Author: Liridon Llapashtica

  • Presidentit i Turqisë Abdullah Gyl uroi Presidentin Behgjet Pacolli

    Presidentit i Turqisë Abdullah Gyl uroi Presidentin Behgjet Pacolli

    Prishtinë, 25 shkurt 2011 –

    Presidenti i Republikës së Turqisë, Abdullah Gyl i dërgoi një mesazh urimi Presidentit të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, me rastin e zgjedhjes së tij në detyrën e re.

    Në mesazh thuhet:“I nderuar President,Në emër të popullit turk dhe në emrin tim personal, Ekselencën e Juaj e përgëzoj përzemërsisht për zgjedhjen në postin e Presidentit të Republikës së Kosovës.Kam bindjen se bashkëpunimi ynë, i cili krahas vëllazërisë dhe miqësisë historike mes vendeve tona, është i rëndësishëm edhe për paqen dhe stabilitetin në Ballkan, me angazhimet tuaja të çmueshme do të zhvillohet edhe më tutje.

    Turqia do të vazhdojë ta mbështesë orientimin euroatlantik të Kosovës, si dhe pavarësinë e saj dhe integritetin territorial, që është më se i nevojshëm për stabilitetin dhe paqen në rajon.

    Në kuadër të përpjekjeve tuaja për t’ia lënë gjeneratave të ardhshme një Kosovë shumetnike, shumëkulturore, demokratike, të fuqishme dhe të prosperuar, dhe e cila bazohet në mbizotërimin e ligjit, populli turk do të vazhdojë të jetë pranë popullit të Kosovës.

    Me këtë rast, i përsëris urimet më të mira për shëndetin dhe lumturinë personale të Shkëlqesisë suaj dhe për prosperitetin dhe mirëqenien e popullit mik dhe vëlla të Kosovës”. Abdullah Gyl, President i Republikës së Turqisë.

  • Presidenti Pacolli takoi ministrin e Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj

    Presidenti Pacolli takoi ministrin e Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj

    Prishtinë, 25 shkurt 2011 –

    Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli zhvilloi sot një takim me ministrin e punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në të cilin u diskutua për angazhimin dhe koordinimin e punës së këtyre dy institucioneve kyçe të politikës së jashtme të vendit, me theks të veçantë në aktivitetin për sigurimin e njohjeve të reja të shtetit tonë.

    Duke folur pas takimit, Presidenti Pacolli theksoi se e inkurajon fakti që kemi një ministër të diplomacisë një njeri, i cili me shumë dinjitet, me shumë profesionalizëm dhe me shumë vullnet do të kryejë funksionin e diplomatit të vërtetë.

    Në takim me ministrin e punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj.

    “Unë mund të them se kemi pasur një bisedë konstruktive, jemi dakorduar për veprimet tona. Kemi shumë punë për të bërë në fushën diplomatike dhe që nga sot kemi biseduar që t’i koordinojmë gjërat dhe së bashku të punojmë dhe t’i sjellim Kosovës sa më tepër njohje, sa më tepër respekt nga miqtë tanë të jashtëm dhe Kosovën ta çojmë me hapa sa më të shpejtë drejt inkuadrimeve globale”, theksoi Presidenti Pacolli.

    Ndërsa ministri Enver Hoxhaj pas takimit theksoi: “Kishim një takim të parë dhe me karakter pune me Presidentin e Kosovës, me z. Pacolli. Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, politika e jashtme udhëhiqet nga presidenti i vendit dhe ne u dakorduam që ta hartojmë një plan të përbashkët të punës, një agjendë dinamike, agresive e cila do t’i sjellë Kosovës sa më shumë njohje, e cila do ta përfaqësojë, prezantojë dhe promovojë shtetin e Kosovës në botë”.

    Së shpejti – shtoi ai –  do të dalim në formë publike me këtë plan të punës dhe ky plan i punës do të jetë plan i punës i Qeverisë së Republikës së Kosovës.“z. Pacolli në të kaluarën ka dhënë një kontribut shumë të madh që Kosovës t’i sigurojë sa më shumë njohje, ka një profil i cili i siguron një prezantim të fuqishëm të shtetit tonë.

