Category: Lajme

  • Ish-Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, takim miqësor në Erbil me Presidentin e Kurdistanit, Nechirvan Barzani

    Ish-Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, takim miqësor në Erbil me Presidentin e Kurdistanit, Nechirvan Barzani

    Erbil, 21 tetor 2025 –

    Ish-Presidenti i Republikës së Kosovës dhe ish-Ministri i Punëve të Jashtme, z. Behgjet Pacolli, ka zhvilluar një takim shumë të mirë dhe miqësor në Erbil me Presidentin e Republikës së Kurdistanit, z. Nechirvan Barzani.

    Gjatë takimit, të dy liderët biseduan për tema të shumta me interes të përbashkët, me theks të veçantë në çështjen e njohjeve të Republikës së Kosovës në rajon dhe mundësitë për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

    Erbil, 21 tetor 2025 – z. Behgjet Pacolli dhe Presidenti i Kurdistanit, z. Nechirvan Barzani, shtrëngojnë duart ngrohtësisht gjatë takimit të tyre miqësor në Erbil.

    Z. Pacolli vlerësoi mikpritjen e Presidentit Barzani dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e popullit të Kurdistanit ndaj Kosovës, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit politik dhe ekonomik në të ardhmen.

    Behgjet Pacolli njihet për aktivitetin e tij të gjerë diplomatik dhe lobues në arenën ndërkombëtare. Gjatë mandatit të tij si Ministër i Punëve të Jashtme, ai ka luajtur një rol vendimtar në sigurimin e mbi 50 njohjeve të reja të pavarësisë së Kosovës, përmes angazhimeve të drejtpërdrejta me liderë botërorë dhe qeveri në të gjithë globin.

    Erbil, 21 tetor 2025 – z. Behgjet Pacolli dhe Presidenti i Kurdistanit, z. Nechirvan Barzani, takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe respekti të ndërsjellë, duke reflektuar marrëdhëniet e mira ndërmjet dy liderëve dhe popujve që ata përfaqësojnë.
  • Behgjet Pacolli jep dorëheqje të parevokueshme nga pozita e Presidentit të AKR-së

    Behgjet Pacolli jep dorëheqje të parevokueshme nga pozita e Presidentit të AKR-së

    Prishtinë, 06 shtator 2025 –

    Presidenti i deritanishëm i Aleancës Kosova e Re (AKR), z. Behgjet Pacolli, ka dorëzuar dorëheqjen e tij të parevokueshme nga udhëheqja e partisë. Vendimi hyn në fuqi nga data 06.09.2025.

    Në letrën e dorëheqjes drejtuar organeve të AKR-së, z. Pacolli thekson se ky hap është ndërmarrë për shkaqe private, duke respektuar përgjegjësitë dhe kohën që kërkon drejtimi i partisë. Ai ka bërë të ditur se vendimi merret në interesin më të mirë të organizatës, për të mundësuar një tranzicion të rregullt dhe të parashikueshëm institucional.

    Në përputhje me vendimin për emërimin e Ushtruesit të Detyrës së Presidentit, kompetencat e kësaj pozite do t’i ushtrojë Sekretari i Përgjithshëm i AKR-së, z. Vesel Makolli, deri në mbajtjen e zgjedhjeve të brendshme, siç parashihet me Statut.

    Z. Pacolli ka falënderuar me sinqeritet çdo anëtar, strukturë dhe simpatizant të AKR-së për besimin dhe bashkëpunimin e deritanishëm, duke theksuar se, edhe pse largohet nga posti i Presidentit, do të mbetet krah i fuqishëm dhe mbështetës i madh i AKR-së, duke kontribuar me përvojën dhe angazhimin e tij në realizimin e vizionit politik të subjektit.

    Aleanca Kosova e Re shpreh mirënjohjen e saj për punën dhe përkushtimin e z. Behgjet Pacolli në udhëheqjen e partisë ndër vite dhe konfirmon se procesi i tranzicionit do të zhvillohet në përputhje të plotë me Statutin dhe praktikat demokratike të brendshme.

    AKR është themeluar në vitin 2006 nga vetë z. Pacolli, i cili për gati dy dekada ka qenë në krye të partisë, duke e udhëhequr atë në proceset më të rëndësishme politike të vendit.

    Prishtinë, 06 shtator 2025 – Letra e dorëheqjes nga detyra e Presidentit të AKR-së, z.Behgjet Pacolli.
  • Mabetex finalizon objektin e Bankës Nacionale të Kazakistanit në Astana

    Mabetex finalizon objektin e Bankës Nacionale të Kazakistanit në Astana

    Astana – 6 shtator 2025

    Së bashku me vëllain tim Afrimin, zhvilluam një vizitë inspektuese në Astanë, ku po përmbyllen punimet për objektin më të ri të Bankës Nacionale të Kazakistanit – një projekt madhështor që këto ditë do të hyjë zyrtarisht në funksion.

    Ky projekt u realizua nga grupi i Mabetexit, duke u bazuar mbi idenë dhe vizionin e arkitektes legjendare Zaha Hadid, e cila mbetet një ikonë e arkitekturës moderne dhe inovative.

    Moment i veçant me vëllëzrit, Afrimin dhe Islamin, në oborrin e objektit të Bankës Nacionale të Kazakistanit. Krenar me punën e realizuar nga Mabetex Group dhe puntorët e palodhur shqiptar atje.

    Një arkitekturë që frymëzon

    Objekti i Bankës Nacionale të Kazakistanit është ndërtuar mbi parimet e modernitetit, funksionalitetit dhe estetikës së avancuar. Dizajni i Hadid pasqyron dinamizmin dhe ambiciet e një vendi në zhvillim të shpejtë, ndërsa realizimi i tij nga Mabetex garanton cilësi, qëndrueshmëri dhe përkushtim maksimal në çdo detaj.

    Ky kompleks i ri nuk është vetëm një ndërtesë financiare, por një simbol i fuqisë ekonomike dhe vizionit të Kazakistanit për të ardhmen, duke e pozicionuar Astanën si një qendër të rëndësishme rajonale e ndërkombëtare.

    Gjatë inspektimit të punëve në objektin shumëkatësh të Bankës Nacionale të Kazakistanit, të ngritur nga Mabetex Group.

