Author: Liridon Llapashtica

  • Nikoqir i kryetarit të Asamblesë së Madhe të Turqisë, Cemil Çiçek

    Nikoqir i kryetarit të Asamblesë së Madhe të Turqisë, Cemil Çiçek

    Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, z.Behgjet Pacolli ka pritur në një takim kryetarin e Asamblesë së Madhe të Turqisë, z.Cemil Çiçek.

    Gjatë kësij takimi, zëvendëskryeministri Pacolli ka shprehur falenderimet e Qeverisë dhe popullit të Kosovës për rolin thelbësor që Turqia është duke luajtur në konsolidimin e shtetit tonë.

    Gjithashtu, zëvendëskryeministri Pacolli ka bërë thirrje edhe për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik, duke inkuruajuar ardhjen e sa më shumë investitorëve nga Turqia në Kosovë.

    “Ne jemi mirënjohës për kontributin që keni dhënë për njohjet e Kosovës. Gjithashtu e vlerësojmë lartë interesimin e investitorëve turq për të investuar në Kosovë, dhe ne duhet të thellojmë edhe tutje këtë bashkëpunim. Kosova është vend i cili është shumë i përshtatshëm për investime dhe ne jemi të gatshëm për të përmirësuar edhe më tej kushtet”, ka thënë Pacolli.

    Zëvendëskryeministri Pacolli gjithashtu njoftoi kryetarin Çiçek  për përkushtimin dhe gatishmërinë e institucioneve dhe spektrit politik kosovar për normalizimin e marëdhënieve me Serbinë, si alternativë e vetme që të dy vendet të ecin përpara në proceset integruese.

    Në anën tjetër, kryetari Çiçek ka ripërsëritur qëndrimin e shtetit të tij, për të vazhduar bashkëpunimin dhe ndihmën për shtetin dhe popullin e Kosovës.

  • Prita në takim kryetarin e Senatit të Mbretërisë së Holandës, Fred de Graaf

    Prita në takim kryetarin e Senatit të Mbretërisë së Holandës, Fred de Graaf

    Zëvendëskryeministri i Kosovës z. Behgjet Pacolli ka pritur në një takim kryetarin e Senatit të Mbretërisë së Holandës z.Fred de Graaf.

    Gjatë këtij takimi, zëvendëskryeministri Pacolli njoftoi z.De Graaf me proceset politike që po kalon Kosova, veqanërisht me procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

    z. Pacolli i transmetoi z. Graaf qëndrimin e Qeverisë së Kosovës se ky dialog për normalizimin e marëdhënieve është shumë i nevojshëm dhe është në funksion të proceseve integruese të të gjithë rajonit në BE.

    z. Pacolli gjithashtu njoftoi zyrtarët e lartë holandez me procesin e reformave ekonomike të cilat duhet të ndodhin tani pas vendimit për riformatimin e Qeverisë.

    Në këtë kontekst, zëvendëskryeministri Pacolli kërkoi nga zoti De Graaf mbështetje dhe bashkëpunim veqanërisht në fushën ekonomike.

  • 5 vjet pas shpalljes së pavarësisë

    5 vjet pas shpalljes së pavarësisë

    nga Behgjet Pacolli – 

    100 vjet më parë, Konferenca e Ambasadorëve të fuqive të mëdha në Londër vendosi copëtimin e Shqipërisë. 5 vjet më parë, Kosova shpalli pavarësinë. Nuk janë lajme krejt pa lidhje me njeri tjetrin. Ka një tjetër konferencë të madhe ndërkombëtare, ajo e Parisit 1919, e cila konfirmoi vendimet e 1913. Duke ju referuar kësaj konference ku u diskutua gjithashtu për fatet e Shqipërisë dhe të Ballkanit, një nga arkitektët e paqes së sotme në Ballkan, ambasadori i ndjerë Riçard Hollbruk, shkroi diçka që i vendos në një farë lidhjeje këto dy ngjarje. Me fjalë të tjera ai tha se sikur vendimmarrësit e saj të dinin më shumë fakte për Ballkanin, mund të mos kishin ndodhur shumë luftëra dhe s’do ishte derdhur aq gjak.

    Por historia është histori dhe ne politikanët duhet të shohim nga e ardhmja, pa e harruar atë. 5 vjet që nga shpallja i pavarësisë nuk janë vetëm moment festimi. Ato janë një moment shumë i mirë reflektimi për këtë etapë historike kur u vu në vend një padrejtësi e madhe në kurriz të kombit shqiptar që e kishte zanafillën 100 vjet më parë.