    Prandaj, edhe qëllimi i takimit ishte që unë si ministër i punëve të Jashtme me Presidentin të bisedojmë për atë se në çfarë drejtimi të lëvizim gjatë javëve të ardhshme në vijim, dhe sigurisht që më pak do të jemi të pranishëm në Kosovë dhe më shumë do të lëvizim në pjesë të tjera të botës me qëllim që Republika e Kosovës të jetë e pranishme në çdo pjesë të botës”, theksoi ministri Enver Hoxhaj.

  • Presidentit Pacolli vazhdojë t’i mbërrijnë urime për zgjedhjen në detyrën e re

    Presidentit Pacolli vazhdojë t’i mbërrijnë urime për zgjedhjen në detyrën e re

    Prishtinë, 25 shkurt 2011 –

    Presidentit të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli vazhdojnë t’i arrijnë urime pas zgjedhjes së tij në krye të shtetit të Kosovës.

    Ministri për Evropë i Mbretërisë së Bashkuar, David Lidington, në një mesazh urimi shprehet: “E përshëndes formimin e koalicionit të ri Qeveritar në Kosovë dhe zgjedhjen e Presidentit. Ky është një moment i rëndësishëm historik për Kosovën,  pas festimit të tretë të përvjetorit të pavarësisë.

    Mbretëria e Bashkuar mbetet një mbështetës i fuqishëm i integrimeve Euro-Atlantike të Kosovës dhe mbështet plotësisht përcaktimin e Qeverisë së re që t’i zhvillojë më tej lidhjet e Kosovës me Unionin Evropian.

    Me padurim presim të punojmë me Qeverinë në detyrat e rëndësishme që do të vijnë, në veçanti fuqizimin e sundimit të ligjit, ndërtimin e rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe vazhdimin e decentralizimit të shërbimeve për komunitetet vendore.

    Unë gjithashtu e mirëpres angazhimin e fuqishëm të Kosovës në dialogun e ndihmuar nga BE-ja në mes të Prishtinës dhe Beogradit, që do të promovojë bashkëpunim, do të ofrojë hapa praktikë që të përmirësojë jetën e njerëzve dhe të arrijë përparim në rrugën drejt Evropës”.

    Ndërsa, Osnat Lubrani, koordinator i UNDP-së i përcjell urimet në emër të agjencive zhvilluese të Unionit Evropian që veprojnë në Kosovë.

    “Si koordinator Zhvillues i Kombeve të Bashkuara, unë dëshiroj ta ripohoj angazhimin e fortë të agjencive të KB që t’i mbështesim përpjekjet Tuaja dhe të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës në drejtimin e Kosovës në një rrugë që dërgon në stabilitet dhe prosperitet.

    Jemi të vetëdijshëm që së bashku me të arritura të rëndësishme që janë parë në vitet e fundit, ende mbetet punë serioze për t’u bërë për ta avancuar agjendën zhvilluese të Kosovës në përputhje me aspiratat e saj drejt integrimit evropiane. Ne ju urojmë suksese në trajtimin e sfidave që shtrihen përpara, dhe jemi të gatshëm që sipas nevojës ta ndajmë me Ju përvojën dhe ekspertizën tonë. Në partneritet të ngushtë  me qeverinë, shoqërinë civile dhe anëtarët e tjerë të komunitetit ndërkombëtar, ne presim që të bashkëpunojmë me Ju, për mirëqenien e popullit të Kosovës”, thekson në urim Osnat Lubrani.

     
    Presidenti Pacolli ka marrë edhe një varg urimesh të tjera nga drejtues partish e institucionesh të ndryshme, si dhe nga shumë miq të Kosovës e qytetarë të shumtë të vendit.

  • Presidenti Pacolli priti ambasadorin e Republikës së Gjermanisë në Kosovë, Hans Dieter-Steinbah

    Presidenti Pacolli priti ambasadorin e Republikës së Gjermanisë në Kosovë, Hans Dieter-Steinbah

    Prishtinë, 25 shkurt 2011 –

    Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli priti sot në takim ambasadorin e Republikës së Gjermanisë në Kosovë, Hans Dieter-Steinbah, i cili i përcolli z.Pacolli urimet e tij dhe të shtetit gjerman për zgjedhjen në postin e presidentit të vendit.

