Në kabinetin e Presidentit të Republikës, sot është zhvilluar ceremonia e dorëzim-pranimit të detyrës nga ish-Ushtruesi i Detyrës së Presidentit, dr. Jakup Krasniqi, te Presidenti i zgjedhur i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli.
Në takim, z.Krasniqi i uroi detyrën dhe sukses në kryerjen e saj Presidentit Pacolli. Ndërsa, z.Pacolli tha se me z.Krasniqi, si kryetar i Kuvendit, do të ketë bashkëpunim të vazhdueshëm, në interes të ndërtimit të një shteti të sinqertë për të gjithë qytetarët e Kosovës.
“Sot ishte një fillim shumë i mirë, i mbarë i ditës së punës. Me z.Krasniqi, kryetar i Kuvendit të Kosovës, do të vazhdojmë të bashkëpunojmë në të ardhmen”, u shpreh Presidenti Pacolli, duke folur për media, pas takimit.
“Kuvendi i Kosovës, me votat e veta, i ka dhënë besimin z.Pacolli për të qenë President i Kosovës dhe unë jam sot këtu për t’ia uruar detyrën. Pushtetet janë të ndara dhe ne do t’i kryejmë detyrat tamam ashtu siç e jep Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe ligjet me të cilat punojnë dy institucionet”, theksoi ndërkaq kryetari i Kuvendit të Kosovës, z.Jakup Krasniqi.
Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, z.Sali Berisha i ka dërguar një mesazh urimi Presidentit të ri të Kosovës, z. Behgjet Pacolli, me rastin e zgjedhjes së tij në këtë detyrë.
Në telegram thuhet: I nderuar z. President, zgjedhja Juaj në pozicionin e Presidentit të Kosovës më jep kënaqësinë e veçantë, që në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare, t’ju përcjell përshëndetjet më të përzemërta dhe urimet më të ngrohta e miqësore për sukses në misionin e lartë e të rëndësishëm përpara. Republika e Kosovës dhe qytetarët e Kosovës kanë korrur arritje të mëdha historike gjatë kësaj periudhe dhe unë ruaj besimin se, si President i shtetit më të ri të Evropës, Ju do të sillni një kontribut të ri në konsolidimin e mëtejshëm të këtyre arritjeve dhe në shndërrimin e Kosovës në një faktor edhe më të rëndësishëm paqeje e stabiliteti dhe promovuese të miqësisë e të bashkëpunimit në rajon. Gjej rastin t’ju siguroj se qeveria shqiptare dhe unë personalisht jemi tërësisht të angazhuar dhe të vendosur për të ndërtuar marrëdhëniet më të shkëlqyera e vëllazërore dhe për të shndërruar bashkëpunimin e ngushtë e të gjithanshëm ndërmjet të dyja vendeve në shembullin më kuptimplotë të bashkëpunimit, në shërbim të forcimit të paqes, promovimit të miqësisë, zhvillimit e mirëqenies jo vetëm të kombit shqiptar, por të të gjithë popujve të rajonit, si dhe për ecjen përpara në rrugën e përbashkët euroatlantike. Duke shpresuar t’ju pres së shpejti në Tiranë, dëshiroj t’ju ripohoj sigurimet e konsideratës sime më të lartë.
Presidentja e Konfederatës së Zvicrës, znj.Micheline Calmy-Rey e ka uruar Presidentin e sapozgjedhur të Republikës së Kosovës, Shkëlqesinë e Tij, z. Behgjet Pacolli.
Në urim thuhet:
Shkëlqesisë së tij, Z.Behgjet Pacolli, President i Republikës së Kosovës
Me rastin e zgjedhjes President i Republikës së Kosovës, kam kënaqësinë që, në emër të Këshillit Federal Zviceran, t’ju shpreh përgëzimet e mia të ngrohta dhe dëshirat më të mira për suksesin e misionit tuaj të lartë dhe për prosperitetin e popullit kosovar. Lidhjet tona të miqësisë dhe bashkëpunimit të tashëm do të intensifikohen edhe më në të ardhmen.
Ju lutem, z. President, pranoni përshëndetjet tona të zgjedhura. Micheline Calmy-Ray
Bashkëngjitur e keni urimin e znj.Micheline Calmy-Rey.
Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorgji Ivanov i ka dërguar një mesazh urimi Presidentit të ri të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli.
“Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë t’ju shpreh urimet e mia më të sinqerta me rastin e zgjedhjes Suaj si President i Republikës së Kosovës. Gjithashtu, më lejoni të përfitoj nga rasti dhe t’ju uroj sukses në kryerjen e funksionit tuaj përgjegjës, shëndet të mirë dhe lumturi personale”, shkruan të telegramin e tij Presidenti Ivanov.“Jam plotësisht i bindur që, në një kohë të shkurtër, me forca të përbashkëta, do të nxisim dhe forcojmë marrëdhëniet mes dy shteteve tona dhe me këtë do të kontribuojmë në thellimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit të ndërsjellë mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kosovës, përfshirë fushën e marrëdhënieve bilaterale dhe shumëpalëshe me interes të përbashkët. Për këtë qëllim, ne do të japin kontributin tonë për vizionin që ne të gjithë e ndajmë për rajon të qëndrueshëm dhe të begatë me perspektivë Euro-Atlantike”, thekson, mes të tjerash, në urimin e tij Presidenti i Maqedonisë, Dr. Gjorge Ivanov.
