Zëvendëskryeministri Pacolli ka takuar Presidentin e Irakut z.Jalal Talabani

Berlin, 14 shtator 2012

Në kuadër të angazhimit diplomatik për shtimin e numrit të njohjeve për Republikën e Kosovës, zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, z.Behgjet Pacolli, ka takuar në Berlin, presidentin e Irakut, z.Jalal Talabani.

Në një takim të gjatë dhe miqësor, zëvendëskryeministri Pacolli dhe presidenti Talabani, diskutuan për proceset politike nëpër të cilat po kalojnë dy vendet. Zëvendëskryeministri Pacolli prezentoi para presidentit Talabani, arritjet e Republikës së Kosovës që nga shpallja e pavarësisë me 27 shkurt 2008, që kulmuan me përmbylljen e pavarësisë së mbikqyrur.

Gjithashtu, zëvendëskryeministri Pacolli shprehu besimin e tij që Kosova dhe Iraku në një periudhë të shpejtë, të ndërtojnë marëdhënie diplomatike, dhe të shkëmbejnë përvojat e ndërtimit të demokracisë dhe stabilitetit.

Në këtë kontekst, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, kërkoi zyrtarisht edhe njëherë nga presidenti Talabani njohjen e Republikës së Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran.

Në anën tjetër, presidenti Talabani, ka shprehur kënaqësinë e tij për takimin me zëvendëskryeministrin Behgjet Pacolli. Z.Talabani ka thënë se interesimi i Republikës së Kosovës për të krijuar miqësi me shetin e tij është për tu vlerësuar.

Gjithashtu, presidenti Talabani, ka ftuar zëvendëskryeministrin Pacolli në vizitë zyrtare në Irak për të diskutuar më gjerësisht për hapat e mëtutjeshëm, për krijimin e raporteve ndërshtetërore.