    Ambasadori Steinbah tha se Gjermania e ka përkrahur në vazhdimësi Republikën e Kosovës, në të gjitha periudhat dhe do të vazhdojë ta përkrahë edhe në vazhdim.

    Ai u fokusua në ndihmën që ka dhënë Gjermania në planin e lobimit për njohjen e shtetit të Kosovës, për anëtarësimin në Bankën Botërore dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe theksoi se Gjermania do të vazhdojë aktivitetin e saj për të siguruar njohje të reja për Kosovën, si dhe për integrimin e saj sa më të shpejtë në institucionet ndërkombëtare.

    Në zyren presidenciale të Republikës së Kosovës, në takim prita ambasadorin e Republikës së Gjermanisë në Kosovë, Hans Dieter-Steinbah.

    Ai gjithashtu theksoi se Kosova dhe Gjermania kanë shumë fusha në të cilat do ta shtrijnë bashkëpunimin e tyre, ndërsa bashkëpunimi në planin ekonomik është një nga më të rëndësishmit, krahas bashkëpunimit dhe përkrahjes që Gjermania do t’i ofrojë Kosovës në fushat e tjera me interes.

    Duke u ndërlidhur tek dialogu i paralajmëruar mes Prishtinës e Beogradit, ambasadori Steinbah theksoi edhe një herë qëndrimin se statusi i Kosovës dhe integriteti i saj territorial nuk do të jenë tema që do të diskutohen, duke përkujtuar se këtë deklaratë e ka bërë edhe ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Westerwelle, gjatë një vizite më herët në Kosovë.

    Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli e ka vlerësuar lart angazhimin e ambasadorit Steinbah dhe bashkëpunimin e tij me institucionet e Republikës së Kosovës. Ai gjithashtu çmoi lart përkrahjen e vazhdueshme të Gjermanisë për Kosovën, duke shtuar se kjo përkrahje ka qenë dhe është me një interes të veçantë për institucionet dhe popullin e Kosovës, i cili ka çka të mësojë shumë nga eksperienca gjermane.

    Presidenti Pacolli vlerësoi angazhimin e Gjermanisë për ndihmë në lobimin për njohje të reja të Republikës së Kosovës, si dhe në rrugën e integrimeve euroatlantike. Njëkohësisht, ai tha se Kosova dhe Gjermania kanë hapësira të mëdha bashkëpunimi, në të gjitha fushat, bashkëpunim ky që duhet të shkojë gjithnjë e më shumë kah intensifikimi dhe zgjerimi i tij. 

  • Presidenti Pacolli priti shefin e EULEX-it, z. Xavier Bout de Marnhac

    Presidenti Pacolli priti shefin e EULEX-it, z. Xavier Bout de Marnhac

    Prishtinë, 25 shkurt 2011 –

    Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli priti sot në takim shefin e EULEX-it, z. Xavier Bout de Marnhac, me të cilin zhvilloi një bisedë të gjatë dhe miqësore. Z.De Marnhac e uroi Presidentin Pacolli për zgjedhjen në detyrën e re dhe i ofroi gjithë bashkëpunimin e misionit që ai drejton.

    Edhe Presidenti Pacolli nga ana e tij çmoi lart rolin dhe punën e EULEX-ut dhe shprehu gatishmërinë e tij dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës për bashkëpunim me këtë mision. Në një konferencë për media, pas takimit, Presidenti Behgjet Pacolli tha se do të vazhdohet me bashkëpunimin që ka qenë dhe në të ardhmen do të intensifikohet edhe më shumë.

    Në konference për media me shefin e EULEX-it, z. Xavier Bout de Marnhac.

    “Kjo ishte vizita e radhës, një vizitë që z. De Marnhac i bëri Presidencës të Kosovës, presidentit të ri të Kosovës. Biseduam për rolin e tij personal dhe rolin e EULEX-it në Kosovë. Konkluduam se bashkëpunimi duhet të jetë intensiv. Problemet janë evidente dhe mund të trajtohen vetëm nëse ato njihen dhe për këtë jemi dakord me z. De Marnhac që të bashkëpunojmë dhe një bashkëpunim që ka qenë do të jetë në të ardhmen edhe më intensiv”, tha Behgjet Pacolli.

