Author: Liridon Llapashtica

  • Presidenti Pacolli priti shefin e EULEX-it, z. Xavier Bout de Marnhac

    Presidenti Pacolli priti shefin e EULEX-it, z. Xavier Bout de Marnhac

    Prishtinë, 25 shkurt 2011 –

    Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli priti sot në takim shefin e EULEX-it, z. Xavier Bout de Marnhac, me të cilin zhvilloi një bisedë të gjatë dhe miqësore. Z.De Marnhac e uroi Presidentin Pacolli për zgjedhjen në detyrën e re dhe i ofroi gjithë bashkëpunimin e misionit që ai drejton.

    Edhe Presidenti Pacolli nga ana e tij çmoi lart rolin dhe punën e EULEX-ut dhe shprehu gatishmërinë e tij dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës për bashkëpunim me këtë mision. Në një konferencë për media, pas takimit, Presidenti Behgjet Pacolli tha se do të vazhdohet me bashkëpunimin që ka qenë dhe në të ardhmen do të intensifikohet edhe më shumë.

    Në konference për media me shefin e EULEX-it, z. Xavier Bout de Marnhac.

    “Kjo ishte vizita e radhës, një vizitë që z. De Marnhac i bëri Presidencës të Kosovës, presidentit të ri të Kosovës. Biseduam për rolin e tij personal dhe rolin e EULEX-it në Kosovë. Konkluduam se bashkëpunimi duhet të jetë intensiv. Problemet janë evidente dhe mund të trajtohen vetëm nëse ato njihen dhe për këtë jemi dakord me z. De Marnhac që të bashkëpunojmë dhe një bashkëpunim që ka qenë do të jetë në të ardhmen edhe më intensiv”, tha Behgjet Pacolli.

    Ndërsa, shefi i EULEX-it, z. Xavier Bout de Marnhac u shpreh: “Kisha kënaqësinë sot të bëjë një vizitë tek Presidenti Pacolli. Kam ardhur këtu t’ju siguroj që EULEX-i është i dedikuar të promovojë sundimin e ligjit në Kosovë dhe që jemi ngushtë të lidhur në fushën e politikës, sidomos t’i mbështesim institucionet e Kosovës  në fushës e sundimit të ligjit”.  

  • Lamberto Zannier uroi Presidentin Behgjet Pacolli

    Lamberto Zannier uroi Presidentin Behgjet Pacolli

    Prishtinë, 24 shkurt 2011 –

    Përfaqësuesi i OKB-së në Kosovë, Lamberto Zannier e uroi Presidentin e ri të Kosovës, Behgjet Pacolli, me rastin e zgjedhjes së tij në këtë detyrë.

    Në urimin e tij, z. Zannier thekson:Shkëlqesia Juaj,Më lejoni t’ju shpreh urimet e mia më të sinqerta me rastin e zgjedhjes Suaj si President i Republikës së Kosovës.

    U ndjeva i kënaqur me zgjedhjen e Juaj, ngase kam bindje të  fortë se si President do të  jepni maksimumin për t’i sjellë komunitetet e ndryshme të Kosovës së  bashku dhe, ashtu siç e keni cekur edhe në  fjalimin përurues, do të  fokusoheni në  bashkëpunimin rajonal, dialog, prosperitet dhe integrimin evropian.

    Respektimi i diversitetit, bashkëpunimi rajonal dhe angazhimi për paqe janë vlerat themelore të  Kombeve të  Bashkuara.Në  emër të  Sekretarit Gjeneral, më  lejoni të  shpreh angazhimin tim për t’ju ndihmuar në  përmbushjen e këtyre qëllimeve.

    Më  lejoni të  përfitoj nga rasti dhe të  përsëris, Shkëlqesi, sigurimet e konsideratës sime më  të  lartë. Lamberto Zannier, Përfaqësuesi i  OKB-së në Kosovë.

