Tag: New York

  • Gjatë qëndrimit në New York takova edhe përfaqësuesen e Singaporit në OKB

    Gjatë qëndrimit në New York takova edhe përfaqësuesen e Singaporit në OKB

    Nju Jork, 22 shtator 2012

    Në kuadër të angazhimeve shtetërore për lobim për shtimin e njohjeve të reja për Republikën e Kosovës, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, i shoqëruar nga konsullja e nderit e Kosovës në Tajlandë, Mom Luang Rajadarasri, ka takuar konsullen e Singaporit në Nju-Jork, Yuin-Lyn NG.

    Gjatë këtij takimi, zëvendëskryeministri Pacolli informoi konsullen Lyn me zhvillimet aktuale politike në Kosovë, dhe proceset nëpër të cilat po kalon vendi ynë, veçanërisht në dhjetëvjeçarin e fundit të pasluftës.

    “Ne sapo kemi përmbyllur procesin e pavarësisë së mbikëqyrur, që nënkupton që në përpikëri kemi respektuar zotimet para faktorit ndërkombëtar. Kemi respektuar plotësisht pakon e të të dërguarit të OKB-së, Marti Ahtisari, dhe i kemi treguar botës demokratike, se Kosova është e përkushtuar seriozisht të avancojë përpara”, ka thënë Pacolli.

    Nga ana tjetër, konsullja Lyn është shprehur se shteti që përfaqëson ajo, ka përcjellë në vazhdimësi zhvillimet politike rreth Kosovës. Ajo ka shtuar se Singapori do të studiojë në mënyrë të detajizuar vendimin rreth njohjes së Kosovës.

  • Me kryeministrin Thaçi takuam sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton

    Me kryeministrin Thaçi takuam sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton

    Nju Jork, 20 shtator 2011

    Në kuadër të aktivitetit diplomatik në SHBA, delegacioni i Kosovës, i përbërë nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, Behgjet Pacolli u pritën nga Sekretarja e shtetit, Hillari Klinton.

    Sekretarja Klinton e përgëzoi delegacionin e Kosovës për angazhimin e vazhdueshëm për të ndërtuar dhe konsoliduar demokracinë dhe shtetin e Kosovës. Ajo i inkurajoi liderët e Kosovës për aktivitetet diplomatike, të cilat i vlerësoi si jashtëzakonisht efektive.

    Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton tha se SHBA-ja e mbështet fuqimisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe shtrirjen e autoritetit të Kosovës në gjithë territorin e saj. Sekretarja amerikane e Shtetit tha se bashkëpunimi me Bashkimin Evropian dhe misionin e tij në Kosovë për rendin dhe ligjin, EULEX, është i një rëndësie të veçantë dhe kjo shënon një përparim pozitiv dhe i inkurajoi autoritetet e Kosovës që të vazhdojnë të punojnë ngushtë me këtë mision. Ajo tha se është me rëndësi marrëdhënia e afërt me Bashkimin Evropian.

    Në New York në takim me sekretaren e shtetit të Amerikës, znj. Hillary Clinton.

    Zonja Clinton tha se SHBA-ja do të vazhdojë angazhimin e saj për ndihmë Kosovës në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane.

    Sekretarja amerikane e Shtetit tha se dialogu me Serbinë është e vetmja rrugë përpara dhe përshëndeti përkushtimin e Kosovës për këtë proces. Ajo tha se SHBA-ja po vazhdon t’i inkurajojë shtetet e tjera që të njohin pavarësinë e Kosovës.

    Sekretarja amerikane e Shtetit e inkurajoi thellimin e reformave të brendshme në Kosovë dhe i dha përkrahje liderëve të Kosovës në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

    Gjatë takimit, kryeminsitri Thaçi dhe Presidentja Jahjaga e falënderuan Sekretaren Clinton për mbështetjen dhe kontributin e vazhdueshëm që SHBA-së po e japin në procesin e shtetndërtimit në Kosovë dhe për konsolidimit të mëtejshëm të shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

  • Pacolli e Hoxhaj takojnë presidentin e Republikës së Nigerit, z.Mahamadou Issoufou

    Pacolli e Hoxhaj takojnë presidentin e Republikës së Nigerit, z.Mahamadou Issoufou

    New York, 23 shtator 2011

    Në kuadër të aktiviteteve lobuese në Nju Jork, zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, z.Behgjet Pacolli bashkw me ministrin e punëve të jashtme z.Enver Hoxhaj, kanë takuar  presidentin e Republikës së Nigerit, z.Mahamadou Issoufou.  