    Mabetex – partner i projekteve që shënojnë epokë

    Ky projekt shënon një tjetër gur themeli në historinë e Mabetex, si kompani që ka ndërtuar dhe restauruar vepra ikonike në mbarë botën. Nga Evropa në Azi, nga monumentet kulturore te qendrat moderne financiare, Mabetex vazhdon të përfaqësojë me dinjitet profesionalizmin, kreativitetin dhe përkushtimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

    Banka Nacionale e Kazakistanit në Astana është dëshmi e qartë se kur vizioni arkitektonik i gjigantëve si Zaha Hadid bashkohet me eksperiencën dhe mjeshtërinë e Mabetex, rezultati është gjithmonë një vepër që tejkalon kohën dhe hapësirën.

    Objekti shumëkatësh i Bankës Nacionale të Kazakistanit, i ngritur nga duart e puntorëve shqiptar dhe Mabetex Group.
  • Kontributi historik i Presidentit Behgjet Pacolli për njohjen e Kosovës në Afrikë theksohet në Kongresin e 50-të të UPF-së në Dakar

    Kontributi historik i Presidentit Behgjet Pacolli për njohjen e Kosovës në Afrikë theksohet në Kongresin e 50-të të UPF-së në Dakar

    Dakar – 12 janar 2024 –

    Në Kongresin jubilar të 50-të të Unionit Ndërkombëtar të Shtypit Frankofon (UPF), i mbajtur në Dakar të Senegalit nga 9 deri më 12 janar 2024, u vu sërish në pah një prej kapitujve më të rëndësishëm të diplomacisë së Republikës së Kosovës – njohja nga Senegali, një nga shtetet kyçe afrikane që mbështeti pavarësinë e Kosovës menjëherë pas shpalljes së saj më 17 shkurt 2008.

    Në këtë kontekst, u përmend qartë se një rol vendimtar në këtë arritje e pati Presidenti i atëhershëm i Kosovës, z. Behgjet Pacolli, i cili nisi menjëherë pas shpalljes së pavarësisë një ofensivë të përkushtuar diplomatike në kontinentin afrikan, duke vizituar kryeqytete pas kryeqytetesh me avionin e tij privat. Me qasje të drejtpërdrejtë, takime të nivelit të lartë dhe mbështetje logjistike të kompanisë së tij ndërkombëtare të ndërtimit, Mabetex Group, Presidenti Pacolli krijoi ura të reja bashkëpunimi me udhëheqës afrikanë dhe ndërtoi marrëdhënie të bazuara në respekt dhe besim.

    Dakar, 3 Prill 2019 – Gjatë qëndrimit në Senegal pata nderin që të përfaqësoj Republikën e Kosovës, në ceremoninë inauguruese të presidentit të këtij vendi. Gjatë takimit që zhvillova me presidentin Macky Sall, ne emër të shtetit të Kosovës i shpreha urimet dhe falenderimin për mbështetjen e parezervë ndaj vendit tonë.

    Falë kësaj përpjekjeje të jashtëzakonshme personale dhe shtetërore, Senegali u bë një nga vendet e para afrikane që njohu pavarësinë e Kosovës – më 19 shkurt 2008, vetëm 24 orë pas shpalljes në Prishtinë. Kjo njohje ka qenë dhe mbetet një nga gurët themeltarë të afirmimit ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës në kontinentin afrikan.

    Kongresi i 50-të i UPF: Media, Paqa dhe Siguria

    Kongresi i vitit 2024 i UPF-së u zhvillua nën temën “Media, paqa dhe siguria” dhe u përshëndet në ditën e hapjes zyrtare nga Presidenti i Senegalit, z. Macky Sall, i cili mbajti një fjalim përpara më shumë se 200 gazetarëve të ardhur nga katër kontinente.

    Ndër personalitetet që morën pjesë në këtë ngjarje ishin:

    • Presidenti Ndërkombëtar i UPF-së, z. Madiambal Diagne
    • Sekretarja e Përgjithshme Ndërkombëtare e UPF, znj. Zara Nazarian
    • Deputeti i Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë, z. Bruno Fuchs
    • Ish-Presidenti i Kepit të Gjelbër (2011–2021), z. Jorge Carlos Fonseca

    Diskutimet në kongres u përqendruan në çështje të ndjeshme si dezinformimi, ndikimi i mediave në kohë lufte, sfidat e gazetarëve në zonat e konfliktit dhe roli i medias në luftën kundër terrorizmit. Në panelin “Manipulimi dhe dezinformimi: Si të rezistojmë ndaj përpjekjeve për kontrollin e medias”, ku isha i përzgjedhur të flisja, pata mundësinë të theksoj sfidat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, Bosnjën dhe Serbinë, në lidhje me lirinë e medias dhe të drejtat e njeriut.

    Në diskutim theksova:

    “Jo vetëm Afrika përballet me sfida në fushën e lirive të njeriut dhe të shtypit, por edhe në Ballkanin Perëndimor ka një rikthim të autoritarizmit dhe një përkeqësim të ndjeshëm në standardet demokratike dhe të drejtave të gazetarëve.”

    Në raportin e fundit të Reporterëve pa Kufij, Shqipëria humbi 20 vende në renditjen botërore për lirinë e shtypit – një sinjal i qartë se problematikat nuk janë vetëm jashtë Evropës.

    Mungesa simbolike nga Serbia – për shkak të njohjes së Kosovës nga Senegali

    Ndër detajet simbolike të këtij kongresi ishte mungesa për herë të parë e kryetares së Seksionit të UPF të Serbisë, znj. Gordana, e cila prej vitesh kishte qenë gjithmonë prezente. Kjo mungesë interpretohet si një reagim diplomatik pas njohjes që Senegali i bëri Kosovës – një vendim historik i cili, siç u përmend më lart, u arrit falë përpjekjeve të Presidentit Behgjet Pacolli.

    Diagne, “Njeriu i Vitit” në Senegal

    Presidenti Ndërkombëtar i UPF, z. Madiambal Diagne, u shpall “Njeriu i Vitit 2023” nga gazeta senegaleze Le Point, për angazhimin e tij personal në lirimin e dy gazetarëve togolezë të burgosur padrejtësisht për shkrime kritike ndaj qeverisë.

    Mungesa e pritjes nga Ambasada Franceze

    Për herë të parë, Ambasada e Francës në Dakar nuk organizoi një pritje për gazetarët pjesëmarrës në kongresin jubilar të UPF-së – një veprim që u komentua si tregues i një ftohjeje mes drejtuesve të UPF-së dhe institucioneve franceze. Sipas organizatorëve, kërkesa formale nuk ishte bërë, por prapëseprapë kjo mungesë u vërejt si simbolikisht e rëndësishme.