  • Presidenti Pacolli prit shefin e Zyrës Diplomatik të Belgjikës në Kosovë, Alan Van Gucht

    Presidenti Pacolli prit shefin e Zyrës Diplomatik të Belgjikës në Kosovë, Alan Van Gucht

    Prishtinë, 24 shkurt 2011 –

    Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli priti sot në një takim shefin e Zyrës Diplomatik të Belgjikës në Kosovë, Alan Van Gucht.

    Z. Gucht fillimisht uroi z.Pacolli për zgjedhjen e tij si president i Republikës së Kosovës, duke i ofruar gjithë bashkëpunimin e tij dhe të shtetit belg.

    Ai theksoi se Belgjika e ka ndihmuar dhe do të vazhdojë ta ndihmojë Republikën e Kosovës në vazhdimësi, duke ofruar përvojat e saj në të gjitha fushat.

    Presidenti Behgjet Pacolli falënderoi z. Gucht për ndihmën e pakursyeshme që vendi i tij ka dhënë në të gjitha periudhat për Republikën e Kosovës dhe theksoi se institucionet e vendit tonë mirëpresin këtë ndihmë, e çmojnë shumë atë dhe janë të përkushtuara për vazhdimin e bashkëpunimit dhe zgjerimin e tij.

    Në takim me shefin e Zyrës Diplomatik të Belgjikës në Kosovë, Alan Van Gucht. Belgjika e ka ndihmuar dhe do të vazhdojë ta ndihmojë Republikën e Kosovës në vazhdimësi, duke ofruar përvojat e saj në të gjitha fushat.
  • Presidenti Behgjet Pacolli u takua me Kryeministrin Hashim Thaçi

    Presidenti Behgjet Pacolli u takua me Kryeministrin Hashim Thaçi

    Prishtinë, 24 shkurt 2011 –

    Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli është takuar sot në kabinetin e tij me kryeministrin e Republikës së Kosovës, z.Hashim Thaçi.

    Në takimin e tyre të parë zyrtar, pas krijimit të institucioneve të reja të vendit, Presidenti Pacolli dhe Kryeministri Thaçi diskutuan për një varg çështjesh të rëndësishme dhe detyrat që i presin institucionet e vendit në të ardhmen.

    Të dy liderët më të lartë institucionalë të vendit u shprehën shumë të përkushtuar për të bashkëpunuar në të gjitha fushat që janë të ndërlidhura me kushtetutë mes këtyre dy institucioneve, në të mirë të interesit të Republikës së Kosovës dhe të të qytetarëve të saj.

  • Presidenti Pacolli pranon ftesën për vizitë zyrtare në Maqedoni

    Presidenti Pacolli pranon ftesën për vizitë zyrtare në Maqedoni

    Prishtinë, 24 shkurt 2011 –

    Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli priti sot në një takim ambasadorin e Republikës së Maqedonisë në vendin tonë, Stojan Karajanov.

    Z.Karajanov e uroi Presidentin Pacolli për zgjedhjen në detyrën e re, duke i dëshiruar sukses në kryerjen e saj.  Ai gjithashtu theksoi bashkëpunimin shumë të mirë mes dy vendeve tona fqinje dhe synimin për zgjerimin e mëtejmë të këtij bashkëpunimi. 

    Ambasadori Karajanov i përcolli Presidentit Pacolli ftesën e Presidentit të Republikës së Maqedonisë, Gjorgji Ivanov për të vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë. Presidenti Pacolli e falënderoi Presidentin Ivanov për ftesën për vizitë, e cila do të realizohet në një të ardhme shumë të afërt. 

    Nga ana e ti, Presidenti Pacolli falënderoi ambasadorin Karajanov për vizitën dhe urimet e tij. Gjithashtu, ai vuri theksin tek marrëdhëniet mes Kosovës e Maqedonisë, të cilat janë shumë të mira dhe të cilat duhet të njohin zgjerim në të gjitha fushat. 

    z.Pacolli përkujtoi me këtë rast qëndrimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për marrëdhënie të mira me të gjitha shtetet fqinje dhe me vendet e rajonit, në të mirë të stabilitetit, zhvillimit, mirëqenies së të gjithë qytetarëve dhe integrimit sa më të shpejtë të tërë rajonit në institucionet euroatlantike.

