Author: Liridon Llapashtica

  • Në Prishtinë delegacioni nga Tajlanda më premtuan njohjen e Kosovës

    Në Prishtinë delegacioni nga Tajlanda më premtuan njohjen e Kosovës

    Prishtinë, 17 qershor 2013 –

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, z.Behgjet Pacolli ka pritur në një takim një delegacion të shtetit të Tajlandës, të udhëhequr nga i dërguari i kryeministres së këtij vendi, z.Pichate Satirachaval.

    Zëvendëskryeministri Pacolli ka informuar delegacionin nga Tajlanda për gjendjen aktuale politike në vend, duke theksuar nevojën që Kosova të lidhë marrëdhënie diplomatike me shtetin e Tajlandës. Në këtë kontekst, zëvendëskryeministri Pacolli ka informuar delegacionin tajlandez edhe me potencialet ekonomik që Kosova posedon, si vend strategjikisht i përshtatshëm për investitorët.

    “Ne jemi shumë të interesuar që të kemi marrëdhënie diplomatike me Tajlandën. Ne tashmë jemi pjesë e shumë organizatave ndërkombëtare dhe jemi në rrugë e sipër për tu integruar edhe në OKB. Andaj besoj fuqishëm që një vendim i shtetit tuaj për njohjen e Kosovës i kontribuon paqes dhe stabilitetit në rajon”, ka thënë zëvendëskryeministri Pacolli.

    Në anën tjetër, z.Pichate Satirachaval, që njëherësh është edhe këshilltar i kryeministres së Tajlandës, ka thënë se shteti i tij është i interesuar që menjëherë të fillojë raportet ekonomike me Republikën e Kosovës. Ai ka thënë se menjëherë pas kthimit në Tajlandë, kryeministres së këtij vendi do ti raportojë për progresin demokratik që Republika e Kosovës ka shënuar në çdo aspekt, për të pasuar me shqyrtimin e njohjes së pavarësisë së shtetit tonë.

    Delegacioni nga Tajlanda, ka ftuar zëvendëskryeministrin Behgjet Pacolli në një vizitë zyrtare në këtë shtet të Azisë Juglindore. 

  • Ftova qeverinë e Emirateve Arabe të investojnë në Kosovë

    Ftova qeverinë e Emirateve Arabe të investojnë në Kosovë

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, z.Behgjet Pacolli ka pritur sot në një takim ministrin e Ekonomisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, Sulltan Saeed Al Mansoori.

    Gjatë këtij takimi, zëvendëskryeministri Pacolli ka njoftuar z.Al Mansoori gjërësisht për zhvillimet e fundit politike dhe ekonomike në Kosovës, duke nënvizuar në veqanti nevojën e përkushtimit shtetëror për zhvillim ekonomik.

    Në këtë kontekst, zëvendëskryeministri Pacolli ka kërkuar nga ministri Al Mansoori bashkëpunim mes dy vendeve veqanërisht në sferën ekonomike. z. Pacolli ka përmendur faktin se Kosova është një vend mjaft atraktiv dhe me mundësi të mëdha për investime nga Emiratet e Bashkuara Arabe, si vend me potencial shumë të madh ekonomik. Pacolli në veqanti ka ftuar qeverinë e Emirateve, që të investojnë në ngritjen e aeroportit të Gjakovës dhe shkëmbimin e përvojave në lidhje me idenë e krijimit të zonave të lira ekonomike në Mitrovicë dhe Gjakovë.

    Në anën tjetër, ministry Al Mansoori ka falenderuar zëvendëskryeministrin për pritjen e ngrohtë dhe shumë miqësore që i është bërë atij dhe delegacionit nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Ministri, Al Mansoori ka premtuar gjithashtu konkretizim të bashkëpunimit ekonomik me Kosovën, në të ardhmen e afërt si në fushën e investimeve direkte, po ashtu edhe në dhënien e ndihmave në fusha të ndryshme.

     

    Ministri i Ekonomisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, Sulltan Saeed Al Mansoori me delegacion para takimit me zv.kryeministrin e parë z.Behgjet Pacolli.

     

    Takimi i dy delegacioneve në objektin e qeverisë së Republikës së Kosovës.

     

    Shkëmbimi i dhuratave me ministrin e Ekonomisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, Sulltan Saeed Al Mansoori.

     

    Kosova është një vend mjaft atraktiv dhe me mundësi të mëdha për investime nga Emiratet e Bashkuara Arabe, thuhet edhe në këtë katalog që i dhurova ministrit Mansoori.

     

    Konferenca për media pas takimit me delagacionin nga Emirateve të Bashkuara Arabe.

     

    Pritja e veçant për ministrin Mansouri dhe delegacionin e tij në hotelin Swiss Diamond në Prishtinë.