    Meritat për pavarësinë

    Në reflektimet e mia për pavarësinë, veçanërisht në librin tim « Nga sfida në sfidë », konsideroj se dy janë protagonistët kryesorë të arritjen e saj :lëvizja paqësore e Presidentit Rugova, dhe vepra heroike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nuk ka në këtë vlerësim kurrfarë përpjekje për të pajtuar të papajtueshmen. Përkundrazi. Fakti që populli shqiptar i Kosovës, administrata shtetërore e tij i konsideron njëlloj protagonistët e tyre, Presidentin Rugova dhe Adem Jasharin, ashtu si dhe datat që lidhen me këto dy Lëvizje të mëdha kombëtare, është tregues se brenda popullit tonë është arritur pajtueshmëri për kontributet gjegjëse të tyre.

    Pse e kam arritur këtë përfundim ? Sepse në gjykimin tim, Lëvizja paqësore e Presidentit Rugova, ishte thelbësore në arritjen e një objektivi : ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Kjo mund të duket një fjalë goje sot, diçka shumë e thjeshtë, por bashkëkohësit e dinë se me sa shumë sakrifica u arrit ky ndërkombëtarizim, ndërsa regjimi i Milosheviqit e quante Kosovën si çështje të brendshme të Serbisë. Presidenti Rugova nuk e përfshiu Kosovën në aventura bashkë me republika të tjera të ish Jugosllavisë, sepse ai interpretonte në mënyrën më të zgjuar qasjen perëndimore ndaj krizës së ish Jugosllavisë. Edhe ngritja e një sistemi paralel vetëqeverisës si ide e tij ishte gjithashtu dëshmi e aftësive të shqiptarëve për të jetuar në mëvetësi. Erdhi një moment kur kjo Lëvizje paqësore nuk mund të çonte në pavarësim, nuk mund të ndalte genocidin, dhe lufta e UÇK-së, e përshpejtoi kohën, e rriti ndërgjegjësimin ndërkombëtar në nevojën e zgjidhjes së shpejtë të çështjes së Kosovës. Kjo luftë solli ndërhyrjen e NATO-s, së udhëhequr nga SHBA-të, pa të cilën s’do të ishim ku jemi. Sakrificat e kësaj ushtrie, të mbarë popullit shqiptar të Kosovës, reagimi ynë si komb ndaj genocidit, ku duhet të përmendim mikpritjen vëllazërore të Shqipërisë, e shpëtuan Kosovën nga zhdukja dhe e vendosën zgjidhjen e çështjes së saj si prioritet absolut ndërkombëtar.

    Mbi të gjitha, qoftë Rugova, qoftë drejtuesit e Ushtrisë çlirimtare të Kosovës nuk ju shmangën një boshti strategjik : aleancës me perëndimin, që me miqësinë me Presidentin Uillson në 1919, pati një provë të fortë. Ishte kjo aleancë që e shpëtoi Kosovën, dhe që mbetet dhe sot garanci për forcimin e saj.

    Proceset pas pavarësimit

    Shpallja e pavarësisë së një shteti është si firmosja e certifikatës së lindjes. Atë duhet ta firmosësh në vendin e duhur që lindja të quhet e vlefshme botërisht.  Prej vlefshmërisë së asaj certifikate vijon rritja, konsolidimi dhe pranimi i një shteti në familjen globale të tyre. Kështu ndodhi në 17 shkurt 2008 sërish me kshillimin e miqve tanë perëndimorë dhe drejtësia e shpalljes së 17 shkurtit u provua me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës. Prej asaj shpalljeje, prej rezolutës së Asamblesë së OKB-së, në 2010, është vënë në lëvizje një proces i pandalshëm i  themelimit, konsolidimit dhe njohjes të shtetësisë së Kosovës. Në planin e brendshëm janë krijuar institucione shtetërore që funksionojnë normalisht ; po krijohet një sistem ekonomik i vetëmjaftueshëm pavarësisht sfidave që mbeten. Në planin ndërkombëtar, Kosova po arrin përkundër obstruksionit serb dhe të ndonjë Fuqie të madhe, të sigurojë njohjen e saj në familjen e shteteve që do të kulmojë me anëtarësimin në OKB. Edhe negociatat që po zhvillohen në Bruksel, gjithmonë në këshillim me sponsorët ndërkombëtarë të pavarësisë sonë, janë njëlloj parathënie e këtij anëtarësimi. Nuk është e rastit që për herë të parë absolutisht, Serbia në gojën e krerëve më të lartë të saj po pranon mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në OKB, megjithëse  ata shpallin publikisht kushtëzime. Pritet të shkrihen institucionet paralele të Serbisë në territorin e pandashëm të Kosovës, dhe kjo nuk është një arritje e vogël në fare kaq pak kohë.  Është pikërisht qasja udhërrëfyese e Rilindasve tanë, e Presidentit Rugova, e udhëheqësisë së Ushtrisë çlirimtare të Kosovës, ruajtja me çdo kusht e aleancës me Perëndimin, ajo që na garantoi këto të arritura.