    Gjatë këtij takimi, përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, kanë shprehur falënderimin për presidentin Issoufou për mbështetjen që i ka dhënë Republikë së Kosovës, me aktin e njohjes si shtet i pavarur dhe sovran.

    Pacolli e Hoxhaj, po ashtu kanë kërkuar nga Presidenti Issoufou që të vazhdojë angazhimin e tij që edhe shtetet tjera të kontinentit afrikan të njohin Republikën e Kosovës.

    Presidenti Issoufou në anën tjetër, ka inkurajuar Pacollin e Hoxhajn që të vazhdojnë edhe më tutje angazhimin e tyre, duke shprehur vendosmërinë se njohja e Republikës së Kosovës nga Nigeri ka qenë vendimi më i drejtë që ka mundur të merret në këtë rast.

    Aktivitetet diplomatike në Nju Jork do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

  • Vazhdojnë aktivitetet e Zv/Kryeministrit Pacolli në Nju Jork

    Vazhdojnë aktivitetet e Zv/Kryeministrit Pacolli në Nju Jork

    New York, 22 shtator 2011

    Në kuadër të aktivitetit diplomatik në Nju Jork të SHBA-së, zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, ka takuar Presidentin e Guinesë Equatoriale, Teodoro Obiang.

    Gjatë këtij takimi, zëvendëskryeministri Pacolli, e informoi Presidentin Obiang, me situatën në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë. Zëvendëskryeministri Pacolli, kërkoi nga presidenti Obiang, që të shqyrtojë seriozisht njohjen e Kosovës, duke i argumentuar atij se një vendim i tillë, do të ishte në respektim të plotë të vullnetit të qytetarëve të Kosovës dhe opinionit këshillëdhënës të GJND-së.

    Presidenti Obiang në anën tjetër, ishte shumë konstruktiv në qasjen e tij në raport me kërkesën për njohje. Po ashtu, ai e ftoi zotin Pacolli që në një të ardhme të afërt të vizitojë Guinenë Ekuatoriale.

    Zëvendëskryeministri Pacolli takon presidentin e Afrikës së Jugut Jakob Zuma dhe atë të Eritresë, Isaias Afewerki.

    Gjatë takimit, me presidentin Zuma, zëvendëskryeministri Pacolli, shprehu falënderimin e tij, për pritjen që Presidenti Zuma i kishte rezervuar në Afrikën e Jugut, gjatë vizitës në këtë shtet. Me këtë rast z.Pacolli edhe njëherë ripërsëriti kërkesën për njohjen e Kosovës nga Afrika e Jugut.

    Në orët e mbrëmjes së ditës së martë, zëvendëskryeministri Pacolli ka zhvilluar një takim me presidentin e Eritresë, z. Isaias Afewerki.

    Zëvendëskryeministri Pacolli, i adresoi qartë Presidentit Afewerki kërkesën për njohjen e Republikës së Kosovës, si shtet i pavarur dhe sovran. Në anën tjetër, presidenti Afewerki u shpreh i kënaqur për informacionet e ofruara, duke premtuar se një vizitë e zëvendëskryeministrit Pacolli në Eritre, do të ishte shumë pozitivë në rrugën e lidhjes së miqësisë ndërmjet dy vendeve.

    Aktivitetet e zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli në Nju Jork do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Në agjendë janë paraparë edhe një numër i madh takimesh.

  • Zëvendëskryeministri Pacolli lobon në New York

    Zëvendëskryeministri Pacolli lobon në New York

    Në kuadër të angazhimeve lobuese për njohjen e Republikës së Kosovës, zëvendëskryeministri I parë I Qeverisë së Kosovës z.Behgjet Pacolli po qëndron në Nju Jork të SHBA-së, ku po zhvillohen punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. 

    Zoti Pacolli ka zhvilluar një takim të shkurtër me Presidentin e Tanzanisë Jakaya Kikwete dhe ministrin e Punëve të Jashtme të këtij shteti Bernard Membe.

    Edhe në këtë takim, zëvendëskryeministrit Pacolli i është rikonfirmuar se njohja nga Tanzania do të ndodhë në një të ardhme shumë të afërt. Po ashtu zoti Pacolli ka marrë garanci nga presidenti Kikwete se Tanzania do të angazhohet që Kosova ta ketë njohje nga të gjitha shtetet anëtare të SADC (komuniteti zhvillimor i vendeve të Afrikës Jugore), në të cilën bëjnë pjesë 14 shtete.

    Zëvendëskryeministri Pacolli, në ditët në vijim do të zhvillojë takime të shumta me udhëheqës të shteteve që ende nuk e kanë njohur Kosovën.