  • Presidenti Behgjet Pacolli nderohet me çmimin “Shqiponja e Artë” në Tiranë

    Presidenti Behgjet Pacolli nderohet me çmimin “Shqiponja e Artë” në Tiranë

    Tiranë – 28 nëntor 2012

    Ish-Presidenti i Republikës së Kosovës dhe një nga figurat më të njohura në fushën e diplomacisë dhe investimeve strategjike në rajon, z. Behgjet Pacolli, është nderuar me çmimin prestigjioz “Shqiponja e Artë”, gjatë një ceremonie të veçantë të organizuar nga Expo Group në Tiranë, nën drejtimin e z. Luan Mahmutaj.

    Ky vlerësim i lartë i është akorduar për kontributin e jashtëzakonshëm të Presidentit Pacolli në forcimin e marrëdhënieve ekonomike, kulturore dhe institucionale mes Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe për promovimin e imazhit të kombit shqiptar në arenën ndërkombëtare.

    Tiranë – 28 nëntor 2012 Presidenti Behgjet Pacolli gjatë momentit solemn të pranimit të çmimit “Shqiponja e Artë” nga drejtuesi i Expo Group, z. Luan Mahmutaj, në një ceremoni nderi të mbajtur në Tiranë.

    Një ceremoni në nder të vizionit dhe veprës

    Ceremonia u mbajt në kuadër të aktiviteteve vjetore të Expo Albania, ku marrin pjesë përfaqësues të lartë nga politika, diplomacia, biznesi dhe kultura. Në një atmosferë festive dhe solemne, çmimi “Shqiponja e Artë” iu dorëzua Presidentit Pacolli si shenjë mirënjohjeje për vizionin dhe përkushtimin e tij të pandërprerë për zhvillimin e rajonit.

    Në fjalën e tij përshëndetëse, z. Luan Mahmutaj, drejtues i Expo Group, theksoi:

    “Behgjet Pacolli është simbol i suksesit, përulësisë dhe lidershipit. Ai ka qenë dhe mbetet urë lidhëse mes shqiptarëve kudo që ndodhen, dhe kontribues kyç në zhvillimin e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë dhe Kosovës.”


    Tiranë – 28 nëntor 2012 Presidenti Pacolli gjatë momentit solemn të pranimit të çmimit “Shqiponja e Artë” nga drejtuesi i Expo Group, z. Luan Mahmutaj. Ky vlerësim simbolik i dedikohet figurave që kontribuojnë në forcimin e bashkëpunimit ndërshqiptar dhe promovimin e vlerave tona në arenën ndërkombëtare.

    Fjalimi i Presidentit Pacolli

    I emocionuar nga vlerësimi, Presidenti Pacolli u shpreh:

    “E marr këtë çmim me mirënjohje të thellë, jo si vlerësim për të kaluarën time personale, por si motivim për të vazhduar misionin tim – që Kosova dhe Shqipëria të jenë një shembull i zhvillimit të qëndrueshëm dhe bashkëpunimit të sinqertë në rajon dhe më gjerë. Ne kemi potencialin për të ndërtuar ura, për të krijuar mundësi dhe për të qenë zëri i paqes dhe progresit.”

    Tiranë – 28 nëntor 2012 Presidenti Behgjet Pacolli gjatë fjalës së tij në ceremoninë e ndarjes së çmimit “Shqiponja e Artë” të organizuar nga Expo Group në Tiranë. Me tone vizionare dhe mesazhe bashkëpunimi, ai theksoi rëndësinë e unitetit ekonomik dhe kulturor ndërmjet shqiptarëve kudo që ndodhen.

    Ai falënderoi organizatorët për iniciativën dhe nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit mes sektorit publik dhe atij privat në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për shqiptarët kudo që ndodhen.


    Mesazhi për të ardhmen

    Në përmbyllje të fjalës së tij, z. Pacolli theksoi:

    “Çdo vlerësim është një përgjegjësi. E ardhmja jonë kërkon përkushtim të përbashkët, vizion dhe bashkëveprim. Unë do të jem gjithmonë aty ku ka nevojë për të ndërtuar, për të lidhur dhe për të shërbyer.”


    Çmimi “Shqiponja e Artë” – simbol i përbashkët i suksesit shqiptar

    Çmimi “Shqiponja e Artë” jepet nga Expo Group si vlerësim për personalitete të shquara që kanë dhënë kontribut të veçantë në zhvillimin ekonomik, kulturor, diplomatik dhe shoqëror të hapësirës shqiptare. Më herët, ky çmim i është dhënë edhe personaliteteve si Dritan Abazović (Kryeministër i Malit të Zi), trajneri Sylvinho, dhe figura të shquara nga fusha e biznesit dhe artit.

    Kjo ngjarje përbën një tjetër moment domethënës në jetën dhe karrierën e Presidentit Behgjet Pacolli – si njeri i vizionit, që ndërton ura dhe nuk ndalet asnjëherë së kontribuari për një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët.

    Tiranë – 28 nëntor 2012 Presidenti Behgjet Pacolli së bashku me personalitete të tjera të shquara, përfshirë ish-kryeministrin e Shqipërisë, z. Sali Berisha, gjatë mbërritjes në ambientet e Expo Group në Tiranë, ku u mbajt ceremonia e ndarjes së çmimit “Shqiponja e Artë”. Një moment që pasqyron atmosferën solemne dhe rëndësinë e ngjarjes për bashkëpunimin ndërshqiptar.
    Tiranë – 28 nëntor 2012 Presidenti Behgjet Pacolli gjatë mbërritjes në ambientet e Expo Group në Tiranë, ku u mbajt ceremonia e ndarjes së çmimit “Shqiponja e Artë”.
  • Mikpritje për ministrin e jashtëm të Tanzanisë, Thabit Kombo

    Mikpritje për ministrin e jashtëm të Tanzanisë, Thabit Kombo

    Hajvali – 3 qershor 2025 –

    Në rezidencen e tij në Hajvali, ish – Presidenti, Behgjet Pacolli, ka qenë nikoqir i Ministrit të Punëve të Jashtme të Tanzanisë, shkëlqesisë së Tij, Mahmoud Thabit Kombo, i cili po qëndron për një vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës.

    Takimi u karakterizua nga një atmosferë miqësore dhe përplot mirëkuptim, ku u ndanë përvoja dhe ide për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Në bisedat e zhvilluara u theksua vullneti i përbashkët për të çuar përpara marrëdhëniet bilaterale në fusha me interes të ndërsjellë.