Presidenti i Republikës së Italisë, Giorgio Napolitano i ka dërguar një mesazh urimi Presidentit të ri të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli.
Në mesazh thuhet:Dëshiroj t’ju shpreh urimet e mia më të përzemërta për zgjedhjen Tuaj si President i Republikës së Kosovës. Italia është shumë e angazhuar në Kosovë, qoftë në planin dypalësh, po ashtu edhe përmes pjesëmarrjes në misionet ndërkombëtare, në mbështetje të sigurisë, të forcimit të rendit dhe të ligjit, si dhe të zhvillimit ekonomik.
Dëshiroj shumë që marrëdhëniet tona dypalëshe të vazhdojnë me intensifikimin dhe thellimin e tyre.Italia, po ashtu, mbështet me bindje të plotë perspektivën evropiane të Kosovës, si dhe rritjen e dukshme të kontributit që mund ta japë vendi Juaj në stabilitetin e gjithë hapësirës ballkanike, po ashtu në bashkëpunimin rajonal. President, Ju lutem, pranoni urimet e mia më të zjarrta për një sukses të plotë në mandatin Tuaj të lartë dhe në prosperitetin e gjithë popullit të Kosovës”, shkruan Giorgio Napolitano.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ditën e parë të punës e ka nisur me homazhe para varrit dhe vizitën në familjen e Presidentit Historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, me homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz dhe vizitën në familjen Jashari, me homazhet në varrezat e dëshmorëve në Gllogjan dhe vizitën në familjen Haradinaj dhe me homazhet para varrit të Heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti dhe vizitën në familjen Pajaziti në Orllan.
Gjatë bisedës me familjen Rugova, Presidenti Pacolli foli për kontributin e madh që ka dhënë Presidenti historik, dr. Ibrahim Rugova për popullin dhe shtetin e Kosovës.
Homazhe tek varri i Presidentit Historik dr.Ibrahim Rugova.
“Isha në rezidencën e presidentit historik të Kosovës edhe njëherë të dëshmoj se jam më se i përgatitur ta çojë përpara idenë e tij për forcimin e shtetit të pavarur të Kosovës. Ka shumë punë për t’u bërë dhe jam i gatshëm tani më shumë se asnjëherë për të vepruar”, theksoi Presidenti Pacolli, pas vizitës në familjen Rugova.
Në Rezidencen e familjes së presidentit historik Ibrahim Rugova.
Në vazhdim, Presidenti Pacolli shkoi në Prekaz. Fillimisht ai bëri homazhe para varrit të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe dëshmorëve të tjerë në Kompleksin Memorial në Prekaz, ndërsa më pas vizitoi familjen Jasharaj, ku u prit nga Rifat Jashari.
Homazhe para varrit të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe dëshmorëve të tjerë në Kompleksin Memorial në Prekaz.
Në takimin e përzemërt dhe vëllazëror në odën e Jasharajve, Presidenti Behgjet Pacolli duke përshëndetur të zotin e shtëpisë, bacën Rifat, tha se “sakrifica e heronjve të kësaj shtëpie vuri themelet e shtetit”.
“Familja juaj është një institucion i shtetësisë së Kosovës. Unë betohem se do ta çoj përpara me gjithë fuqinë, me gjithë mundësitë e mia idenë e dëshmorëve për shtetin e Kosovës”, tha Presidenti Behgjet Pacolli.
Shtrënguam duartë me bacën Rifat në takimin e përzemërt dhe vëllazëror në odën e Jasharajve.
Baca Rifat, duke falënderuar për vizitën e Presidentit Pacolli, tha se “tash duhet me u përpjekë të jeni njëshi i shtetit dhe t’i shihni të gjithë në mënyrë të barabartë”. Ai gjithashtu i ofroi Presidentit Pacolli gjithë mbështetjen politike dhe morale të familjes Jashari.
Ndërkaq, Presidenti Pacolli, pas takimit, u shpreh: “Isha në familjen Jashari dhe premtova se do të punoj me çdo gjë që idenë e komandantit legjendar Adem Jashari ta çojmë deri në fund. Ideja e tij ka qenë ndërtimi i shtetit demokratik ku qytetarët e Kosovës do të jetojnë me një mirëqenie të mirë, të qetë dhe të pavarur”.
Në odën e bacës Rifat, në Kullat e Jasharajve, vizita ime e parë si president i Republikës së Kosovës. Fjalët dhe porositë bacës e Rifat, do t’i mbajmë me vete çdo herë, konsultat dhe këshillat nga ai janë gjithnjë të dobishme e jashtëzakonisht të vlefshme.