     

    Me delegacionin e Emirateve të Bashkuara Arabe vizituam edhe njërën nga xhamiat në Vushtrri.

     

    Vizitë Spitalit Sheikh Zayed në Vushtrri.

    Prezantimi i projekteve ku u tregua se Kosova është një vend mjaft atraktiv dhe ka mundësi të mëdha për investime. 
     

  • Arrin nota verbale e njohjes nga Republika e Tanzanisë

    Arrin nota verbale e njohjes nga Republika e Tanzanisë

    Lajmi për njohjen nga Tanzani, ky shtet me ndikim në kontinentin afrikan është komunikuar nga zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli nëpërmjet një konference për medie, të enjten me 30 maj 2013.

    Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli gjatë ditës së sotme gjithashtu ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin e punëve të jashtme të Tanzanisë, z.Bernard Membe, me të cilin ka diskutuar për hapat e mëtutjeshëm që duhet të ndiqen, në funksion të lidhjes së marëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve.

    Nota Verbale nga shteti i Tanzanisë që konfirmon njohjen e pavarsisë së Kosovës.
  • Tanzania njeh pavarësinë e Kosovës

    Tanzania njeh pavarësinë e Kosovës

    Zëvendëskryeministri i parë, z. Behgjet Pacolli, ka njoftuar se Tanzania e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Ai ka treguar se njohja nga Tanzania vjen si rezultat i punës së tij dhe lobimit në Afrikë.

    “Kjo është njohja më e rëndësishme për Kosovën. Pas kësaj njohje, do të ketë edhe shumë shtete tjera që do ta pranojnë pavarësinë e Kosovës”, ka deklaruar Pacolli.

    Aktualisht Kosova është njohur nga rreth 100 shtete të botës.

    Zëvendëskryeministri i Parë, Behgjet Pacolli me Presidentin e Tanzanise, Jakaya Kikwete dhe me Ministrin e punëve të jashtme dhe bashkëpunimit ndërkombëtar të Tanzanisë, Bernard Membe. 

  • Aktivitet i ngjeshur diplomatik në Etiopi

    Aktivitet i ngjeshur diplomatik në Etiopi

    Në ditën e dytë të qëndrimit në Adis Abeba të Etiopisë, zëvendëskryeministri i Kosovës, z.Behgjet Pacolli ka zhvilluar një sërë takimesh, në kuadër të samitit të Unionit Afrikan.

    Pas takimit me komisioneren e lartë të këtij Unioni, z.Dlamini Zuma, zëvendëskryeministri Pacolli ka takuar presidentin e Guinesë Ekuatoriale Teodor Obiang, presidentin e Ruandës, z.Paul Kagame dhe presidentin e Afrikës së Jugut z.Jakob Zuma.

    Gjatë takimeve të ndara, zëvendëskryeministri Pacolli ka njoftuar udhëheqësit afrikan për proceset politike pas arritjes së marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si akt me të cilin shteti serb de fakto dhe de jure, ka pranuar shtetin e Kosovës. Zoti Pacolli ka shprehur nevojën e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike me vendet afrikane, ndërsa ka kërkuar njohjen formale të pavarësisë nga këto vende.

    Në margjina të këtij samiti, zëvendëskryeministri Pacolli ka takuar edhe presidentin e Ganës, John Dramani Mahama, i cili në vazhdimësi ka përkrahur procesin e shtimit të njohjeve për Republikën e Kosovës.

    Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli është duke marrë pjesë në samitin e Unionit Afrikan në Etiopi, ku janë duke marrë pjesë krerët më të lartë të 54 shteteve të kontinentit të Afrikës. 

  • Udhëtova për Etiopi ku do të marrë pjesë në samitin e vendeve të Unionit Afrikan

    Udhëtova për Etiopi ku do të marrë pjesë në samitin e vendeve të Unionit Afrikan

    Zëvendëskryeministri I Kosovës, z.Behgjet Pacolli ka udhëtuar për në Adis Abeba të Etiopisë për të marrë pjesë në samitin e vendeve të Unionit Afrikan.

    Gjatë këtij samiti, zëvendëskryeministri Pacolli do të zhvillojë takime të rëndësishme me udhëheqës shtetesh nga kontinenti I Afrikës, me fokus të veqantë tek shtetet që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës.

    Në ditën e parë të qëndrimit në Etiopi, zëvendëskryeministri i Kosovës, z.Behgjet Pacolli do të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së konferencës vjetore të Unionit Afrikan që koincidon me 50 vjetorin e themelimit të kësaj organizate. Gjatë kësaj ceremonie zëvendëskryeministri Pacolli pritet të takohet me disa krerë shtetesh  me presidentin e Zambisë, Botsvanës, Tanzanisë dhe Sudanit Jugor.

