Në Nju Jork takova përfaqësuesin e përhershëm të mbretërisë së Bhutanit në OKB, Lhatu Wangchuk

New York, 20 shtator 2012

Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, z.Behgjet Pacolli është duke qëndruar në Nju Jork të SHBA, për ti përcjellur nga afër punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Në ditën e parë të qëndrimit në Nju Jork, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli i shoqëruar nga konsullja e nderit e Republikës së Kosovës në Tajlandë, princesha Mom Luang Rajadarasi, është takuar me përfaqësuesin e përhershëm të Mbretërisë së Bhutanit në OKB, z.Lhatu Wangchuk.

Zëvendëskryeministri Pacolli, njoftoi përfaqësuesin e Bhutanit, me proceset në të cilat ka kaluar Kosova, veqanërisht pas shpalljes së pavarësisë me 2008.

“Ne jemi një vend që kemi kaluar nëpër një periudhë të vështirë, praktikisht Serbia ka ushtruar gjenocid ndaj nesh në periudhën e viteve 90-ta. Pas intervenimit të NATO-s, Kosova konform udhëzimeve të bashkësisë ndërkombëtare, ka ardhur deri tek shpallja e pavarësisë. Gjithashtu, konform planit të të dërguarit të OKB-së, z.Ahtisari ne kemi shpallur pavarësinë duke garantuar respektim të plotë të të drejtave të minoriteve. Edhe GJND-ja vlerësoi se Kosova me shpalljen e pavarësisë nuk ka rënë ndesh me të drejtën ndërkombëtare”, ka thënë zëvendëskryeministri Pacolli, duke ripërsëritur kërkesën për njohjen e Republikës së Kosovës.

Në anën tjetër përfaqësuesi i përhershëm i mbretërisë së Bhutanit, z. Wangchuk, I konfirmoi zëvendëskryeministrit Pacolli që shteti i tij është duke e studiuar qështjen e Kosovës. 

Në këtë kontekst, z. Wangchok ka thënë se për grumbullimin e sa më shumë informative është shumë i mirëseardhur edhe takimi që do të zhvillohet në ditët e ardhshme ndërmjet zëvendëskryeministrit Pacolli dhe ministrit të punëve të jashtme të Bhutanit, që  udhëheq delegacionin e këtij shteti gjatë samitit në OKB.

Sipas agjendës, zëvendëskryeministri Pacolli  gjatë qëndrimit në Nju Jork do të zhvillojë dhjetëra takime me përfaqësues shtetesh që ende nuk na kanë njohur.