Vatikan, 16 dhjeor 2019 –
Sot Ati i Shenjtë Papa Françesku, më priti bashkë me bashkëshorten time Mashen, në një audiencë në Vatikan. Vizita ime dhe gruas time Masha erdhi në vegjiljen e festës së ditelindjës së tij, i cili mbushte 83 vjeç.
Thellësisht i impresionuar nga humanizmi që ai përcillte dhe vëmendja për zhvillimet në Kosovë. E inkurajoi po ashtu shoqën time, Mashën, që të vijonte punën me gratë e keqtrajtuara të luftës.
“Më shkruaj për çdo zhvillim dhe qofsh e bekuar për këtë që po bën!”- i tha Papa shoqës sime.
Papa Françesku është shumë njerëzor e fort social. Ai bënte pyetje për Kosovën, rininë e fëmijët, arsimin e punën, historinë e kulturën, vlerat dhe të ardhmen. Flet për paqen me dashuri, për popujt me dhembshuri.

Interesohet në një mënyrë të angazhuar, dëgjon me një durim që të përvetëson. Ishte nder dhe privilegj të përfaqësoja shtetin dhe popullin tonë, tek Papa Françesku.
Gjatë diskutimeve të përzemërta, ne evokuam marrëdhëniet e mira tradicionale dhe kontributin e Selisë së Shenjtë në Kosovë gjatë historisë sonë të trazuar dhe përballë sfidave të tanishme socio-ekonomike.

Unë shpreha në emër të popullit të Kosovës vlerësimin për mbështetjen e Papa Françeskut ndaj Kosovës. Ne diskutuam për rëndësinë e vazhdimit të angazhimit tradicional midis Kosovës dhe Selisë së Shenjtë.
Papa Françesku shprehu afërsinë e tij me tërë popullatën e Kosovës dhe lutjet e tij për paqe tolerancë dhe harmoni multietnike dhe fetare ndërmjet popujve.
Ne jemi të bekuar me miqtë tanë dhe jemi shumë të nderuar për vëmendjen që Papa Françesku i jep Kosovës dhe qytetarëve tanë.