    Ndërsa, shefi i EULEX-it, z. Xavier Bout de Marnhac u shpreh: “Kisha kënaqësinë sot të bëjë një vizitë tek Presidenti Pacolli. Kam ardhur këtu t’ju siguroj që EULEX-i është i dedikuar të promovojë sundimin e ligjit në Kosovë dhe që jemi ngushtë të lidhur në fushën e politikës, sidomos t’i mbështesim institucionet e Kosovës  në fushës e sundimit të ligjit”.  

  • Lamberto Zannier uroi Presidentin Behgjet Pacolli

    Lamberto Zannier uroi Presidentin Behgjet Pacolli

    Prishtinë, 24 shkurt 2011 –

    Përfaqësuesi i OKB-së në Kosovë, Lamberto Zannier e uroi Presidentin e ri të Kosovës, Behgjet Pacolli, me rastin e zgjedhjes së tij në këtë detyrë.

    Në urimin e tij, z. Zannier thekson:Shkëlqesia Juaj,Më lejoni t’ju shpreh urimet e mia më të sinqerta me rastin e zgjedhjes Suaj si President i Republikës së Kosovës.

    U ndjeva i kënaqur me zgjedhjen e Juaj, ngase kam bindje të  fortë se si President do të  jepni maksimumin për t’i sjellë komunitetet e ndryshme të Kosovës së  bashku dhe, ashtu siç e keni cekur edhe në  fjalimin përurues, do të  fokusoheni në  bashkëpunimin rajonal, dialog, prosperitet dhe integrimin evropian.

    Respektimi i diversitetit, bashkëpunimi rajonal dhe angazhimi për paqe janë vlerat themelore të  Kombeve të  Bashkuara.Në  emër të  Sekretarit Gjeneral, më  lejoni të  shpreh angazhimin tim për t’ju ndihmuar në  përmbushjen e këtyre qëllimeve.

    Më  lejoni të  përfitoj nga rasti dhe të  përsëris, Shkëlqesi, sigurimet e konsideratës sime më  të  lartë. Lamberto Zannier, Përfaqësuesi i  OKB-së në Kosovë.

  • Presidenti Pacolli prit shefin e Zyrës Diplomatik të Belgjikës në Kosovë, Alan Van Gucht

    Presidenti Pacolli prit shefin e Zyrës Diplomatik të Belgjikës në Kosovë, Alan Van Gucht

    Prishtinë, 24 shkurt 2011 –

    Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli priti sot në një takim shefin e Zyrës Diplomatik të Belgjikës në Kosovë, Alan Van Gucht.

    Z. Gucht fillimisht uroi z.Pacolli për zgjedhjen e tij si president i Republikës së Kosovës, duke i ofruar gjithë bashkëpunimin e tij dhe të shtetit belg.

    Ai theksoi se Belgjika e ka ndihmuar dhe do të vazhdojë ta ndihmojë Republikën e Kosovës në vazhdimësi, duke ofruar përvojat e saj në të gjitha fushat.

    Presidenti Behgjet Pacolli falënderoi z. Gucht për ndihmën e pakursyeshme që vendi i tij ka dhënë në të gjitha periudhat për Republikën e Kosovës dhe theksoi se institucionet e vendit tonë mirëpresin këtë ndihmë, e çmojnë shumë atë dhe janë të përkushtuara për vazhdimin e bashkëpunimit dhe zgjerimin e tij.

    Në takim me shefin e Zyrës Diplomatik të Belgjikës në Kosovë, Alan Van Gucht. Belgjika e ka ndihmuar dhe do të vazhdojë ta ndihmojë Republikën e Kosovës në vazhdimësi, duke ofruar përvojat e saj në të gjitha fushat.
  • Presidenti Behgjet Pacolli u takua me Kryeministrin Hashim Thaçi

    Presidenti Behgjet Pacolli u takua me Kryeministrin Hashim Thaçi

    Prishtinë, 24 shkurt 2011 –

    Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli është takuar sot në kabinetin e tij me kryeministrin e Republikës së Kosovës, z.Hashim Thaçi.