    Hajvali – 3 qershor 2025 – Ish-presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, dhe ministri i Punëve të Jashtme të Tanzanisë, Mahmoud Thabit Kombo, në një takim të veçant në Rezidence në Hajvali.

    “Sonte në shtëpinë time në Hajvali pata nderin dhe kënaqësinë ta mirëpres mikun tim, Ministrin e Punëve të Jashtme të Tanzanisë, Shkëlqesinë e tij Mahmoud Thabit Kombo, i cili po qëndron në një vizitë zyrtare në Kosovë. Ishte një mbrëmje e veçantë, e mbushur me biseda të frytshme dhe ndarje përvojash. Faleminderit për vizitën dhe shpresoj që të forcojmë më tej marrëdhëniet tona!”

    Presidenti Pacolli shprehu vlerësimin e tij të thellë për vizitën e Shkëlqesisë së Tij dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Tanzanisë ndaj Kosovës, duke theksuar rëndësinë e miqësive të sinqerta në arenën ndërkombëtare.

    Hajvali – 3 qershor 2025 – Ministri i Punëve të Jashtme të Tanzanisë, Mahmoud Thabit Kombo, në Rezidencen e ish-Presidentit Pacolli, duke lën mesazhin në Librin e Përshtypjeve.
  • Pacolli nderon Moisiun: “Doctor Honoris Causa” për një president që na mësoi urtësinë dhe bashkimin

    Pacolli nderon Moisiun: “Doctor Honoris Causa” për një president që na mësoi urtësinë dhe bashkimin

    Tiranë, 9 maj 2025 – Universiteti Europian i Tiranës ka nderuar ish-Presidentin e Republikës së Shqipërisë (2002–2007), z. Alfred Moisiu, me titullin e lartë akademik “Doctor Honoris Causa”, duke e bërë atë personalitetin e 19-të që merr këtë vlerësim nga UET.

    Ky titull i rëndësishëm, i propozuar nga pedagogët dhe i miratuar nga Senati Akademik i universitetit, i është dhënë z. Moisiu në vlerësim të rolit të tij të pazëvendësueshëm si faktor uniteti kombëtar, për lidershipin e urtë dhe të paanshëm në kohë krizash, si dhe për vizionin në ndërtimin e institucioneve demokratike, forcimin e lidhjeve ndërkombëtare dhe përkushtimin ndaj paqes, stabilitetit dhe reformave që kanë integruar Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.

    Moisiu është i treti president dhe një ndër politikanët më të spikatur shqiptarë që nderohet me këtë titull nga UET, pas ish-kryeministrit Fatos Nano dhe ish-presidentëve Behgjet Pacolli dhe Hashim Thaçi.


    Tiranë, 9 maj 2025Ceremonia e ndarjes së titullit “Doctor Honoris Causa” për ish- Presidentin Alfred Moisiu në Universitetin Europian të Tiranës, ku mori pjesë edhe ish-Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli.
    Tiranë, 9 maj 2025Ceremonia e ndarjes së titullit “Doctor Honoris Causa” për ish- Presidentin Alfred Moisiu në Universitetin Europian të Tiranës.

    Behgjet Pacolli: “Ky burrë 95-vjeçar e meriton respektin dhe dashurinë tonë të përjetshme”

    Në ceremoninë solemne të zhvilluar në Tiranë, mori pjesë edhe ish-Presidenti i Kosovës, z. Behgjet Pacolli, i cili është gjithashtu personaliteti i parë i nderuar nga UET me këtë titull. Në fjalën e tij përshëndetëse, Pacolli shprehu mirënjohjen dhe respektin e tij të thellë për presidentin Moisiu:

    “Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë të jem sot këtu në këtë ceremoni ku nderohet një nga figurat më të shquara të historisë moderne shqiptare. Presidenti Moisiu ka qenë një udhëheqës që i ka shërbyer vendit me përulësi, urtësi dhe vizion.”

    Tiranë, 9 maj 2025Ish-Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, gjatë fjalës së tij në ceremoninë e ndarjes së titullit “Doctor Honoris Causa” për Alfred Moisiun në Universitetin Europian të Tiranës.

    Pacolli kujtoi me emocion edhe një episod të veçantë nga jeta e tij:

    “Para 20 vitesh isha në një mision për lirimin e tre pengjeve në Afganistan – një grua nga Kosova, një nga Irlanda dhe një diplomat nga Filipinet. Pas kthimit, askush nga politika shqiptare apo kosovare nuk më falënderoi, përveç presidentit Alfred Moisiu. Ai më ftoi përmes mikut tim Vilson Ahmeti dhe më tha: ‘Dua të të takoj’. Ajo pasdite me të ishte komforti më i mirë që dikush mund të më jepte.”

    Ai gjithashtu theksoi përkushtimin e presidentit Moisiu ndaj të burgosurve politikë në Hagë dhe energjinë e tij të pashtershme për çështjet kombëtare, duke e përmbyllur fjalimin me një urim të ngrohtë:

    Tiranë, 9 maj 2025Ish-Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, gjatë fjalës së tij në ceremoninë e ndarjes së titullit “Doctor Honoris Causa” për Alfred Moisiun në Universitetin Europian të Tiranës.

    “Sot ky burrë i rrallë i ka mbushur 95 vite. I uroj nga zemra edhe 95 të tjera! President, ju e meritoni respektin dhe dashurinë e popullit shqiptar – për atë që jeni dhe për gjithçka që keni përfaqësuar.”


    Tiranë, 9 maj 2025Ish-Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, dhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Spiropali, duke duartrokitur fjalën e ish-presidentit Moisu.

    Universiteti Evropian i Tiranës (UET), i kishte akorduar titullin e nderit “Doctor Honoris Causa”, ish -Presidentit Pacolli në vitin 2011. Në ceremoni ishin të pranishëm Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, ish-presidentët Alfred Moisiu e Rexhep Meidani, ministra të Qeverisë së Shqipërisë e të Qeverisë së Kosovës, profesorë, studentë e mysafirë të tjerë të shumtë.

    Tiranë, 13 mars 2011 –Momente nga fjala e ish presidentit Pacolli, kur i ishte akorduar titulli i nderit “Doctor Honoris Causa”.