  • Presidenti Pacolli pranon detyrën nga ish-U.D. i Presidentit, dr. Jakup Krasniqi

    Presidenti Pacolli pranon detyrën nga ish-U.D. i Presidentit, dr. Jakup Krasniqi

    Prishtinë, 24 shkurt 2011 –

    Në kabinetin e Presidentit të Republikës, sot është zhvilluar ceremonia e dorëzim-pranimit të detyrës nga ish-Ushtruesi i Detyrës së Presidentit, dr. Jakup Krasniqi, te Presidenti i zgjedhur i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli.

    Në takim, z.Krasniqi i uroi detyrën dhe sukses në kryerjen e saj Presidentit Pacolli. Ndërsa, z.Pacolli tha se me z.Krasniqi, si kryetar i Kuvendit, do të ketë bashkëpunim të vazhdueshëm, në interes të ndërtimit të një shteti të sinqertë për të gjithë qytetarët e Kosovës. 

    “Sot ishte një fillim shumë i mirë, i mbarë i ditës së punës. Me z.Krasniqi, kryetar i Kuvendit të Kosovës, do të vazhdojmë të bashkëpunojmë në të ardhmen”, u shpreh Presidenti Pacolli, duke folur për media, pas takimit. 

    “Kuvendi i Kosovës, me votat e veta, i ka dhënë besimin z.Pacolli për të qenë President i Kosovës dhe unë jam sot këtu për t’ia uruar detyrën. Pushtetet janë të ndara dhe ne do t’i kryejmë detyrat tamam ashtu siç e jep Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe ligjet me të cilat punojnë dy institucionet”, theksoi ndërkaq kryetari i Kuvendit të Kosovës, z.Jakup Krasniqi.

  • Kryeministri Sali Berisha uroi Presidentin Behgjet Pacolli

    Kryeministri Sali Berisha uroi Presidentin Behgjet Pacolli

    Prishtinë, 24 shkurt 2011 –

    Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, z.Sali Berisha i ka dërguar një mesazh urimi Presidentit të ri të Kosovës, z. Behgjet Pacolli, me rastin e zgjedhjes së tij në këtë detyrë.

    Në telegram thuhet: I nderuar z. President, zgjedhja Juaj në pozicionin e Presidentit të Kosovës më jep kënaqësinë e veçantë, që në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare, t’ju përcjell përshëndetjet më të përzemërta dhe urimet më të ngrohta e miqësore për sukses në misionin e lartë e të rëndësishëm përpara. Republika e Kosovës dhe qytetarët e Kosovës kanë korrur arritje të mëdha historike gjatë kësaj periudhe dhe unë ruaj besimin se, si President i shtetit më të ri të Evropës, Ju do të sillni një kontribut të ri në konsolidimin e mëtejshëm të këtyre arritjeve dhe në shndërrimin e Kosovës në një faktor edhe më të rëndësishëm paqeje e stabiliteti dhe promovuese të miqësisë e të bashkëpunimit në rajon. Gjej rastin t’ju siguroj se qeveria shqiptare dhe unë personalisht jemi tërësisht të angazhuar dhe të vendosur për të ndërtuar marrëdhëniet më të shkëlqyera e vëllazërore dhe për të shndërruar bashkëpunimin e ngushtë e të gjithanshëm ndërmjet të dyja vendeve në shembullin më kuptimplotë të bashkëpunimit, në shërbim të forcimit të paqes, promovimit të miqësisë, zhvillimit e mirëqenies jo vetëm të kombit shqiptar, por të të gjithë popujve të rajonit, si dhe për ecjen përpara në rrugën e përbashkët euroatlantike. Duke shpresuar t’ju pres së shpejti në Tiranë, dëshiroj t’ju ripohoj sigurimet e konsideratës sime më të lartë.

    Juaji, Sali BERISHA.

  • Presidentja e Konfederatës së Zvicrës uron Presidentin Pacolli

    Presidentja e Konfederatës së Zvicrës uron Presidentin Pacolli

    Prishtinë, 24 shkurt 2011 –

    Presidentja e Konfederatës së Zvicrës, znj.Micheline Calmy-Rey e ka uruar Presidentin e sapozgjedhur të Republikës së Kosovës, Shkëlqesinë e Tij, z. Behgjet Pacolli.

