Presidenti Pacolli u takua me ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, Islam Lauka

Prishtinë, 28 shkurt 2011 –

Në një takim të gjatë dhe të përzemërt, Ambasadori Lauka përgëzoi Presidentin Pacolli për zgjedhjen në detyrën e re, si dhe i përcolli urimet e udhëheqësve më të lartë shtetërorë të Republikës së Shqipërisë.

Ambasadori Lauka përsëriti edhe një herë gatishmërinë e Shqipërisë për t’i ndihmuar Kosovës në proceset për konsolidimin e demokracisë, në proceset integruese euroatlantike, si dhe konfirmoi qëndrimin e institucioneve të vendit që përfaqëson për vazhdimin dhe zgjerimin edhe më tej të marrëdhënieve të shkëlqyera që dy vendet tona kanë në të gjitha fushat.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli u takua me ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në vendin tonë, Islam Lauka.

Ai gjithashtu tha se Shqipëria dëshiron që Kosova të jetë një shtet i fortë dhe stabil, në të mirë të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe stabilitetit në rajon në përgjithësi.

z.Lauka vlerësoi si një të arritur shumë të madhe krijimin e institucioneve të reja të Republikës së Kosovës, të cilat i presin një varg sfidash në të ardhmen.

Presidenti Behgjet Pacolli theksoi në takim se qëllimi ynë i përbashkët është që të jemi sa më unikë në bashkëpunimin në të gjitha fushat dhe në rrugëtimin e përbashkët drejt shtëpisë së madhe evropiane.

Ai gjithashtu shprehu falënderimet e tij për Shqipërinë, për përkrahjen e vazhdueshme që i ka dhënë dhe po i jep popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.

Presidenti Pacolli dhe ambasadori Lauka diskutuan edhe përpjekjet e përbashkëta për sigurimin e një numri sa më të madh të njohjeve të shtetit të Kosovës, për shkëmbimin e vizitave bilaterale në nivel më të lartë, krijimin e lehtësive dhe shtimin e intensitetit në bashkëpunimin ekonomik dhe një varg çështjesh me interes për të dy vendet.