Paris, 21 tetor 2015 –
Ishte data 21 tetor 2015 kur nga kryeqyteti francez, Paris, erdhi lajmi i madh për Republikën e Kosovës. E miratuar nga pesëdhjetë shtete, Qeveria e Kosovës kishte kërkuar hyrjen në UNESCO, organizatën e OKB-së për shkencë, kulturë dhe arsim.
Kosova, e njohur nga njëqind shtete, nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara, por hyrja e saj në UNESCO do të përfaqësonte një nxitje nga bashkësia ndërkombëtare.
Moska dhe aleatët e saj kuptohet se e kundërshtojnë atë. Uashingtoni e mbështet fuqishëm atë. Spanja, me tensionet e pavarësisë më të forta se kurrë, e refuzon atë kokë më kokë. Selia e UNESCO-s në Paris këto ditë ishte kthyer në arenë të përleshjeve të shumta në nivelin më të lartë të fuqive kryesore.
Krejt kjo filloi kur Kosova përmes ministrit të Jashtëm Thaçi, në fund të korrikut shpalli synimin për të aplikuar për anëtarësim në UNESCO si një hap drejt njohjes së plotë ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.
Aplikimin për pranimin e Kosovës në UNESCO u dorëzua formalisht nga Shqipëria e që u mbështet nga mbi 45 vende mike, e që po i printe kësaj pune sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Kerry.


Duke parë seriozitetin e Kosovës dhe miqëve të saj për antarsim në UNESCO, fushata e ashpër e shpifëse vetëm se kishte filluar nga Beogradi, propaganda e tyre po përhapej përmes kanaleve të ndryshme.
Daçiq, Vuçiq dhe Presidenti I tyre Nikoliq, po shfrytëzonin maksimalisht përhapjen e propagandes përmes shteteve që nuk e njohin pavarsinë e Kosovës, e që janë Rusia, Spanja, Rumania, Qipro e vendet tjera që kanë ndikim.
Edhe pse nuk isha pjesë e qeverisë dhe nuk kisha ndonjë rol zyrtarisht, unë nuk mund të qëndroja duar kryq në këtë situatë për vendin tim.
Pa modesti dhe me realizëm, i thash vetës se unë duhet të isha në Paris për të lobuar. Unë njoh dhe kam miqësi me shumë kryetarë shtetesh dhe qeverish në gjithë botën. I kam takuar ata dhe një pjesë e mirë e njohjeve të pavarësisë vijnë prej kontributit tim të plotë, ekskluziv apo të pjesshëm.

Duke klikuar në këtë link mund të lexoni një opinion që kam shkruar para se të udhëtoja për Paris: https://archive.koha.net//index.php?category=&id=31&o=933&fbclid=IwAR07ZPUvZaNYfssFWDa-Col6HMFzqwr8XBP5_vpkntb0mrvSDQ-e38JyE0U
Kjo më bënte shumë më të lehtë punën time sesa kujtdo tjetër.
Do preferoja të koordinoj punën time me kryeministrin, me presidenten dhe ministrin e jashtëm që mos të dështojmë. Ashtu edhe ndodhi, unë isha në objektin e UNESCOS në Paris duke u koordinuar me kryeministrin Thaçi.

Sigurisht prania ime nuk u pëlqente aspak delegacionit serb që ishte në Paris. I pari që filloi sulmet ndaj meje ishte Ambasadori i Serbisë në UNESCO Darko Tanaskoviq.
Duke parë shtrirjen dhe ndikimin tim tek shumë shtete ai shpifte se Thaçi dhe Pacolli po lobojnë në mënyrë ilegale nëpër korridoret e ndërtesës së UNESCO-s.
“I kam dërguar protestë udhëheqësisë së organizatës. I ashtuquajturi ministër i jashtëm i Kosovës, Hashim Thaci dhe biznesmeni kontraverz shqiptar, Behgjet Pacolli kanë krijuar një zyre ilegale në korridoret e UNESCO-s. Ata po ndalin njerëz aty dhe po u bëjnë presion për të votuar për Kosovën”, kishte thënë Tanaskoviq.
Reagova ndaj tij duke i thënë se nëse vërtet po lobojmë në korridore, atëherë ambasadori serb nuk duhet të ketë frikë, sepse po i harxhon shumë burime për të ndaluar anëtarësimin e Kosovës.

“Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO, do të thotë më shumë vëmendje ndërkombëtare, më shumë vëmendje e kësaj organizate për veprat kulturore, artistike, monumentet e së kaluarës, për arsimin në territorin e atdheut tonë, Kosovës ku banojnë jo vetëm shqiptarë”, shkruan Pacolli.
Potencova se askush nuk ka të drejta ekskluzive pronësore mbi pasuritë kulturore të Kosovës, veç popullit tonë, banorëve të Kosovës.

Përplasja e madhe po ndodhte mes Rusisë dhe SHBA-së për hyrjen e Kosovës në UNESCO
Me 6 nëntor 2015 selia e UNESCO-s në Paris ishte kthyer në skenë të përleshjeve të shumta në nivelin më të lartë të fuqive kryesore. Rregulloret e kësaj organizate lejojnë çdo vend të aplikojë për anëtarësim edhe nëse nuk është anëtar i OKB-së.
Kështu bëri Qeveria e Prishtinës gushtin e kaluar. Në letrën e ministrit të Jashtëm, Hashim Thaçi, theksohej “dëshira e popullit të Kosovës për të vendosur dhe mbajtur bashkëpunim më të ngushtë me vendet e tjera në fushën e arsimit, shkencës dhe kulturës” përmes inkorporimit të tij në UNESCO.
Ishte kjo kërkesë që nxiti manovrat diplomatike në mbarë botën që këto ditë po kulmojnë në Paris, që përkon me Konferencën e Përgjithshme të mbajtur nga organizata çdo dy vjet.
Më 22 tetor, Këshilli Ekzekutiv i UNESCO-s, i përbërë nga 58 vende – mes tyre edhe Spanja – e miratoi tashmë kërkesën me 27 vota pro, 14 kundër, 14 abstenime dhe tre shtete që mungonin.
Tani, votimi i dytë dhe përfundimtar ishte caktuar për të hënën e ardhshme dhe do të merrnin pjesë të 195 vendet e organizatës. Votimit i parapriu një kërkesë e delegacionit të Serbisë, për ta shtyrë votimin edhe për dy vite, por kjo kërkesë nuk kishte arritur të marrë vota të mjaftueshme.
Garantuesja e parë e Kosovës ishte Shqipëria, por ajo ishte gjithashtu e “bashkë-sponsorizuar” nga Shtetet e Bashkuara dhe një duzinë vendesh të Bashkimit Evropian, si Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Irlanda, Holanda dhe Suedia. Janë shtete që tashmë e kanë njohur Kosovën, një hap që Spanja refuzon ta bëjë.
Ne kishim përparësi pasi që ajo që po ndodhte tani me Kosovën në UNESCO kishte një precedent të ngjashëm me atë që ndodhi me Palestinën në vitin 2011.
Këto ditë, ministra nga të gjitha vendet e botës po kalojnë nëpër Paris për të mbledhur vota pro ose kundër peticionit. Të mërkurën, Ministri i Arsimit, Íñigo Méndez de Vigo, e bëri këtë në emër të Spanjës.
Në fjalimin e tij para asamblesë, ai vuri në dukje se Spanja është në favor të pranimit të anëtarëve të rinj “përderisa ka unanimitet në Komunitetin Ndërkombëtar për njohjen e shtetësisë së tyre, se hyrja nuk krijon përçarje brenda organizatës, se ajo bën të mos lindin debate që janë të huaja për objektivat e tij dhe që nuk cenojnë ligjshmërinë ndërkombëtare”.
Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Serbisë – shteti okupator të cilin Kosova në vitin 1999 pas një lufte të përgjakshme me pjesëmarrjen e NATO-s – e shporri nga këto troje, ishte angazhuar duke dërguar një letër të gjithë anëtarëve të UNESCO-s në të cilën siguronte se Kosova ka dëmtuar ose shkatërruar dhjetëra tempuj të Kishës Ortodokse Serbe që kur shpalli pavarësinë.
Në anën tjetër fushata e pales kosovare ishte e fuqishme. Kishim në krah Shtetet e Bashkuara. Rusisë dhe Serbisë kjo aspak nuk po u pëlqente.
Se Amerikanët e kishin marr seriozisht antarsimin e Kosovës në UNESCO tregon edhe vizita e sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, që kishte bërë së fundmi UNESCO-n, ku kishte bërë të ditur qëndrimin e tij.