    Universiteti Europian i Tiranës vazhdon të jetë një nga institucionet më prestigjioze akademike në rajon, duke nderuar personalitete të shquara që kanë kontribuar në forcimin e vlerave demokratike, paqes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

    Fjalimi i plot i ish-presidentit, Behgjet Pacolli në këtë ceremoni:

    Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë që të jem sot këtu me ju në këtë ceremoni të rëndësishëm ku Universiteti Europian i Tiranës i akordon titullin e lartë “Doctor Honoris Causa” një prej personaliteteve më të shquara të historisë moderne shqiptare. Kështu dua ta quaj dhe besoj se ju jeni dakord mua.

    Ky është një moment shprehjeje respekti dhe mirënjohjeje për një figurë që i ka shërbyer vendit me përulësi, urtësi dhe vizion. Roli i presidentit Moisiu, si një faktor uniteti kombëtar, ka qenë vendimtar në momentet kyçe, të fatit të kombit tonë dhe fatit të Shqipërisë.

    Ai ka dëshmuar se udhëheqja nuk është thjesht ushtrim pushteti por një akt i lartë i përgjegjësisë, që kërkon maturi, mençuri dhe besim të palëkundur në vlerat demokratike. Nën drejtimin e tij u hodhën themelet e një kulture të re politike, më të urtë, më përfshirëse, më të baraspeshuar, dhe më të përkushtuar për atë çka ushtron. Përkushtimi i presidentit Moisiu ndaj paqes, reformave të integrimit euroatlantik, respektit ndaj të tjerëve, ka qenë gjithmonë frymëzues për mua, besoj edhe për rininë dhe për çdokënd që ka dashur vendin dhe kombin.

    Z. president, nuk mund të mos e cek një moment, kur para 20 viteve isha në Afganistan për tre javë në një mision për lirimin e pengjeve. Aty ishte një zonjë nga zonjë nga Kosova, një nga Irlanda dhe një diplomat i Filipineve. Shkova për t’i liruar. Shkova në mal pa sëpatë, si i themi ne, pa ditur asgjë, por me vullnetin e  madh për të vepruar dhe me guximin që pata ia dola t’i liroj.

    Kur u ktheva, askush nuk erdhi të më falënderonte, përpos njerëzve normalë. Ishte presidenti Moisiu, i cili përmes mikut tim Vilson Ahmeti, ish-kryeministër i Shqipërisë, më ftoi dhe më tha: “Dua të të takoj”. Erdha këtu dhe pata një pasdite mjaft të bukur me presidentin Moisiu. Ky ishte komforti më i mirë që dikush mund të bënte për mua. Asnjë shqiptar në lidershipin politik, nuk gjeti kurajon ose forcën, që të thotë: “Faleminderit burrë, ke bërë diçka të mirë”.

    Për mua në atë kohë, pas atyre vuajtjeve, komforti ishte gjëja më e rëndësishme. Unë mora telefonatë edhe nga presidentja e Filipineve, edhe nga ish-kryeministri i Irlandës. U falënderuan, edhe me letra, madje edhe me një çmim shumë të lartë që e mora në Filipine.

    Nga Kosova dhe Shqipëria nuk ishte askush përveç presidentit Moisiu. Faleminderit shumë z. President. Sinqerisht, i jam shumë mirënjohjes dhe falënderues presidentit të këtij tempulli të dijes dhe gjithë stafit akademik, të cilët kanë vendosur që këtë titull të rëndësishëm t’ia përkushtojnë këtij njeriu. Është jashtëzakonisht i merituar.

    Unë kam pasur rastin të udhëtoj me presidentin më gjatë, deri në Hagë, dhe tërë kohën është përkujdesur që të pyesë se si është puna me ata të burgosur, që po i quaj të burgosur politikë. Nuk hezitoi tërë kohën që të mos i lëshojë nga mendja.

    Kjo energji e mban presidentin Moisiu. Sot ky burrë i ka rrumbullakosur 95 vite dhe dua që të rrumbullakosë edhe 95 të tjera. Shumë suksese president! U priftë e mbara gjithmonë dhe dijeni se këta njerëz këtu jua duan shumë. Jua duan për atë që jeni, për atë që përfaqësoni dhe ju e meritoni atë dashuri.

  • Ish-Presidenti i Afrikës së Jugut, Jacob Zuma, viziton z. Behgjet Pacolli në shtëpinë e tij në Lugano

    Ish-Presidenti i Afrikës së Jugut, Jacob Zuma, viziton z. Behgjet Pacolli në shtëpinë e tij në Lugano

    Lugano, 21 Maj 2025 – Ish-Presidenti i Republikës së Afrikës së Jugut, z. Jacob Zuma, së bashku me familjen e tij, ka realizuar një vizitë të veçantë dhe miqësore në shtëpinë e ish-Presidentit të Kosovës dhe kryetarit të AKR-së, z. Behgjet Pacolli, në Lugano të Zvicrës.

    Takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, duke reflektuar respektin e ndërsjellë dhe marrëdhëniet e mira që z. Pacolli ka ndërtuar ndër vite me liderë botërorë.

    Vizita e z. Zuma-s përbën një moment domethënës në konsolidimin e lidhjeve ndërpersonale dhe ndërshtetërore, si dhe në përforcimin e rolit të diplomacisë së qytetarit në nivel global.

    Lugano, 21 Maj 2025 – Ish-Presidenti i Republikës së Afrikës së Jugut, z. Jacob Zuma, duke u mirëpritur në Lugano nga ish-presidenti i Republikës së Kosovës, z.Behgjet Pacolli.

    Z. Pacolli shprehu mirënjohjen për këtë vizitë të veçantë, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së këtyre marrëdhënieve që shkojnë përtej detyrave zyrtare dhe i kontribuojnë afrimit dhe mirëkuptimit mes kombeve.

    “Jam i nderuar dhe i privilegjuar nga vizita e ish-Presidentit Jacob Zuma dhe familjes së tij në shtëpinë time. Një takim i paharrueshëm që forcon lidhjet tona miqësore dhe respektin e ndërsjellë”, deklaroi z. Pacolli pas takimit.

    Aleanca Kosova e Re vlerëson këto takime si dëshmi të rolit të vazhdueshëm dhe të rëndësishëm të kryetarit të saj në promovimin e imazhit të Kosovës dhe forcimin e lidhjeve ndërkombëtare.

