombëtar.

Jam i bindur qe pajtoheni me mua nëse ju them, se ju nuk mund të shiheni njëkohësisht si njeri paqësor  në SHBA dhe Evropë, ndërsa si planprishës e paqeprishës në rajon.Është paradoksale, për të mos thënë cinike, që ju të derdhni lotë krokodili në forume të nivelit të lartë evropiane, në lidhje me përkushtimin tuaj për arritjen e Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse, përderisa në anën tjetër në Serbi plasoni mesazhe tensioni dhe pasigurie për qytetarët serbë që  jetojnë në Republikën e Kosovës. Ky ështe pozicionimi më i keq i mundshëm, jo vetëm në raport me serbët e Republikës së Kosovës, por edhe në raport me procesin e dialogut për Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse.

I nderuar z.Vuçiq,

Më lejoni të ofroj një përmbyllje ekspeditive të kësaj letre të hapur, sepse sikur në këto mesazhe, ne do të fokusohemi të jemi ekspeditiv në secilin proces.

Qytetarët e Republikës së Kosovës janë përballur me vuajtje e sakrifica, deri në atë nivel, për të cilin deri më sot, asnjë përfaqësues i lartë i Serbisë nuk ka gjetur kurajon që ta pranojë, e të mos flasim për pranimin e përgjegjësisë shtetërore të vendit tuaj, të cilën ju e fshihni pas narracioneve jo të vërteta për të kaluarën dhe të tashmen e shtetit të Kosovës  dhe shteteve tjera në Ballkan. Qindra masakra, dhjetra mijëra të vrarë dhe dhjetëra mijëra gra të dhunuara pranë fëmijëve dhe familjarëve të tyre.

Nuk mund të mos ua them, që Marrëveshja Gjithëpërfshirëse është një stad kthese drejt një paqeje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, e ku nënkuptohet një process ku ju dhe vendi juaj, e pranoni përgjegjësinë, jepni llogari për krimet e kryera, dhe aktivisht përfshiheni në ndërtimin e një kapitulli të ri të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe popujve tanë.

Ndryshe nga pohimet tuaja fiktive, ne kemi ndërtuar një Ushtri paqësore e multietnike, FSK-në e cila mishëron vlerat e NATO-s, dhe e cila do të rrugëtojë bashkë me të.Duke qenë e kufizuar me vende anëtare të kësaj organizate, dhe me Kosovën e cila do të jetë anëtare e saj në të ardhsmen, Serbia do të kufizohet me paqe dhe stabilitet.

Secili vëzhgues rasti i zhvillimeve në rajon, e lëre më një President sikurse jeni ju, është në dijeni  që për Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse mes dy shteteve tona, nuk ka alternativë.

Serbia ka pasur shumë liderë të cilët e kanë ditur që historia i ka rezervuar Kosovës atributet e shtetësisë, ndërkombëtarisht, por asnjeri nga ta nuk ka pasur kurajon që këtë ta pranojë publiksht këtë fakt. Rrjedhimisht  Marrëveshja Gjithëpërfshirëse do të ndodhë, sepse ikja nga ajo nuka ka alternativë.

Uroj që ju të shiheni si Presidenti i Parëi Serbisë, i cili merr guximin të përballet  me të vërtetën, njohjen e Republikës së Kosovës, dhe që nuk ikën nga kjo e vërtetë me takime të improvizuara sikurse ky i fundit mes jush dhe disa serbëve të Kosovës në vizitë tek ju në Beograd. Kontriboni paqës zoteri President i Serbisë!