    Në urim thuhet:

    Shkëlqesisë së tij, Z.Behgjet Pacolli,
    President i Republikës së Kosovës

    Me rastin e zgjedhjes President i Republikës së Kosovës, kam kënaqësinë që, në emër të Këshillit Federal Zviceran, t’ju shpreh përgëzimet e mia të ngrohta dhe dëshirat më të mira për suksesin e misionit tuaj të lartë dhe për prosperitetin e popullit kosovar.
    Lidhjet tona të miqësisë dhe bashkëpunimit të tashëm do të intensifikohen edhe më në të ardhmen.

    Ju lutem, z. President, pranoni përshëndetjet tona të zgjedhura.
    Micheline Calmy-Ray 

    Bashkëngjitur e keni urimin e znj.Micheline Calmy-Rey.

  • Presidenti i Maqedonisë, Gjorgji Ivanov i dërgoi mesazh urimi Presidentit Behgjet Pacolli

    Presidenti i Maqedonisë, Gjorgji Ivanov i dërgoi mesazh urimi Presidentit Behgjet Pacolli

    Prishtinë, 24 shkurt 2011 –

    Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorgji Ivanov i ka dërguar një mesazh urimi Presidentit të ri të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli.

    “Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë t’ju shpreh urimet e mia më të sinqerta me rastin e zgjedhjes Suaj si President i Republikës së Kosovës. Gjithashtu, më lejoni të përfitoj nga rasti dhe t’ju uroj sukses në kryerjen e funksionit tuaj përgjegjës, shëndet të mirë dhe lumturi personale”, shkruan të telegramin e tij Presidenti Ivanov.“Jam plotësisht i bindur që, në një kohë të shkurtër, me forca të përbashkëta, do të nxisim dhe forcojmë marrëdhëniet mes dy shteteve tona dhe me këtë do të kontribuojmë në thellimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit të ndërsjellë mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kosovës, përfshirë fushën e  marrëdhënieve bilaterale dhe shumëpalëshe me interes të përbashkët. Për këtë qëllim, ne do të japin kontributin tonë për vizionin që ne të gjithë e ndajmë për rajon të qëndrueshëm dhe të begatë me perspektivë Euro-Atlantike”, thekson, mes të tjerash, në urimin e tij Presidenti i Maqedonisë, Dr. Gjorge Ivanov.  

  • Presidenti i Italisë, Giorgio Napolitano uroi Presidentin Behgjet Pacolli

    Presidenti i Italisë, Giorgio Napolitano uroi Presidentin Behgjet Pacolli

    Prishtinë, 24 shkurt 2011 –

    Presidenti i Republikës së Italisë, Giorgio Napolitano i ka dërguar një mesazh urimi Presidentit të ri të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli.

    Në mesazh thuhet:Dëshiroj t’ju shpreh urimet e mia më të përzemërta për zgjedhjen Tuaj si President i Republikës së Kosovës. Italia është shumë e angazhuar në Kosovë, qoftë në planin dypalësh, po ashtu edhe përmes pjesëmarrjes në misionet ndërkombëtare, në mbështetje të sigurisë, të forcimit të rendit dhe të ligjit, si dhe të zhvillimit ekonomik.

    Dëshiroj shumë që marrëdhëniet tona dypalëshe të vazhdojnë me intensifikimin dhe thellimin e tyre.Italia, po ashtu, mbështet me bindje të plotë perspektivën evropiane të Kosovës, si dhe rritjen e dukshme të kontributit që mund ta japë vendi Juaj në stabilitetin e gjithë hapësirës ballkanike, po ashtu në bashkëpunimin rajonal. President, Ju lutem, pranoni urimet e mia më të zjarrta për një sukses të plotë në mandatin Tuaj të lartë dhe në prosperitetin e gjithë popullit të Kosovës”, shkruan Giorgio Napolitano.