    Pavarësia pa liri nuk funksionon

    5 vjet pas shpalljes së pavarësisë  në planin e brendshëm Kosova ka sfida të mëdha. Është treguar pjekuri e madhe me ruajtjen e njëmendësisë sonë, nëpërmjet shmangies së çdo konflikti të brendshëm ndëretnik, apo politik. Kjo duket qartë nga fakti se sot brezat e rinj të Kosovës konsiderojnë njëjtë si baballarë të pavarësisë, Ibrahim Rugovën dhe Adem Jasharin. Por këta breza duan jetë në mirëqenie dhe në paqe dhe ne ia kemi borxh atyre.  Ka ardhur koha për një doktrinë të re të lirisë, të funksionimit të saj, sepse vetëm pavarësia pa liri, nuk çon në përparim.

    Kjo doktrinë e re duhet të mbështetet mbi një strategji mbarëkombëtare zhvillimi. Kjo do të thotë se vendi ynë, Kosova duhet të ndërtojë prioritete zhvillimore në pajtim me ato të Shqipërisë, apo të kombit shqiptar kudo që jeton dhe të Bashkimit Europian ku duam të integrohemi. Vërtet Konferenca e Londrës 100 vjet më parë na ndau, por sot kur padrejtësia e saj është restauruar, ne na duhet të mendojmë për mirëqenien dhe përparimin tonë. Brenda modelit të Bashkimit Europian ne duhet të krijojmë realitete ekonomike përplotësuese, hapësirë kulturore, akademike, tregëtare të përbashkët. Ne s’kemi ndërmend të ndryshojmë kufijtë jashtë qasjes perëndimore, SHBA-ve dhe Bashkimit Europian për rajonin. Por askush s’na pengon, madje na inkurajon për të krijuar një Hapësirë ekonomike të përbashkët, që do të funksionojë pse jo mbi bazë institucionale të fortë.

    Një doktrinë e re zhvillimore, kërkon njerëz të rinj. Eksperienca e çlirimit, dhe e këtyre 5 vjetëve ka konsumuar figura të caktuara që i janë referuar qoftë lëvizjes rugoviste, qoftë asaj çlirimtare për t’u provuar në pushtet. Qeverisja është diçka e komplikuar që nuk zhvillohet mbi bazë biografie, por mbi bazë aftësish teknike, të njohjes dhe zbatimit të ligjit, aftësish manaxheriale, etj. Ka ardhur koha që më të mirët e këtyre dy periudhave historike, të asaj të rugovizmit dhe asaj të luftës çlirimtare të thërrasin në skenë, djem dhe vajza të reja të mësuar bukur mirë në perëndim apo dhe brenda Kosovës. Ne duhet të justifikojmë angazhimin perëndimor në favor të pavarësimit të Kosovës duke treguar se Kosova mund të mbijetojë ekonomikisht, brenda suazave të shtetit ligjor, si një hapësirë ku respektohet ligji, luftohet krimi i organizuar. Ne i kemi aftësitë si popull, si komb, që t’ja shpërblejmë perëndimit dhe brezave të rinj, duke ndërtuar një Kosovë të re, të vetëmajftueshme, ku « dielli lind, atje ku perëndon », siç thoshin rilindasit tanë.

  • Vizita ime në shtetin e Cape Verde, kryeministri Neves premton njohje të shpejt të Kosovës

    Vizita ime në shtetin e Cape Verde, kryeministri Neves premton njohje të shpejt të Kosovës

    Në kuadër të angazhimit lobues për shtimin e njohjeve për Republikën e Kosovës, zëvendëskryeministri z.Behgjet Pacolli, ka vizituar shtetin e Cape Verdes.