Dhe Rusia kishte dërguar ministrin e saj të jashtëm, Sergei Lavrov. Moska kërcënonte se nëse Kosova pranohet, të njëjtën gjë mund ta ngrejë edhe me Krimenë, gadishullin ukrainas të aneksuar nga rusët.
Spanja – e cila, së bashku me Greqinë, Rumaninë, Qipron dhe Sllovakinë, po i qëndronin në krah Rusisë dhe Serbisë. Madje, Spanja e shtyer nga Rusia doli foli hapur pasi ajo është pjesë e Komiteti Ekzekutiv të UNESCO-s.
Vizita dhe lobimi i sekretarit të Shtetit i SHBA-së, John Kerry, i cili para Drejtoreshës së Përgjithshme të UNESCO-s Irina Bokova, Ambasadorit të SHBA-së në UNESCO Crystal Nix-Hines dhe të tjerë, mbajti një fjalim para Përfaqësuesve të Përhershëm dhe Ambasadorëve të UNESCO-s në Paris, më 18 tetor 2015.
Ky interesim i fuqishëm i SHBA për antarsim të Kosovës në UNESCO alarmoi Serbinë, e cila veç kishte filluar fushatën intensive diplomatike për të kundërshtuar hyrjen e Kosovës në UNESCO, jo vetëm sepse do t’i hapte rrugën njohjes së Kosovës si shtet, por edhe sepse pretendonin se nuk mund të linte mbrojtjen e manastireve ortodokse të Kosovës në duart e autoriteteve në Prishtinë, të cilat Beogradi i konsideron ende djepin e identitetit të tij kombëtar.
Më 27 korrik, ministri i Jashtme e Serbisë, Iva Daçiq, i kishte dërguar një letër Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon, në të cilën ai e cilësoi hyrjen e Kosovës në UNESCO si të “papranueshme” dhe paralajmëroi se kjo do të binte ndesh me marrëveshjet e paqes që i dhanë fund luftës së vitit 1999. Përveç kësaj, Daçiq në letër kishte shkruar se më shumë se 174 objekte fetare dhe 33 monumente historike janë shkatërruar në Kosovë gjatë viteve të fundit, si dhe më shumë se 10,000 ikona janë vjedhura, për të cilat kishte shtruar pytje se vërtet objektivi i hyrjes së Kosovës në UNESCO është të ruajë trashëgiminë e saj kulturore.
Letra e Daçiqit drejtuar Ban Ki-Moon-it u shpërnda nga agjencia serbe Tanjug teksa shefi i diplomacisë serbe ndodhej në Madrid, ku e takonte homologun e tij spanjoll, José Manuel García-Margallo.
Në komunikatën e Zyrës së Informacionit Diplomatik (OID) për takimin në fjalë, nuk përmendej çështja e UNESCO-s, por i referoheshin “mbrojtjes së integritetit territorial të shteteve”.
Dita e votimit ishte me shumë tension, ku shumica e madhe e shteteve të botës kanë votuar për Kosovën. Fatkeqësisht, për 3 vota nuk fituam shumicën e nevojshme.
Për 10 muaj fushatë, si konfidenciale, ashtu edhe të hapur, kemi dhënë maksimumin dhe ç’është me rëndësi edhe qytetarët dhe miqtë e Kosovës dhanë shumë.
Rruga e Kosovës është e pandalshme dhe ne do të aplikojmë dhe do të anëtarësohemi edhe në organizata tjera, përfshirë UNESCO-n edhe një herë.