“Jam shumë krenar që isha këtu. Nuk është hera e parë. Kam ardhur gjithmonë dhe do të vij edhe në të ardhmen për të konfirmuar edhe një herë vullnetin tim shumë të madh për të punuar për Kosovën. Kjo familje është e shenjtë dhe do të mundohem që në mandatin tim të krijohen kushtet që kjo familje të ketë në Prishtinë një përfaqësi institucionale”, tha Presidenti Pacolli.
Nga ana e tij, Rifat Jashari i ka uruar z.Pacolli zgjedhjen në detyrën e Presidentit, duke i thënë se do ta ketë përkrahjen e familjes Jashari dhe duke i dëshiruar shëndet dhe sukses në kryerjen e detyrës së tij.
Nga Prekazi, Presidenti Pacolli vazhdoi rrugën për në Gllogjan, ku fillimisht vendosi kurora lulesh dhe bëri homazhe para varrezave të dëshmorëve në këtë fshat, ndërsa më pas vizitoi edhe familjen Haradinaj, ku u prit nga Hilmi Haradinaj, kryetari i komunës së Deçanit Rasim Selmanaj, si dhe banorë të shumtë të fshatit.
Homazhe dhe vendosje kurora lulesh tek varrezat e dëshmorëve në fshatin Gllogjan.
Presidenti Pacolli vlerësoi mikpritjen e rrallë të kësaj familjeje që kishte pasur rastin ta vizitonte shumë herë. Ai tha se e konsideronte shtëpinë e tyre si pikë referimi për gjithë Kosovën.
Nga ana e tij, Hilmi Haradinaj e uroi Presidentin Pacolli për detyrën e re dhe shprehu besimin se Presidenti Pacolli do të jetë president i të gjithë kosovarëve.
Vizitë në familjen Haradinaj, ku u prita nga Hilmi Haradinaj, kryetari i komunës së Deçanit Rasim Selmanaj, si dhe banorë të shumtë të fshatit.
Duke folur pas vizitës në familjen Haradinaj, Presidenti Pacolli tha se familja Haradinaj ka vlerë shumë të madhe për Kosovën. “Këta dëshmorë që kanë rënë këtu, djemtë e tij (Hilmi Haradinajt), e kanë vulosur pavarësinë e Kosovës. Është obligim i yni që ne këtë pavarësi ta dekorojmë me një ndërtim të një shteti të sinqertë, ku të gjithë qytetarët e Kosovës do ta gjejnë veten, do të jetojnë në qetësi dhe në mirëqenie.
Në vijim, Presidenti Pacolli bëri homazhe para varrit të Heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti, në Orllan, ku u prit nga një numër i madh qytetarësh, si dhe zhvilloi një bisedë të përzemërt me familjen Pajaziti.
Homazhe tek varri i Heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti.
“Ishim edhe në familjen e dëshmorit tonë Zahir Pajaziti. Vëllanë e dëshmorit e inkurajova dhe i premtova se do të punoj për ta çuar idenë dhe dëshirën e dëshmorit Zahir Pajaziti deri në fund, të krijoj dhe të forcoj një shtet të pavarur të Kosovës, një shtet që garanton të drejtat e barabarta për çdo qytetar dhe një shtet që krijon mirëqenie për çdo qytetar”, theksoi Presidenti Pacolli pas vizitës në familjen Pajaziti.
Ishim edhe në familjen e dëshmorit tonë Zahir Pajaziti. U pritëm nga vëllai i dëshmorit Pajaziti.
Menjëherë pasi u votua nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe u zgjodh president i vendit, Behgjet Pacolli dha dorëheqjen nga të gjitha detyrat partiake në krye të Aleancës Kosova e Re dhe anëtarësia në këtë parti
Menjëherë pasi u votua nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe u zgjodh president i vendit, Behgjet Pacolli dha dorëheqjen nga të gjitha detyrat partiake në krye të Aleancës Kosova e Re dhe anëtarësia në këtë parti.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli ka marrë urimet e para për zgjedhjen në detyrën e re.
Sapo Parlamenti i Kosovës votoi për President të Republikës zotin Behgjet Pacolli, atij i mbërritën telefonatat e para të urimit nga homologë apo personalitete të shquara ndërkombëtare.I pari që i telefonoi Presidentit Pacolli ishte numri një i shtetit shqiptar, zoti Bamir Topi.
Në telefonatën e përzemërt dhe vëllazërore, zoti Topi i uroi homologut të vet të Kosovës suksese në kryerjen e detyrës së lartë dhe e garantoi në mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur të Shqipërisë për Kosovën. Dy Presidentët diskutuan mundësinë e takimeve në të ardhmen.
Në zyrën e tij, Presidenti Behgjet Pacolli mori urimet më të mira për detyrën e tij të re dhe nga shefi i pranisë ndërkombëtare në Kosovë, Piter Faith (Peter Feith). Më pas Presidentin Behgjet Pacolli e uruan me radhë ish Presidenti kroat Stipe Mesiç, ish Presidenti i Shqipërisë, Rexhep Meidani dhe shumë personalitete të tjera publike nga vendi dhe bota.