Prishtinë, 14 shtator 2018
Një ditë para pritjes zyrtare dhe protokollare, në shtëpinë time prita ministrin e jashtëm të Shqipërisë, mikun tim Ditmir Bushatin.
Edhe pse në një ambient miqësor, biseduam për shumë tema të interesit të përbashkët. Shqipëria dhe Kosova funksionojnë si një trup në mbrojtjen e interesave në politikën e jashtme.


Kurse të nesërmen në orët e hershme kisha organizuar pritjen e homologut tim nga Republika e Shqipërisë, Ditmir Bushati, në zyrat e MPJ-së.
Agjendë jona e përbashkët kishte për fokus identifikimin e çështjeve në të cilat mund të thellohet bashkëpunimi dhe propozimi i hapave për adresimin e sfidave të përbashkëta në fushën e politikës së jashtme dhe diplomacisë.
Republika e Shqipërisë fuqishëm mbështet Kosovën në cdo aspekt dhe për shtetin tonë, në secilën periudhë që nga koha e luftës mbështetja e shtetit shqiptar ka qenë jetike. E tillë do të jetë edhe në të ardhmen.

Të jemi të qartë: Kosova nuk ka nevojë të përfaqësohet nga asnjë shtet tjetër, ngase ka institucionet e veta të cilat udhëheqin suksesshëm me vendin në secilin proces por të cilat kanë nevojë për mbështetje edhe në të ardhmen.
Mbështetja e Kosovës nga Shqipëria dhe aleatët e fuqishëm botëror SHBA dhe BE është garanci e të ardhmes tonë të ndritur.

Në takimin tonë e informova Bushatin për rrjedhën aktuale të dialogut duke potencuar se marrëveshja me Serbinë duhet të arrihet sa më shpejtë që të jetë e mundur.
“Dialogu përfundimtar me Serbinë pothuajse ka filluar, ka pasur tri takime, takimet vazhdojnë. Edhe pse jashtëzakonisht i vështirë ai duhet të vazhdojë, është i kufizuar në kohë, nuk do të zgjatë me dhjetëra vite por ai duhet të japë konkluzionet e veta shumë shpejtë dhe kjo i nevojitet edhe Serbisë për integrimet e saj, por edhe Kosovës”

E njofotova se në dialogun me Serbinë gjithçka është e hapur, por duke pasur parasysh se Kosova është një shtet që shpalli pavarësinë në 2008 në territorin e saj këto kufij duhet të respektohen dhe mbrohen.
Edhe në konferencen për media i kërkova mikut tim, Bushatit, që edhe pala shqiptare të mos “rrijë duarkryq” dhe vetëm të vëzhgojë çfarë po ndodhë, por të jetë pjesë përbërëse e synimit tonë.
“Nëse mundet Bashkimi Evropian dhe SHBA të jenë prezente pse jo edhe Shqipëria. Shqipëria mund të jetë një kontribut jashtëzakonisht të madh”
Ministri Bushati vlerësoi se Shqipëria ka mbështetur gjithmonë procesin e dialogut, pavarësisht se kush ishte ose është në pushtet në Shqipëri apo Kosovë.
“Deviza jonë në Shqipëri është që Kosova është gjithmonë e para dhe kësaj devize besoj se i jemi përmbajtur me besnikëri pavarësisht pozicioneve të ndryshme politike që aktorë të ndryshëm në Shqipëri mund të kenë për çështje të karakterit lokal, kur të vjen puna për këtë çështje ne kemi demonstruar një unitet dhe solidaritet”

Ministri Bushati u ndal tek çështjet e bashkëpunimit dypalësh, intensifikimi i punës së përbashkët për rritjen e përfaqësimit të Kosovës në organizatat rajonale dhe më gjerë, mbledhja e përbashkët e dy qeverive si dhe dialogu Kosovë-Serbi.
Ministri Bushati nënvizoi mbështetjen e padiskutuar dhe të qëndrueshme të Shqipërisë për Kosovën.
“Deviza jonë është që Kosova është gjithmonë e para dhe kësaj devize besoj se i jemi përmbajtur me besnikëri pavarësisht pozicioneve të ndryshme politike që aktorë të ndryshëm në Shqipëri mund të kenë për çështje të karakterit lokal. Kur vjen puna për këtë çështje kemi demonstruar unitet dhe solidaritet”
Duke iu referuar dialogut, Ministri Bushati nënvizoi nevojën “për të vijuar në këtë proces me durim strategjik, kreativitet dhe me vendosmëri për të konsoliduar Kosovën dhe arritjen e mundimshme të saj”.
Të dy theksuam se gjithashtu për mbështetjen që Shqipëria mund t’i ofrojë Kosovës në procese të tjera, të tilla si anëtarësimi në INTERPOL dhe organizatat e tjera.
Ata diskutuan mbi misionet e përbashkëta diplomatike të Kosovës dhe Shqipërisë jashtë vendit, nevojën për të rritur shkëmbimin tregtar midis dy vendeve dhe për të thelluar bashkëpunimin në të gjitha fushat.