    Gjithashtu, në mbrëmje, zëvendëskryeministri Pacolli pritet të zhvillojë një darkë pune me komisioneren e lartë të Unionit Afrikan, Dlamina Zuma dhe me ish presidentin e Nigerisë, z.Olesegun Abasango, që është figurë shumë e respektuar në kontinentin Afrikan. 

    Aktiviteti diplomatik i zëvendëskryeministrit Pacolli vazhdon edhe të dielën, ku sipas agjendës pritet të zhvillohen takime të rëndësishme në kuadër të samitit të vendeve të Unionit Afrikan, në të cilin është duke marrë pjesë edhe sekretari amerikan i shtetit John Kerry.

    Unioni Afrikan është organizatë politike, me 54 shtete anëtare. 

  • Tash, t’i përkushtohemi ekonomisë

    Tash, t’i përkushtohemi ekonomisë

    Nga Behgjet Pacolli

    Që nga shpallja e pavarësise e këtej Kosova është perballur me sfida të mëdha për të shtrirë sovranitetin e vet në të gjitha pjesët e territorit dhe për të mbrojtur integritetin dhe kushtetutshmërine e vendit.

    Nga ana tjeter me shumë kujdes dhe menquri Kosova u mor me implementimin e ligjeve dhe obligimeve që dilnin nga Pakoja e Ahtisarit. Këto ishin obligime që bashkësia nderkombetare dhe miqtë e Kosovës i kishin parashtruar, ne i kishim pranuar në Vienë, dhe në formë të këshillave ata kërkonin çdo ditë nga institucionet e vendit që  ato të zbatohen. Prej këtyre obligimeve Kosova krijonte kushte dhe standarte per qytetaret e vet, pjestare te kombesive joshqiptare duke u krijuar atyre standarte te larta sikurse ne te gjitha vendet evropiane aty ku ne synojme te arrijme. 

    Krejt kjo nuk ishte e lehte, duke marre parasysh luften e sapoperfunduar, dhimbjet qe kjo lufte shkaktoi tek populli shqiptar i Kosoves. Qe te krijoje kushte te barabarta bashkjetese ne Kosoven multietnike, ishte nje prej sfidave me te medha dhe me te veshtira te institucioneve te Kosoves!  Krijimi i kushteve per nje jete te sigurt, pa diskriminime per te gjithe qytetaret e Kosoves ishte pra nje sfide tejet serioze per te gjithe njerezit konstruktivë, njerezit e civilizuar, njerezit qe dojne paqen, ne rrethanat qe vendi ndertohej.  Nga ana tjeter ne synojme bashkejetesen me shoqerite e civilizuara, ne synojmë anëtarësimin në familjen e kombeve dhe duhet të këshilloheshim dhe të mbështeteshim tek miqtë tanë perëndimorë, duke ruajtur aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Europian dhe miqtë e tjerë.

    Mu kjo qe thashë detyroi institucionet e Kosoves qe per 14 vjet me radhe mos te shtrijne sovranitetin edhe ne veri te vendit. Kosova si nje shtet i ri ne konsolidim e siper duhej te rrugetonte me kujdes, qe mos te lejonte gabime te cilat mundnin te ktheheshin ne veprime qe do ta demtonin shtetndertimin tone.

    Nuk dua te hyj ne trajtimin e shkaqeve pse pjesa veriore mbeti jashtë kontrollit institucional. Ama isha dhe mbetem besnik ne bindjet e mia se kurrsesi Kosova nuk ka mundur te shtrije sovranitetin ne veri ne nje forme tjeter pos dialogut, sado i mundimshem do te ishte ai.  Dhe kështu ndodhi. Sot me këtë Marrëveshje, Serbia tërhiqet zyrtarisht nga kontrolli policor, administrativ, etj, në këtë pjesë të territorit tonë. Janë fuqitë perëndimore që e garantojnë këtë tërheqje. Kjo është arritja më e madhe e kësaj marrëveshjeje !Kosova është një dhe e pandarë !

    Eshte e fuqishme ideja, dita e se ciles i ka ardhur. Ne kete rast edhe idese se fillimit dhe vazhdimit te dialogut sot dhe nesër, i erdhi dita. Modestisht, unë e kisha paralajmëruar këtë shumë kohë më parë, dhe kësaj ideje i erdhi dita sot.