    Lugano, 21 Maj 2025 – Ish-Presidenti i Republikës së Afrikës së Jugut, z. Jacob Zuma, dhe bashkëshortja e tij duke përshëndetur znj.Masha Pacolli dhe presidentin Pacolli.
    Lugano, 21 Maj 2025 – Ish – Presidenti i Republikës së Kosovë, Behgjet Pacolli, në shtëpinë e tij në Lugano, duke shtruar darkën për mikun e tij ish-Presidenti i Republikës së Afrikës së Jugut, z. Jacob Zuma.
  • Takim i veçantë në Washington: Pacolli nikoqir i ish-Presidentit legjendar të Nigerisë, Olusegun Obasanjo

    Takim i veçantë në Washington: Pacolli nikoqir i ish-Presidentit legjendar të Nigerisë, Olusegun Obasanjo

    Washington, 25 Prill 2025 – Në kuadër të Konferencës Pranverore të Grupit të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, z. Behgjet Pacolli zhvilloi një takim të veçantë me një prej figurave më të njohura dhe më me ndikim të politikës afrikane, ish-presidentin e Nigerisë, z. Olusegun Okikiola Obasanjo.​

    Takimi u mbajt në një darkë të ngrohtë e miqësore, ku z. Pacolli ishte nikoqir i presidentit 88-vjeçar, i njohur për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në demokratizimin e Nigerisë dhe forcimin e rolit të Afrikës në skenën ndërkombëtare.​

    Gjatë bisedës së frytshme, të dy liderët ndanë përvoja dhe ide rreth zhvillimeve globale, rolit të diplomacisë ekonomike dhe mundësive për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit dhe kontinentit afrikan.​

    Z. Pacolli, i cili ka ndërtuar marrëdhënie të rëndësishme me shumë liderë afrikanë gjatë përpjekjeve për njohjen e pavarësisë së Kosovës, e cilësoi takimin me z. Obasanjo si “të ngrohtë, frymëzues dhe me vlera të veçanta”. Ai gjithashtu shprehu kënaqësinë për vizitën e paralajmëruar të Obasanjos këtë verë në Kosovë.​

    Ky takim përforcon angazhimin e vazhdueshëm të z. Pacolli për ndërtimin e urave të miqësisë dhe bashkëpunimit me liderë botërorë në funksion të përparimit të Kosovës dhe afirmimit të saj ndërkombëtar.​


    Një miqësi e ndërtuar mbi respekt dhe bashkëpunim

    Takimi i fundit në Washington nuk është i pari ndërmjet z. Pacolli dhe z. Obasanjo. Ata kanë ndarë një histori bashkëpunimi dhe dialogu që daton prej më shumë se një dekade. Në vitin 2010, z. Pacolli vizitoi Nigerinë në kuadër të përpjekjeve për të siguruar njohjen e pavarësisë së Kosovës, ku u takua me z. Obasanjo dhe liderë të tjerë nigerianë. Gjatë këtyre viteve, ata kanë bashkëpunuar në nisma të ndryshme diplomatike dhe zhvillimore, duke ndarë përvoja dhe vizione për të ardhmen e vendeve të tyre dhe të kontinentit afrikan.​


    Profil i shkurtër: Olusegun Obasanjo

    Olusegun Okikiola Obasanjo është një nga figurat më të rëndësishme politike në historinë moderne të Nigerisë dhe të kontinentit afrikan. Ai ka shërbyer si president i Nigerisë në dy periudha: si udhëheqës ushtarak nga viti 1976 deri në 1979 dhe si president i zgjedhur demokratikisht nga viti 1999 deri në 2007. Obasanjo është i njohur për rolin e tij në tranzicionin e Nigerisë drejt demokracisë, përpjekjet për të luftuar korrupsionin dhe për të promovuar zhvillimin ekonomik dhe social. Pas përfundimit të mandatit presidencial, ai ka mbetur aktiv në diplomacinë ndërkombëtare, duke shërbyer si ndërmjetësues në konflikte të ndryshme në Afrikë dhe duke kontribuar në nisma për paqe dhe zhvillim në kontinent.​


  • Presidenti Pacolli – Arkitekti i Njohjes së 118-të të Kosovës nga Kenia

    Presidenti Pacolli – Arkitekti i Njohjes së 118-të të Kosovës nga Kenia

    Nairobi, 26 mars 2025–

    Behgjet Pacolli – Ish President i Republikës së Kosovës.

    Kosova shkruan histori!

    Më 26 mars 2025, Republika e Kenias – një nga shtetet më me ndikim në Afrikë – e njohu zyrtarisht Republikën e Kosovës si një shtet të pavarur dhe sovran.

    Kjo njohje përbën një moment historik për diplomacinë e Kosovës dhe konfirmon vendin e saj të merituar në arenën ndërkombëtare. Me këtë akt, Kosova forcon praninë e saj në kontinentin afrikan dhe thellon marrëdhëniet e saj me një nga ekonomitë dhe fuqitë më të rëndësishme të Afrikës.

    Një rrugëtim 16-vjeçar drejt njohjes

    Kjo arritje nuk është e rastësishme, por rezultat i një angazhimi të gjatë diplomatik. Që nga viti 2009, kam punuar në mënyrë të vazhdueshme me liderë dhe institucione të Kenias për të ndërtuar një partneritet të besueshëm dhe për ta sjellë këtë moment historik.

    Presidenti William Ruto, i cili e vizitoi Kosovën në vitin 2019, kishte shprehur mbështetjen e tij për njohjen e Kosovës. Në vitin 2023, gjatë një takimi në Nairobi, ai ndërmori hapin e parë duke njohur pasaportat e Kosovës. Sot, ai konkretizoi këtë përkushtim me nënshkrimin e njohjes zyrtare të Kosovës.

    Një thirrje për hapa të mëtejshëm

    Në dritën e kësaj njohjeje, i bëj thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërmarrë hapa konkretë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kenian. Hapurja e një Ambasade të Kosovës në Nairobi do të ishte një hap strategjik për zgjerimin e pranisë së Kosovës në kontinentin afrikan dhe forcimin e lidhjeve ekonomike, diplomatike dhe kulturore me shtetet afrikane.

    Mirënjohje për bashkëpunëtorët

    Ky sukses nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e bashkëpunëtorëve dhe partnerëve ndërkombëtarë. Dua të shpreh falënderime të veçanta për Jetlir Zyberaj, i cili ka luajtur një rol kyç në këtë proces, si dhe për Republikën e Shqipërisë, Presidentin Bajram Begaj dhe Kryeministrin Edi Rama, për mbështetjen e tyre të vazhdueshme.

