Prishtinë, 14 mars 2018
Me shtetet mike dhe partnere takimet gjithherë janë produktive. I tillë ishte edhe ky i sotëm me Zëvendëskryeministren dhe Ministrën e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane, Marija Pejčinović Burić.
Dy popujt dhe vendet tona kanë lidhje të forta dhe të veçanta. Ri-konfirmuam përkushtimin e dy-anshëm institucional, që këtyre lidhjeve ekzistuese t’i japim sinergji të reja. Nga çështjet e nivelit bilateral politik, ato të sigurisë, zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik deri tek kultura e sporti.
Kroacia do të jetë zë dhe krah i fuqishëm i Kosovës për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtarë dhe integrimin e plotë të saj në strukturat euro-atlantike dhe të gjitha Organizatat Ndërkombëtare.
Ka shumë arsye që Kosova dhe Kroacia do të jenë partnerë strategjik. Veç çështjeve tjera, homologia ime shprehi gatishmërinë dhe vullnetin, që të ndihmojë edhe në lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në Bosnje dhe Hercegovinë dhe anasjelltas për të cilën i jam mirënjohës.
Gjatë konferencës së përbashkët për media thash se Kosova dhe Krocia janë në bashkëpunim të ngushtë sa i përket të gjitha problemeve rajonale.
“Kosova është e hapur për partnerë të biznesit nga Kroacia. Partnerët nga Kroacia mund të ofrojnë shumëçka nga eksperienca e tyre, duke shtuar se ata në Kosovë mund të gjejnë një ambient shumë adekuat i cili praktikisht ofron edhe hapësirë dhe fuqi punëtore proaktive të gatshme për sfida”
Fola edhe për dëshirën që të ketë lëvizje të lirë në mes të qytetarëve të Bosnjë e Hercegovinës dhe Kosovës.
“Jam shumë falënderues se në të gjitha takimet bilaterale dhe multiraterale që i kemi patur Kroacia ka qenë zë i theksuar i Kosovës dhe në asnjë takim Kroacia nuk ka hezituar për t’i trajtuar problemet edhe për Kosovën. Kroacia do të jetë edhe më tutje zë i Kosovës sidomos në marrëdhëniet me Bosnjë e Hercegovinën. Ministrja më ka premtuar se do të ndërmjetësojë që të krijojmë kushte për lëvizjen e lirë të qytetarëve mes dy vendeve”

Zv/kryeministrja kroate Pejçinoviq-Buriq tha se Kroacia si pjesë e Bashkimit Evropian (BE) dhe NATO-s dëshiron t’i ndihmojë Kosovës në shumë sfera sidomos në periudhën e shtetndërtimit.
Ajo theksoi se ka takuar komunitetin kroat në komunën e Janjevës ku shprehu dëshirën që pakica shqiptare në Kroaci dhe ajo kroate në Kosovë të avancojnë dhe të jenë në gjendje të mirë sa i përket arsimimit, infrastrukturës dhe punësimit.
Sa i përket pyetjes rreth mundësisë së njohjes së Kosovës nga Serbia si hap i fundit i dialogut në mes të dy shteteve, Pejçinoviq-Buriq tha se mundësia e vetme është dialogu dhe zgjidhja duhet të gjendet në kuadër të këtij dialogu. Sipas Buriq qëndrimi i BE-së është i përkushtuar që dialogu të vazhdojë në fazën teknike për momentin duke shtuar se mund të fillojë edhe faza politike.
“Si në të gjitha kontekstet tjera në mes të Kosovës dhe Serbisë munësia e vetme është që dy shtetet të gjejnë hapësirë për një marrëveshje atëherë BE-ja mund të ndihmojë në fund. Kjo hapësirë është e mjaftushme për të gjetur një zgjidhje të përbashkët nga të dyja palët. Nëse marrëveshja nuk ështe e qëndrueshme, atëherë më mirë të mos ketë marrëveshje. Duhet të arrihet tek një marrëveshje e cila është e pranueshme nga të dyja palet”, tha Pejçinoviq – Buriq.

Zv/kryeministrja kroate tha se liberalizimi i vizave është shumë i rëndësishëm për perspektivën europiane të qytetarëve të Kosovës, ku qeveria e Kosovës përmes punës së saj duhet të tregojë pëkushtimin ndaj implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe axhendës evropiane.
“Në këtë kuptim ne i mbështesim të gjitha përpjekjet që Qeveria e Kosovës i bën në drejtim dhe shpresojmë që së shpejti do t’i përmbush kushtet për liberalizimin e vizave dhe të krijohet hapësira për zhvillimin e Kosovës dhe qytetarëve të saj”, tha ajo.

