Prishtinë, 17 shkurt 2019 –
Në jetë kam firmosur shumë dokumenta, kontrata dhe marrëveshje. Por asnjë, nuk vlenë më shumë se nënshkrimi i deklaratës së pavarësisë. Është ndër dhuratat më të bukur nga Përendia!

Sot kur shënojmë 11 vjetorin e deklaratës së Pavarsisë, themelimit të shtetit, që për të shumë sakrifikuan, shumë nga familjarët tanë, atdhetarët tanë, ranë te muri i robërisë, te muri i pushtimit, për ta rrënuar këtë murë për të jetuar të lirë sikur popujt e tjerë të botës.
Kjo ditë për popullin tonë është begati nga Zoti i madh. Shtetin duhet ta vendosim në binarë të begatisë, duhet të kalohet kriza e vlersimit nga shumëkush.

Njerëzit sot kanë pak gatishmëri për të vlerësuar atë çfarë është arritur. Prandaj shohim ankesa që vijnë nga shtresa të ndryshme të shoqërisë.
Vlerësimi i begatisë është garanc për shfrytëzimin e duhur të saj por edhe për ruajten e saj. Andaj, ta ruajmë e vlersojmë shtetin tonë të cilin e ndërtuam si rezultat i sakrificës së shumë gjeneratave që lirinë dhe vlerat humane i kishin bazament.
Shteti ynë do të forcohet dhe do ti shërbejë paqes dhe sigurisë së qytetarëve të vet dhe botës përgjithësisht. Shpallja e Pavarësisë së Kosovës para njëmbëdhjetë vjetëve ishte akti historik më sublim që institucionalizoi përpjekjet tona për liri. Për këtë të arritur të gjithë qytetarët tanë janë meritorë.

I falënderojmë të gjithë miqtë tanë, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kontribuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. U jemi mirënjohës përjetë!
Në mëngjes ditën e filluam duke mbajtur mbledhje të Qeverisë së Kosovës.

Pas mbledhjes së qeverisë aktiviteti ynë kalojë në sheshin “Ibrahim Rugova”, ku gjendet e statuja e ish – presidentit historik. Së bashku me Presidentin Thaçi dhe kryeministrin Haradinaj, duke nderuar figuren e presidentit Rugova, vendosë, kurora lulesh tek shtatorja e tij.

Nga aty vazhduam në sallën e Kuvendit të Kosovës, aty ku para 11 viteve i’u dha vula Republikës së Kosovës. Në atë mbledhje ku morën pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur.


Foto nga parakalimi i Ushtrisë, me rastin e 11 vjetorit të ditës së Pavarësisë
Pas një dekade shtet dhe dy dekadave liri, Republika e Kosovës e festoi 11 vjetorin e shtetësisë me ushtrinë e saj. Parakalimi i sotëm i tyre ishte me plot krenari dhe dinjitet.

Emblema e dinjitetit dhe krenarisë sonë, ushtria e Republikës së Kosovës, në parakalimin e parë historik. Euro-atlantike në përbërje, globale në synimet për paqe, ushtria jonë është vlera më e qëndrueshme e Shtetit të Kosovës.


Homazhe në Prekazin historik në 11 vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës
Dita e pavarësisë është reflektim i përpjekjeve dhe sakrificës së shumë gjeneratave, të cilët dhanë gjithçka për të qenë të lirë dhe të pavarur. Nder dhe respekt të përjetshëm për të gjithë të rënët dhe ata që kontribuan nëpër vite për këtë ditë!
Në Prekaz, aty ku buron liria, nderimi është i përhershëm për Jasharajt dhe Kryekomandantin Adem Jashari, të cilët ndryshuan rrjedhën e historisë sonë të re. Komandant, në 11-vjetorin e Pavarësisë, Forca jonë është në rresht me ushtritë e paqes!



Plagët e luftës së fundit nuk mund të mbyllën dhe nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme pa ndriçimin e plotë të të vërtetës së luftës në Kosovë. Homazhe edhe tek Obelisku i të Pagjeturve, me presidentin Thaçi dhe kryeministrin Haradinaj.

Momente nga pritja shtetërore me rastin e 11 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Shpallja e Pavarësisë
Më 17 shkurt të vitit 2008 Kuvendi i Republikës së Kosovës shpalli Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Në një mbledhje ku morën pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur.
Ligjshmëria e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës për një kohë ka qenë temë e diskutueshme. Serbia duke kundërshtuar kërkonte vlerësimin e vlefshmërisë ndërkombëtare dhe mbështetje për pozicionin e saj, gjoja se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës ishte e paligjshme. Në vazhdën e kësaj ecurie, në tetor të vitit 2008, Serbia kërkoi një opinion këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Më 22 korrik 2010, Gjykata konstatoi se Deklarata e Kosovës për Pavarësi, nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Njohjet
Deri tani 115 entitete sovrane, nga të cilët 112 nga 193 shtete anëtare të OKB kanë njohur formalisht Republikën e Kosovës dhe 3 shtete që nuk janë anëtare të OKB. Shumica e vendeve të Bashkimit Evropian gjithashtu e kanë njohur Kosovën (23 nga 28). Njëzetekatër (24) anëtarë të NATO-s nga njëzetetetë (28) gjithsej e kanë njohur Kosovën.

Komunikatë për media me rastin e 11 vjetorit të Pavarsisë

Kosova do të shtrijë dhe përforcojë rrjetin diplomatik në disa kontinente, Ambasadat në Tajlandë, Bangladesh janë hapur, kurse në Kolumbi dhe Ganë hapen së shpejti
Prishtinë, 19 shkurt 2019 – Në vitin e njëmbëdhjetë të ekzistencës së saj si shtet i pavarur, sovran dhe i mirë integruar në komunitetin ndërkombëtarë të shteteve, Republika e Kosovës do të vazhdojë të shtrijë dhe përforcojë edhe më shumë rrjetin e saj diplomatik në disa kontinente. Mbretëria e Tajlandës, Republika Popullore e Bangladeshit, Republika e Kolumbia-s dhe Republika e Ganës janë disa nga shtetet, ku pritet të hapen dhe funksionalizohen Ambasadat e reja të Republikës së Kosovës brenda këtij viti kalendarik.
Nëpërmjet këtyre Misioneve të reja Diplomatike, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës synon të mbulojë edhe disa shtete të tjera nëpërmjet akreditimeve jo-rezidente, me qëllimin e zgjerimit të bashkëpunimit dhe vendosjes së partneriteteve sipas interesave të përbashkëta. Ministria e Punëve të Jashtme tashmë ka ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet për procedurat respektive, që ndërlidhen me hapjen dhe funksionalizimin e plotë të këtyre Ambasadave.
