Florida – 6 nëntor 2024 –

Mbrëmja në Mar-a-Lago në Florida ishte një spektakël i vërtetë, i mbushur me një entuziazëm të papërshkrueshëm, kur presidenti i sapozgjedhur Donald Trump festonte fitoren e tij madhështore për një mandat të ri. Ai tani do të jetë presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me një diferencë të madhe e ka lënë prapa kandidaten e demokratëve, Kamala Harris.
Si i ftuar në këtë ngjarje historike, më përshkoi një ndjenjë krenarie dhe privilegji – të isha pjesë e një mbrëmjeje që kremtonte jo vetëm suksesin politik të një miku të madh të shqiptarëve, por edhe të Shteteve të Bashkuara si shteti më i fuqishëm dhe me ndikim në botë.

Takimi me Trump ishte i ngrohtë dhe miqësor, dhe biseda jonë mbajti gjallë temën e bashkëpunimit të palëkundur dhe ndihmës që ai u ka ofruar shqiptarëve.
Atmosfera ishte magjike, e mbushur me personalitete të njohura nga fusha të ndryshme. Ndërsa shëtisja nëpër ambientet elegante të resortit, ndesha disa nga figurat më të shquara të botës – ndër ta Robert F. Kennedy dhe Elon Musk, personalitete që kanë dhënë kontributin e tyre për të formësuar botën që njohim sot.

Në mesin e një mjedisi festiv ku diskutoheshin tema nga teknologjia deri te çështjet globale të sigurisë dhe ekonomisë, ndjeva se po ndaja hapësirë me njerëz që ndajnë një vizion për botën – për një të ardhme të ndërtuar mbi vlera të forta dhe inovacion.

Kjo mbrëmje në Mar-a-Lago ishte një moment i rrallë ku lidhjet përforcoheshin, dhe mendjet e shkëlqyera shkëmbenin ide në mes të këtij entuziazmi të papërmbajtshëm.