    Zëvendëskryeministri Pacolli është pritur në një takim nga kryeministri i këtij shteti z. José Maria Neves me të cilin ka diskutuar për fillimin e ndërtimit të marëdhënieve ndërshtetërore ndërmjet dy vendeve.

    Zëvendëskryeministri Pacolli ka njoftuar kryeministrin Neves me progresin demokratik të shënuar në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë me 2008 dhe në veçanti për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, që po zhvillohet me ndërmjetësimin e BE-së.

    Sipas z.Pacolli, fakti që Kosova dhe Serbia janë duke zhvilluar dialog për normalizimin e marëdhënieve, nënkupton pranimin e realitetit të ri dhe fillimin e një faze të re të raporteve ndërfqinjësore në rajonin e ballkanit.

    Në këtë kontekst, z.Pacolli ka kërkuar nga autoritetet e Cape Verdes që të procedojnë me njohjen formale të Republikës së Kosovës.

    Në anën tjetër, kryeministri Neves ka vlerësuar angazhimin e zëvendëskryeministrit të Kosovës dhe ka premtuar se shteti i tij, shumë shpejt do të rreshtohet në radhën e vendeve që kanë njohur shtetin e Kosovës, duke pasuar me  lidhjen e marëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve.

    Zëvendëskryeministri z.Behgjet Pacolli, në këtë vizitë po shoqërohet nga anëtari i komisionit për punë të jashtme i Kuvendit të Kosovës z.Berat Buzhala.

  • Organizova mbrëmje gala për 100 individualitetet shqiptare të suksesshme në botë

    Organizova mbrëmje gala për 100 individualitetet shqiptare të suksesshme në botë

    Të mërkurën në mbrëmje z. Behgjet Pacolli organizoi një Mbrëmje gala, për të prezantuar 100 individualitetet shqiptare të suksesshme në botë, një përzgjedhje e Albanian Excellence.

    Me praninë e një pjese të madhe të tyre, të dy ish presidentëve të Shqipërisë  Alfred Moisiu dhe Rexhep Meidani, ministrit të jashtëm shqiptar Edmond  Panariti, ish kryeministrit Majko, personaliteteve të tjera të shquara të Kosovës nga politika,bota akademike, media, këta individë prezantuan sukseset e tyre dhe idetë e tyre për  të ardhmen e kombit.

    Mes të ardhurve nga e gjithë bota, ishin Altin Kaftira, balerin nga Hollanda, Nevruz Çarkaxhiu, shkrimtar kosovar me banim në Turqi, skulptorët Ilirian Shima dhe Arben Pazaj, kritikja e artit Ella Abazi, skulptori Armand Xhomo, aktori Kasem Hoxha, violinisti me famë botërore Olen Çezari, dekani i shkencave politike të Universitetit të Lirë të Brukselit Ramadan Gjanaj, etj.

    Zonja Flora Nikolla, si Presidente e bordit të Albanian Excellence tha se e zgjodhën zotëri Pacollin për meritat e tij në ndërmarrësi, filantropi, dhe bashkimin tek ai të suksesit me vlerat njerëzore. Zotëri Behgjet Pacolli i zgjedhur për sukseset e tij në jetën profesionale si President nderi i Albanian Excellence, foli për raportin midis suksesit dhe vlerës. “Jo gjithmonë ata që janë të suksesshëm, janë dhe njerëz me vlera. Në jetë, dhe në politikë, i jam referuar gjithmonë një proverbi që e lidh suksesin me vlerën. Ji i lumtur nëse qiriu yt ndriçon më shumë se i tjetrit, por kurrë mos e fik qiriun e tjetrit, që të ndriçojë vetëm qiriu yt” , përfundoi Pacolli.

    Në mbrëmjen Gala, u lexuan disa vlerësime nga personalitete si tenori i njohur Saimir Pirgu, inxhinieri i urave në SHBA, Fation Shkurti, manaxherja e British Telekom dhe Presidentja e gruas mbarëkombëtare në botë, Lida Rragami, për idenë e Lëvizjes për Union Ekonomik Shqiptar.

  • Darka në Paris ku kryeministri i Dominica më konfirmon njohjen e Republikës së Kosovës

    Darka në Paris ku kryeministri i Dominica më konfirmon njohjen e Republikës së Kosovës

    Paris, 8 dhjetor 2012 –

    Dominica është shteti i radhës anëtar i OKB-së që njeh Republikën e Kosovës. 