    Në takimin e tyre të parë zyrtar, pas krijimit të institucioneve të reja të vendit, Presidenti Pacolli dhe Kryeministri Thaçi diskutuan për një varg çështjesh të rëndësishme dhe detyrat që i presin institucionet e vendit në të ardhmen.

    Të dy liderët më të lartë institucionalë të vendit u shprehën shumë të përkushtuar për të bashkëpunuar në të gjitha fushat që janë të ndërlidhura me kushtetutë mes këtyre dy institucioneve, në të mirë të interesit të Republikës së Kosovës dhe të të qytetarëve të saj.

  • Presidenti Pacolli pranon ftesën për vizitë zyrtare në Maqedoni

    Presidenti Pacolli pranon ftesën për vizitë zyrtare në Maqedoni

    Prishtinë, 24 shkurt 2011 –

    Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli priti sot në një takim ambasadorin e Republikës së Maqedonisë në vendin tonë, Stojan Karajanov.

    Z.Karajanov e uroi Presidentin Pacolli për zgjedhjen në detyrën e re, duke i dëshiruar sukses në kryerjen e saj.  Ai gjithashtu theksoi bashkëpunimin shumë të mirë mes dy vendeve tona fqinje dhe synimin për zgjerimin e mëtejmë të këtij bashkëpunimi. 

    Ambasadori Karajanov i përcolli Presidentit Pacolli ftesën e Presidentit të Republikës së Maqedonisë, Gjorgji Ivanov për të vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë. Presidenti Pacolli e falënderoi Presidentin Ivanov për ftesën për vizitë, e cila do të realizohet në një të ardhme shumë të afërt. 

    Nga ana e ti, Presidenti Pacolli falënderoi ambasadorin Karajanov për vizitën dhe urimet e tij. Gjithashtu, ai vuri theksin tek marrëdhëniet mes Kosovës e Maqedonisë, të cilat janë shumë të mira dhe të cilat duhet të njohin zgjerim në të gjitha fushat. 

    z.Pacolli përkujtoi me këtë rast qëndrimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për marrëdhënie të mira me të gjitha shtetet fqinje dhe me vendet e rajonit, në të mirë të stabilitetit, zhvillimit, mirëqenies së të gjithë qytetarëve dhe integrimit sa më të shpejtë të tërë rajonit në institucionet euroatlantike.

  • Presidenti Pacolli pranon detyrën nga ish-U.D. i Presidentit, dr. Jakup Krasniqi

    Presidenti Pacolli pranon detyrën nga ish-U.D. i Presidentit, dr. Jakup Krasniqi

    Prishtinë, 24 shkurt 2011 –

    Në kabinetin e Presidentit të Republikës, sot është zhvilluar ceremonia e dorëzim-pranimit të detyrës nga ish-Ushtruesi i Detyrës së Presidentit, dr. Jakup Krasniqi, te Presidenti i zgjedhur i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli.

    Në takim, z.Krasniqi i uroi detyrën dhe sukses në kryerjen e saj Presidentit Pacolli. Ndërsa, z.Pacolli tha se me z.Krasniqi, si kryetar i Kuvendit, do të ketë bashkëpunim të vazhdueshëm, në interes të ndërtimit të një shteti të sinqertë për të gjithë qytetarët e Kosovës. 

    “Sot ishte një fillim shumë i mirë, i mbarë i ditës së punës. Me z.Krasniqi, kryetar i Kuvendit të Kosovës, do të vazhdojmë të bashkëpunojmë në të ardhmen”, u shpreh Presidenti Pacolli, duke folur për media, pas takimit. 

    “Kuvendi i Kosovës, me votat e veta, i ka dhënë besimin z.Pacolli për të qenë President i Kosovës dhe unë jam sot këtu për t’ia uruar detyrën. Pushtetet janë të ndara dhe ne do t’i kryejmë detyrat tamam ashtu siç e jep Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe ligjet me të cilat punojnë dy institucionet”, theksoi ndërkaq kryetari i Kuvendit të Kosovës, z.Jakup Krasniqi.