Erbil, Irak – 15 qershor 2026 – Në kuadër të një vizite zyrtare dhe miqësore në Irak dhe në Rajonin e Kurdistanit, Presidenti Behgjet Pacolli, njëherit themelues i MABETEX HOLDING, ka zhvilluar takime të nivelit të lartë me autoritetet lokale dhe përfaqësues të rëndësishëm të sektorit të investimeve, duke shënuar një hap të ri në zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik ndërkombëtar.
Gjatë vizitës, Presidenti Pacolli u prit nga Kryeministri i Rajonit të Kurdistanit, Masrour Barzani, ku u diskutuan projektet e zhvillimit urban dhe investimet strategjike që synojnë transformimin e qyteteve kryesore të rajonit.

Në qendër të vizitës ishte prezantimi dhe nisja e projektit madhor “Boulevard Mosul”, një zhvillim urban modern i realizuar në bashkëpunim me kompanitë ndërkombëtare të grupit Mabetex Group, në partneritet me Almounif Holding dhe platformën zhvilluese MPC (Multi Projects Company).
Sipas prezantimeve të projektit të publikuara nga grupi implementues, “Boulevard Mosul” përfaqëson një masterplan të integruar urban që synon krijimin e një qyteti modern brenda qytetit, duke përfshirë zona rezidenciale, komerciale dhe rekreative të standardeve ndërkombëtare.

Projekti parasheh ndërtimin e rreth 2,500 njësive banimi moderne, qendra tregtare të integruara (Shopping Center), hapësira edukative dhe sportive, si dhe infrastrukturë të plotë urbane që synon të ndryshojë standardin e jetesës në Mosul.
Një komponent i veçantë i zhvillimit është edhe ndërtimi i Swiss Diamond Boutique Hotel me 250 dhoma, i konceptuar si pjesë e ofertës turistike dhe biznesore të qytetit.
Në prezantimet e bëra nga përfaqësuesit e MPC dhe partnerët e projektit, u theksua se “Boulevard Mosul” është një nga projektet më të mëdha private të zhvillimit urban në rajon, me një vlerë investimi që tejkalon 400 milionë euro dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në krijimin e mijëra vendeve të reja të punës.

Presidenti Pacolli vlerësoi bashkëpunimin me partnerët lokalë dhe ndërkombëtarë, duke theksuar rëndësinë e projekteve që sjellin zhvillim afatgjatë dhe transformim urban në qytete me potencial të madh si Mosuli.
Vizita dhe nënshkrimi i marrëveshjes shihen si një hap i rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërkombëtar dhe në forcimin e rolit të investimeve private në rindërtimin dhe modernizimin e Irakut.