    Konfirmimi ka ardhur gjatë darkës zyrtare që zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, z.Behgjet Pacolli ka zhvilluar me kryeministrin e këtij shteti z. Roosevelt Skerrit, të premten në Paris, menjëherë pas kthimit nga kontinenti afrikan. 

    Kryeministri Skerrit i cili ishte i shoqëruar nga ambasadori i vendit të tij në OKB, i konfirmoi zëvendëskryeministrit Pacolli se shteti i tij ka vendosur që të njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, ndërsa formalizimi do të bëhet në mbledhjen e radhës të Qeverisë së këtij shteti, javën e ardhshme.

    Nota verbale që konfirmon njohjen nga Republika Dominicas.

    Zëvendëskryeministri Pacolli ka zhvilluar një aktivitet intensiv me vendet e Caricomit që nga viti 2009, e veqanërisht me shtetin e Dominicas, ndërkaq me kryeministrin Roosevelt Skerrit ka pasur disa takime.

    Së fundmi, zëvendëskryeministri Pacolli është takuar me kryeministrin Skerrit në Nju Jork, gjatë organizmit të takimit “South South”, ku z.Pacolli ishte i ftuar nderi në mesin e rreth 100 burrështetasve botërorë, mes të cilëve edhe sekretari gjeneral i OKB-së, z.Ban Ki Mon. 

  • Në kuadër të angazhimeve shtetërore për lobim, sërish në kontinentin e Afrikës

    Në kuadër të angazhimeve shtetërore për lobim, sërish në kontinentin e Afrikës

    Në kuadër të angazhimeve shtetërore për lobim, zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës z.Behgjet Pacolli ka filluar edhe një turne lobimi në kontinentin e Afrikës .

    Në kuadër të këtij turneu, zëvendëskryeministri Pacolli, sipas agjendës do të vizitojë Guinenë Ekuatoriale, Togon, Republikën Demokratike të Kongos dhe Kamerunin.

    Zëvendëskryeministri Pacolli do të takohet me krerët më të lartë shtetëror të këtyre shteteve me qëllim të formalizimit të njohjeve për Republikën e Kosovës.

    Pas disa vizitave të zhvilluara më parë në këto vende, dhe një aktiviteti të ngjeshur diplomatik, zëvendëskryeministri Pacolli prêt rezultate konkrete në shtimin e numrit të njohjeve për shtetin e Kosovës nga kontinenti afrikan.

  • Behgjet Pacolli në mesin e 100 figurave të ndritura shqiptare

    Behgjet Pacolli në mesin e 100 figurave të ndritura shqiptare

    Z.Pacolli u zgjodh gjithashtu edhe President nderi i Albanian Excellence, e cila çdo vit do të marrë përsipër identifikimin e individëve të suksesshëm jashtë vendit dhe do t’i shndërrojë ata në figura publike për opinionin e brendshëm.

    Në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë,  u zhvillua Mbrëmja Gala, me 100 të zgjedhurit e Albanian Excellence, një Organizatë jo qeveritare prestigjoze nga Shqipëria. Këta të zgjedhur ishin që të gjithë individë të shquar shqiptarë në profesione të ndryshme, si menaxherë, juristë, inxhinierë, muzikantë, profesorë, fizikantë, psikologë, etj të cilët janë afirmuar në fushën e tyre në rrafsh ndërkombëtar.

    Pacolli ishte gjithashtu i zgjedhuri i kësaj liste emrash, e cila impresionoi opinionin publik shqiptar me aftësitë dhe shkallën e lartë të integrimit në shoqërinë dhe jetën publike të vendeve ku jetojnë dhe punojnë.

    Pacolli u prezentua nga organizatori si « njeri që flet shumë gjuhë të huaja, qytetar i Kosovës, Zvicrës dhe gjithë botës », « njeri që kudo, në Universitet, në ndërmarrësi, në politikë, ka qenë dhe do të bëhet më i miri ».

    z. Pacolli nga ana e tij e vlerësoi çmimin dhe iu përgjigj pyetjeve të prezantueses. Ai përshkroi ngjarjet që përcaktuan hopet e mëdha cilësore në jetën e vet dhe bëri thirrje për investim të shpirtit në arritje të suksesit. Ai tha « se dikur do të vijë koha e ideve të mira, dhe se shumë ide të mira megjithatë janë duke u jetësuar ».