    Sot është një ditë e madhe për diplomacinë dhe shtetësinë e Kosovës. Njohja e Kenias është një hap i rëndësishëm për përforcimin e sovranitetit tonë në arenën ndërkombëtare dhe një dëshmi se me punë, përkushtim dhe diplomaci aktive, Kosova vazhdon të ecë përpara.

    Faleminderit Kenia! Faleminderit President Ruto! Rroftë Kosova dhe qytetarët e saj krenarë!

    Historia e Lobimit për njohjen e Kosovës nga Kenia

     – Fillimi i përpjekjeve

    Që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008, Kosova nisi një fushatë të gjerë diplomatike për të siguruar njohjen nga sa më shumë shtete. Kenia ishte një nga prioritetet për shkak të rolit të saj të rëndësishëm në Afrikën Lindore dhe organizatat ndërkombëtare.

    Vizita ime e parë në shtetin e Kenias në vitin 2009. Takim dhe shtrëngim duarsh me presidentin aktual dhe mikun tim William Ruto, i cili në atë periudh ishte në opozitë.

    Gjatë viteve, ky angazhim u forcua përmes kontakteve dhe lobimeve diplomatike që kulmuan në takime të rëndësishme. Njëri nga këto takime ishte edhe ai në New York gjatë shtatorit të vitit 2017.

    Ku ish-presidenti, Behgjet Pacolli, i cili ishte në cilësinë e kryediplomatit kosovar pjesmarrës në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, zhvilloi takim me homologen nga Kenia, Amina Mohamed. Ky takim ishte një moment i rëndësishëm për të thelluar dialogun mes dy vendeve dhe për të shpresuar në një njohje të shpejtë.

    Nju Jork, 21 shtator 2017 Bashkëbisedim me Ministren e Jashtme të Kenyas, Amina Mohammed.

    Ky takim shënoi një hap të rëndësishëm në thellimin e dialogut mes Kosovës dhe Kenias, duke krijuar një platformë të qëndrueshme për bashkëpunim diplomatik dhe hapjen e mundësive për të diskutuar njohjen.

    Ky dialog nisi një fazë të re përpjekjesh për afrimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Me përkushtim dhe një qasje të vazhdueshme, diplomacia kosovare forcoi kontaktet në vitet pasuese, duke u orientuar drejt ndërtimit të një partneriteti të qëndrueshëm.

    Pikërisht në këtë frymë, më 12 dhjetor 2018, unë aterova në aeroportin e Nairobit, i gatshëm për të avancuar lidhjet tona. Falë vizitave të shpeshta në shtetet afrikane, kisha mësuar disa shprehje miqësore; sapo zbrita, thash “Vipi WaKenya! (Përshëndetje Kenias!)”. Një përshëndetje që u mirëprit ngrohtësisht dhe shërbeu për të shprehur respektin dhe dëshirën për një miqësi të gjatë mes vendeve tona.

    Pritja ishte zyrtare nga presidenti i asaj kohe, Uhuru Kenyatta.

    Presidentit Kenyatta  i’a përsërita me bindje: “Gëzohem që jam në Kenia, një komb me të cilin kemi një miqësi të thellë dhe që shpresoj të jetë e gjatë”.

    Nairobi, 12 dhjetor 2018 Gjatë takimit me presidentin e Kenias, Uhuru Kenyatta.

    2010 – 2024: Vitet e negociatave dhe vizitat kyçe

    Në 19 prill 2019, Prishtina u bë dëshmitare e një ngjarjeje historike, kur zëvendëspresidenti i Kenias, William Ruto, zbarkoi në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Garda ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ishte rreshtuar në mënyrë solemne, duke nderuar një lider ndërkombëtar të rangut të lartë.

    Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli e priti ngrohtësisht z.Ruto, duke shtrënguar duart me të si shenjë miqësie dhe vlerësimi të thellë.

    Prishtinë, 19 prill 2019 – Garda ceremoniale e FSK-së është rreshtuar si zakonisht në pritje të një zyrtari të lartë, kësaj radhe për zv. Presidentin e Kenyas, Willlliam Ruto.
    Prishtinë, 19 prill 2019 – Garda ceremoniale e FSK-së është rreshtuar si zakonisht në pritje të një zyrtari të lartë, kësaj radhe për zv. Presidentin e Kenyas, Willlliam Ruto. Ky i fundit duke nderuar garden e ushtrisë dhe flamurin e Republikës së Kosovës.

    Nga aeroporti, z.Ruto vazhdoi axhendën e tij në Prishtinë, ku zhvilloi takime të rëndësishme me Presidentin Hashim Thaçi dhe Kryeministrin Ramush Haradinaj. Këto takime u fokusuan në çështjet e njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

    Ajo ditë solli jo vetëm një hap të rëndësishëm për të ardhmen e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Kenias, por edhe një shembull frymëzues për angazhimin ndërkombëtar në ndërtimin e lidhjeve miqësore.

    Prishtinë, 19 prill 2019 –Takimi i Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi me Zv.Presidentin e Kenyas, William Ruto.
    Prishtinë, 19 prill 2019 –Takimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj me Zv.Presidentin e Kenyas, Willlliam Ruto.

    Kur mendoj për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Kenias, më kujtohet me krenari momenti kur zëvendëspresidenti William Ruto u zgjodh President i Kenias më 9 gusht 2022. Ky ishte një hap i madh për Kenian dhe një mundësi e re për Kosovën.

    Në mars 2023, pata nderin të udhëtoj në Nairobi për të forcuar këto lidhje. Gjatë vizitës sime, Presidenti Ruto njoftoi njohjen e pasaportës së Republikës së Kosovës – një hap konkret dhe historik që shënoi fillimin e bashkëpunimit zyrtar mes dy vendeve tona.

    Nairobi, 19 prill 2019 –Vizita ime vite më parë në Nairobi të Kenias, kur takoja mikun tim William Ruto, tani president i Kenias.

    Më 10 korrik 2023, gjatë një takimi në pallatin presidencial në Nairobi, Presidenti Ruto shpalli një tjetër vendim të rëndësishëm: qytetarët kosovarë mund të udhëtojnë në Kenia pa viza. Ky ishte një moment që simbolizonte jo vetëm afrimin e dy vendeve, por edhe miqësinë e sinqertë që kemi ndërtuar ndër vite. Me humor, Presidenti Ruto tha se ndjehej “gjysmë kosovar,” një shprehje që reflektonte afërsinë dhe respektin e ndërsjellë.

