Presidenti Pacolli priti shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Werner Almhofer

Prishtinë, 9 mars 2011 –

“OSBE ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në demokratizimin e vendit tonë”, theksoi Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli gjatë një takimi me shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, z.Werner Almhofer.

OSBE, tha ai, ka bërë gjëra shumë të nevojshme për vendin tonë, duke dhënë një ndihmë shumë të çmueshme në ndërtimin e institucioneve demokratike. Presidenti Pacolli theksoi se synimi i institucioneve dhe i popullit të Kosovës është integrimi sa më i shpejtë në institucionet euroatlantike.

“Ne synojmë të hyjmë në Evropë dhe për ta arritur këtë duhet të jemi të kompletuar në të gjitha fushat”, tha ai.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli gjatë një takimi me shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, z.Werner Almhofer.

Në këtë plan, ai theksoi se Kosova ka nevojë për reforma në një varg fushash, ku një nga më kryesoret është reforma në fushën e drejtësisë. Presidenti Pacolli theksoi se institucionet e vendit duhet të gjejnë një zgjidhje për të kapërcyer gjendjen e tanishme në gjyqësor, ku ka një grumbullim të lëndëve të pashqyrtuar dhe kjo, tha ai, mund të bëhet me angazhimin e juristëve të rinj, studentëve të cilët kanë kryer studimet dhe nuk kanë gjetur angazhim, duke i trajnuar ata dhe duke i dërguar për të ndihmuar gjyqtarët dhe prokurorët për përballimin e numrit të madh të lëndëve që presin shqyrtim në gjykatat përkatëse.

Gjithashtu, Presidenti Pacolli theksoi nevojën e ndryshimit të Ligjit për Zgjedhje, ndërsa përsëriti edhe një herë se Presidenti i vendit duhet të zgjidhet me votat e qytetarëve. Në këtë drejtim, ai theksoi se OSBE mund të asistojë me këshillat e saj.

Shefi i Misionit të OSBE-së, në Kosovë, z.Werner Almhofer, theksoi gatishmërinë e organizatës që ai drejton për të dhënë ndihmesën e saj kudo që kërkohet.

Ai theksoi se Misioni i OSBE-së është tash 12 vjet në Kosovë, ndërsa kjo organizatë është prezente edhe në vendet e rajonit. Almhofer theksoi se ndihma e OSBE-së konsiston në ofrimin e këtyre vendeve, edhe të Kosovës, drejt Bashkimit Evropian, duke dhënë ndihmesën e saj në zhvillimin e demokracisë së mirëfilltë, në fushën e sundimit të ligjit dhe në krijimin e ambientit për investime të huaja.

“OSBE tash është këtu vetëm për të ndihmuar, për të ofruar mbështetje, por puna kryesore mbetet në duart tuaja”, tha shefi i Misionit të OSBE-së, në Kosovë, z.Werner Almhofer.