    Ai tha « se jeta e vet i ngjante shumë jetës që ai bënte dikur në fshat », dhe se « pasuria e tij më e madhe janë miqtë e shumtë ».

    Behgjet Pacolli u zgjodh njëzëri prej Bordit, President Nderi i Albanian Excellence.

  • Republika e Burundit njeh Republikën e Kosovës

    Republika e Burundit njeh Republikën e Kosovës

    Republika e Burundit është shteti i radhës i OKB-së që e njeh Republikën e Kosovës, si shtet të pavarur dhe sovran.

    Nota verbale e njohjes i është dorëzuar zëvendëskryeministrit të Kosovës, z.Behgjet Pacolli nga ministri i punëve të Jashtme të Burundit z. Laurent Kavakure, në kryeqytetin këtij shteti, Bujumbura.

    Nota Verbale që konfirmon njohjen e pavarsisë së Kosovës nga Republika e Burundit.

    Republika e Burundit është shteti i parë i vendeve anëtare të SADC dhe Afrikës lindore që njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës. 

    Njohja nga ky shtet është e rëndësishme edhe për faktin se thehet akulli tek këto vende të cilat kultivojnë marëdhënie të mira me vendet si Rusia, Kina dhe India që kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës. 

    Gjithashtu, në këtë pjesë të Afrikës, edhe lobimi serb është shumë i angazhuar veqanërisht në sferën ekonomike. Në kontekst të kësaj edhe angazhimi i fundit i zëvendëskryeministrit Pacolli në këtë pjesë ka qenë shumë intensiv. 

    Gjatë turneut dy javorësh, z.Pacolli ka vizituar disa herë Zambinë, Burundin, Rwandën, Tanzaninë, Kenyan dhe Sudanin e Jugut.

  • Takimi historik me Presidentin e Sudanit Jugor, Salva Kiir Mayardit

    Takimi historik me Presidentin e Sudanit Jugor, Salva Kiir Mayardit

    Juba, 24 tetor 2012 –

    Në vazhdim të turneut dy javor në kontinentin e Afrikës, ndalova edhe në kryeqytetin e Sudanit Jugor, Juba, i cili është një qytet i rëndësishëm në historinë dhe zhvillimin e vendit.

    Në Juba po më priste në takim presidenti i Sudanit Jugor, Salva Kiir Mayardit. Ky takim shënon një hap të rëndësishëm në diplomacinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës.

    Sudan i Jugut është një vend me histori të pasur dhe me potencial të madh, dhe vizita ime tregonte një shprehje të interesit të Kosovës për të thelluar bashkëpunimin dhe lidhjet ndërmjet dy vendeve.

    Presidenti Salva Kiir Mayardit të cilin po shkoja të takoja është figura kryesore në skenën politike të Sudanit Jugor. Ai ka luajtur një rol kyç në procesin e pavarësisë së Sudanit Jugor dhe në zhvillimin e vendit në periudhën e pasluftës civile. Me një karrierë të gjatë në politikë dhe drejtësi, Presidenti Kiir është një figurë e rëndësishme për të kuptuar kontekstin politik dhe shoqëror të Sudanit Jugor.

    Pasi u takuam dhe shtrënguam duart u ulem për të diskuatuar çka ka ndihmuar në thellimin e lidhjeve ndërmjet dy vendeve dhe ka hapur mundësi për bashkëpunim në fusha të ndryshme të interesit reciprok.

    Presidenti Mayardit ripërsëriti qëndrimin se Sudani i Jugut, është shtet që përkrah të drejtën e qytetarëve të Kosovës, për të ndërtuar dhe konsoliduar shtetin e tyre.

    Ky takim shënon një hap pozitiv dhe është një nga momentet kyçe në diplomacinë e Kosovës dhe një mundësi për të krijuar ura të reja të bashkëpunimit në një kontekst ndërkombëtar.

    Kjo vizitë është një shprehje e vazhdueshme të përpjekjeve të Kosovës për të zgjeruar marrëdhëniet e saj me vende të tjera dhe për të kontribuar në një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe të frytshëm në nivel ndërkombëtar.

    Turni im lobues dyjavorësh, në të cilin kan vizituar disa herë shtete si Kenya, Ruanda, Burundi, Sudani i Jugut, do të vazhdoj edhe në Uganda, ku me ftesë të presidentit, do të marrë pjesë në ceremoninë solemne të shënimit të përvjetorit të pavarësisë së këtij shteti.