    Këto momente janë dëshmi e fuqisë së diplomacisë dhe e përkushtimit tonë për të ndërtuar ura bashkëpunimi. Jam krenar për këtë rrugëtim dhe për mundësitë që po krijojmë për të dyja vendet tona.

    Nairobi, 17 mars 2023 – Momente nga pallati Presidencial i shtetit të Kenias, së bashku me Presidentin Ruto.

    Pas dy takimeve të suksesshme në Nairobi, ku Kenia njohu pasaportën e Kosovës dhe hoqi vizat për qytetarët kosovarë, ne hymë në një epokë të re të marrëdhënieve tona.

    Ishte një moment historik që dëshmoi vullnetin dhe përkushtimin e Kenias për t’i thelluar lidhjet tona. Në vazhdën e këtyre zhvillimeve, takimi në New York, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator të vitit 2024, erdhi si një hap i natyrshëm për të forcuar edhe më tej këtë miqësi të kahmotshme.

    New York, shtator 2024 – Me presidentin e Kenias, William Ruto, shtrënguam duarte çka simbolizon një bashkëpunim të ri dhe një angazhim për zhvillim të përbashkët dhe mbështetje reciproke në skenën ndërkombëtare.

    Gjatë këtij takimi, unë dhe Presidenti Ruto patëm mundësinë të vazhdojmë dialogun tonë të bazuar mbi respektin dhe vlerat e përbashkëta. Diskutuam mbi hapa konkretë për të avancuar qëllimin tonë kryesor: njohjen e Kosovës si shtet sovran. Ishte një moment i rëndësishëm që përforcoi rrugën tonë drejt një të ardhmeje më të ndritshme.

    Pas një rrugëtimi të gjatë diplomatik dhe përpjekjeve të palodhura, më 26 mars 2025, në një ceremoni zyrtare, Presidenti i Kenias, William Ruto, nënshkroi Notën Verbale që konfirmonte njohjen e Kosovës si shtet sovran. Ishte një moment historik për vendin tonë dhe për marrëdhëniet tona me Kenian.

    Nairobi, 26 mars 2025 – Ish – Presidenti Behgjet Pacolli, duke pranuar noten verbale të njohjes së Republikës së Kosovës nga shteti i Kenias.

    Gjatë nënshkrimit, Presidenti Ruto deklaroi: “Njohja e Kosovës si shtet i pavarur është një hap drejt forcimit të paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar. Ky vendim reflekton vlerat tona të përbashkëta dhe përkushtimin tonë për të mbështetur të drejtën e popujve për liri dhe sovranitet.”

    Këto fjalë ishin një dëshmi e mbështetjes së tij të sinqertë për Kosovën dhe për të ardhmen tonë si një shtet i njohur  ndërkombëtarisht.

    Nairobi, 26 mars 2025– Presidenti kenian, William Ruto, duke nënshkruar Noten Verbale, e cila konfirmon përfundimisht njohjen e Republikës së Kosovës.

    Nga ana ime, si përfaqësues i Kosovës, pata nderin të pranoj këtë dokument historik. Në atë moment, ndjeva një krenari të jashtëzakonshme për popullin tonë dhe për rrugën që kemi përshkuar. Unë theksova: “Kjo njohje është një fitore e madhe për Kosovën dhe një dëshmi e punës sonë të palodhshme për të ndërtuar marrëdhënie të forta dhe të qëndrueshme me komunitetin ndërkombëtar. Falënderoj Presidentin Ruto dhe popullin e Kenias për këtë akt të madh miqësie dhe mbështetjeje.”

    Ky moment shënon një kapitull të ri për Kosovën dhe për marrëdhëniet tona me Kenian, duke hapur dyer të reja për bashkëpunim dhe zhvillim të përbashkët.

    Nota Verbale e njhojes se Kosoves nga shteti i Kenias.
    Nairobi, 26 mars 2025 – Ish – Presidenti Behgjet Pacolli, me bashkëpuntorin e ngushtë Jetlir Zyberaj, dhe Presidentin Ruto, duke realizuar një fotografi që mbetet histori.

    Si raportuan mediat?

    Ngjarja historike që u zhvillua në Nairobi në Kosovë u prit me një entuziazëm të jashtëzakonshëm, duke ngjallur emocion dhe krenari kombëtare. Pas katër vitesh pritjeje, erdhi njohja shumë e pritur për pavarësinë e Kosovës, me Izraelin që u bë shteti i fundit që njohu pavarësinë në shkurt të vitit 2021.

    Ky zhvillim historik tronditi faqet kryesore të çdo gazete online, u pasqyrua në çdo program radiofonik dhe televiziv, duke u bërë temë qendrore e diskutimeve ndërkombëtare.

    Titujt e gazetave kosovare menjëherë pasi kuptuan se Kenia ka njohur Republiken e Kosovës.
    Ky ishte një nga raportimet e portalit Koha.net.
    Raportimi nga mediat më prestigjioze ndërkombëtare, siç është Reuters.
    Një nga raportimet e mediave nga kontinenti Afrikan.

    Reagimet nga spektri politik shqiptar  

    Njohja e Kosovës nga Kenia është një moment historik që ka ngjallur reagime të shumta dhe mirënjohje nga spektri politik shqiptar. Presidenti William Ruto i Kenias u vlerësua gjerësisht për vendimin e tij të guximshëm për të njohur pavarësinë e Kosovës, duke hapur rrugën për marrëdhënie diplomatike dhe bashkëpunim të thelluar mes dy vendeve.

    Një falënderim i veçantë iu adresua ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacollit, për përkushtimin dhe lobimin e tij të palodhshëm, që luajti një rol kyç në arritjen e kësaj njohjeje. Ky akt diplomatik është pritur me entuziazëm dhe krenari nga liderët shqiptarë, të cilët e shohin si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

    Falënderimi i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në momentin që ka pranuar Notën Verbale nga shteti i Kenias.
    Një falënderim për presidentin Ruto dhe Presidentin Pacolli nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
    Presidenti shqiptar Bajram Begaj, ka shkruar në platformen X një falenderim të veçant për Presidentin William Ruto.

    Njohja e Kosovës nga Kenia është një dëshmi e fuqisë së diplomacisë së qëndrueshme dhe e angazhimit afatgjatë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kjo arritje duhet të shërbejë si një shembull për përpjekjet e ardhshme në sigurimin e njohjeve të tjera për Kosovën dhe forcimin e pozitës së saj globale.