Tiranë, 9 maj 2025 – Universiteti Europian i Tiranës ka nderuar ish-Presidentin e Republikës së Shqipërisë (2002–2007), z. Alfred Moisiu, me titullin e lartë akademik “Doctor Honoris Causa”, duke e bërë atë personalitetin e 19-të që merr këtë vlerësim nga UET.
Ky titull i rëndësishëm, i propozuar nga pedagogët dhe i miratuar nga Senati Akademik i universitetit, i është dhënë z. Moisiu në vlerësim të rolit të tij të pazëvendësueshëm si faktor uniteti kombëtar, për lidershipin e urtë dhe të paanshëm në kohë krizash, si dhe për vizionin në ndërtimin e institucioneve demokratike, forcimin e lidhjeve ndërkombëtare dhe përkushtimin ndaj paqes, stabilitetit dhe reformave që kanë integruar Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.
Moisiu është i treti president dhe një ndër politikanët më të spikatur shqiptarë që nderohet me këtë titull nga UET, pas ish-kryeministrit Fatos Nano dhe ish-presidentëve Behgjet Pacolli dhe Hashim Thaçi.


Behgjet Pacolli: “Ky burrë 95-vjeçar e meriton respektin dhe dashurinë tonë të përjetshme”
Në ceremoninë solemne të zhvilluar në Tiranë, mori pjesë edhe ish-Presidenti i Kosovës, z. Behgjet Pacolli, i cili është gjithashtu personaliteti i parë i nderuar nga UET me këtë titull. Në fjalën e tij përshëndetëse, Pacolli shprehu mirënjohjen dhe respektin e tij të thellë për presidentin Moisiu:
“Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë të jem sot këtu në këtë ceremoni ku nderohet një nga figurat më të shquara të historisë moderne shqiptare. Presidenti Moisiu ka qenë një udhëheqës që i ka shërbyer vendit me përulësi, urtësi dhe vizion.”

Pacolli kujtoi me emocion edhe një episod të veçantë nga jeta e tij:
“Para 20 vitesh isha në një mision për lirimin e tre pengjeve në Afganistan – një grua nga Kosova, një nga Irlanda dhe një diplomat nga Filipinet. Pas kthimit, askush nga politika shqiptare apo kosovare nuk më falënderoi, përveç presidentit Alfred Moisiu. Ai më ftoi përmes mikut tim Vilson Ahmeti dhe më tha: ‘Dua të të takoj’. Ajo pasdite me të ishte komforti më i mirë që dikush mund të më jepte.”
Ai gjithashtu theksoi përkushtimin e presidentit Moisiu ndaj të burgosurve politikë në Hagë dhe energjinë e tij të pashtershme për çështjet kombëtare, duke e përmbyllur fjalimin me një urim të ngrohtë:
“Sot ky burrë i rrallë i ka mbushur 95 vite. I uroj nga zemra edhe 95 të tjera! President, ju e meritoni respektin dhe dashurinë e popullit shqiptar – për atë që jeni dhe për gjithçka që keni përfaqësuar.”

Universiteti Evropian i Tiranës (UET), i kishte akorduar titullin e nderit “Doctor Honoris Causa”, ish -Presidentit Pacolli në vitin 2011. Në ceremoni ishin të pranishëm Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, ish-presidentët Alfred Moisiu e Rexhep Meidani, ministra të Qeverisë së Shqipërisë e të Qeverisë së Kosovës, profesorë, studentë e mysafirë të tjerë të shumtë.

Universiteti Europian i Tiranës vazhdon të jetë një nga institucionet më prestigjioze akademike në rajon, duke nderuar personalitete të shquara që kanë kontribuar në forcimin e vlerave demokratike, paqes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Fjalimi i plot i ish-presidentit, Behgjet Pacolli në këtë ceremoni:
Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë që të jem sot këtu me ju në këtë ceremoni të rëndësishëm ku Universiteti Europian i Tiranës i akordon titullin e lartë “Doctor Honoris Causa” një prej personaliteteve më të shquara të historisë moderne shqiptare. Kështu dua ta quaj dhe besoj se ju jeni dakord mua.
Ky është një moment shprehjeje respekti dhe mirënjohjeje për një figurë që i ka shërbyer vendit me përulësi, urtësi dhe vizion. Roli i presidentit Moisiu, si një faktor uniteti kombëtar, ka qenë vendimtar në momentet kyçe, të fatit të kombit tonë dhe fatit të Shqipërisë.
Ai ka dëshmuar se udhëheqja nuk është thjesht ushtrim pushteti por një akt i lartë i përgjegjësisë, që kërkon maturi, mençuri dhe besim të palëkundur në vlerat demokratike. Nën drejtimin e tij u hodhën themelet e një kulture të re politike, më të urtë, më përfshirëse, më të baraspeshuar, dhe më të përkushtuar për atë çka ushtron. Përkushtimi i presidentit Moisiu ndaj paqes, reformave të integrimit euroatlantik, respektit ndaj të tjerëve, ka qenë gjithmonë frymëzues për mua, besoj edhe për rininë dhe për çdokënd që ka dashur vendin dhe kombin.
Z. president, nuk mund të mos e cek një moment, kur para 20 viteve isha në Afganistan për tre javë në një mision për lirimin e pengjeve. Aty ishte një zonjë nga zonjë nga Kosova, një nga Irlanda dhe një diplomat i Filipineve. Shkova për t’i liruar. Shkova në mal pa sëpatë, si i themi ne, pa ditur asgjë, por me vullnetin e madh për të vepruar dhe me guximin që pata ia dola t’i liroj.
Kur u ktheva, askush nuk erdhi të më falënderonte, përpos njerëzve normalë. Ishte presidenti Moisiu, i cili përmes mikut tim Vilson Ahmeti, ish-kryeministër i Shqipërisë, më ftoi dhe më tha: “Dua të të takoj”. Erdha këtu dhe pata një pasdite mjaft të bukur me presidentin Moisiu. Ky ishte komforti më i mirë që dikush mund të bënte për mua. Asnjë shqiptar në lidershipin politik, nuk gjeti kurajon ose forcën, që të thotë: “Faleminderit burrë, ke bërë diçka të mirë”.
Për mua në atë kohë, pas atyre vuajtjeve, komforti ishte gjëja më e rëndësishme. Unë mora telefonatë edhe nga presidentja e Filipineve, edhe nga ish-kryeministri i Irlandës. U falënderuan, edhe me letra, madje edhe me një çmim shumë të lartë që e mora në Filipine.
Nga Kosova dhe Shqipëria nuk ishte askush përveç presidentit Moisiu. Faleminderit shumë z. President. Sinqerisht, i jam shumë mirënjohjes dhe falënderues presidentit të këtij tempulli të dijes dhe gjithë stafit akademik, të cilët kanë vendosur që këtë titull të rëndësishëm t’ia përkushtojnë këtij njeriu. Është jashtëzakonisht i merituar.
Unë kam pasur rastin të udhëtoj me presidentin më gjatë, deri në Hagë, dhe tërë kohën është përkujdesur që të pyesë se si është puna me ata të burgosur, që po i quaj të burgosur politikë. Nuk hezitoi tërë kohën që të mos i lëshojë nga mendja.
Kjo energji e mban presidentin Moisiu. Sot ky burrë i ka rrumbullakosur 95 vite dhe dua që të rrumbullakosë edhe 95 të tjera. Shumë suksese president! U priftë e mbara gjithmonë dhe dijeni se këta njerëz këtu jua duan shumë. Jua duan për atë që jeni, për atë që përfaqësoni dhe ju e meritoni atë dashuri.