    Kjo ide e kthyer ne realitet, eshte aq e fuqishme sa qe dita e firmosjes së kësaj marrëveshjeje, do te jete nje nder datat historike me rendesi per shtetin e Kosoves dhe te ardhmen evropiane te tij. Kosovës, vendit tonë, sipas Marrëveshjes, iu hoqën pengesat për të ardhmen europiane, për antarsimin në BE. Shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën brenda Bashkimit Europian, kanë rënë dakord me këtë pjesë të marrëveshjes. Ata me siguri do ta rishikojnë qëndrimin e tyre pro njohjes së Kosovës. Pas vendimit të tyre, rruga për anëtarësimin në OKB, është gjithmonë e më e hapur.

    Kjo pikë e marrëveshjes është veçanërisht e rëndësishme, pse shteti ynë eshte ne kerkim te sa me teper miqve, per rruge qe pershpejtojne integrimin ne organizatat globale. Këto janë rruge që e pershpejtojnë krijimin e kushteve dinjitoze per qytetaret per nje jete me te mire, me zhvillim ekonomik. Në fund të fundit ky është qëllimi i politikës : të ofrojë mundësi për zhvillim, për jetë më të mirë për qytetarët.

    Unë personalisht në emër të partisë politike që e përfaqësoj, dhe mbështetësve te saj e përgëzoj kryeministrin e Kosoves për kurajon dhe guximin që pati për t’i hyrë këtij procesi të vështirë, por shumë të rëndësishëm për faktorizimin e shtetit tonë.

    Unë i falenderoj të gjithë ata që ju mbështetën dhe prapë po e them : dua të mbes besnik bindjeve të mija, që qytetarët e Kosovës do ta vlerësojnë këtë që është arritur sot, sepse do shohin efektet e saj pozitive. 

    Sot mbetet sfidë e madhe zbatimi i marrëveshjes, sepse një e di, se implementimi i saj është i vështirë për shkak të pengesave nga brenda dhe jashtë. Për fat të mirë miqtë tanë do ta mbikqyrin këtë zbatim. Ndërkohë duhet ta dini se çdo  gjë e fituar lehtë, e humb vlerën shpejtë ; çdo gjë e arritur me sfida, ka vlerë dhe kjo marrëveshje ka një vlerë të madhe dhe ia vlen që të sfidohemi në implementimin e saj. 

    Unë vazhdoj t’i mbetem dhe një pikëpamjeje të mëhershme : për të patur një implementim të suksesshëm ne duhet të kemi edhe një ofertë ekonomike integruese për Veriun e Kosovës, një zonë të lirë ekonomike që qytetarët e asaj pjese të territorit tonë të prodhojnë interesa të përbashkët, pavarësisht etnisë së tyre. Vetëm zhvillimi ekonomik, mirëqenia i garanton të arriturat politike. Më vjen mirë që në marrëveshje është vënë theksi dhe tek energjia dhe tek telekomunikacioni, pse ne duhet të fitojmë pavarësinë e plotë dhe në këto sektorë, duke i hequr pengesat artificiale që na pengojnë zhvillimin..

    Ne besojmë që në këtë rrugë do të kemi mbështetjen e gjithanshme të bashkësisë nderkombëtare, ShBA-ve, dhe Bashkimit Europian për çka dua ti falenderoj thellësisht. Zonja Ashton, që përkundër problemeve dhe angazhimeve ditore me parkushtim e përkreu misionin e saj meriton respekt shumë të veqantë. Gjermania, një aleatja jonë e fortë, gjithashtu meriton respekt të veçantë.

    Duke ratifikuar kete marrëveshje, parlamenti kontribuon për të ardhmen e fëmijeve tanë të cilët kanë të drejtë legjitime të jetojnë në paqe, të lëvizin lirshëm, pa probleme dhe të krijojnë perspektiven e tyre jetësore ashtu siq ata dëshirojnë.

    Ne kemi humbur shume kohe duke u marre me probleme politike duke renduar jeten e qytetarit me informata brengosese, duke renduar punen e institucioneve, e shumë here duke ndryshuar edhe menyren e te menduarit deri te gjuha e eger ne mes njerezve pergjegjës për mbarvajtjen e proceseve dhe pjeses tjeter destruktive. Nuk duhet humbur më kohë e vlefshme duke u marrur me gjëra të cilat pas pak vitesh do të duken aq banale, e për të cilat nuk ia vlen të humbet kohë. E kujtoni sesa shumë polemika janë bërë për të ashtuquajturën çështje të 6 pikëshit, apo të fusnotës. Koha, kjo marrëveshje si shenjë e kohës, i kapërceu të gjitha dhe i zhvlerësoi të gjithë ato polemika.

    Pas firmosjes së kesaj marreveshje, ne tani duhet te perqendrohemi me plot energji ne rrafshin e zhvillimit ekonomik dhe permiresimit te jetes se qytetareve. Këto janë sfida reale, për të cilat, megjithëse me vizione të ndryshme si qeveri dhe opozitë, duhet t’i zgjidhim. Kosova duhet të jetë e jetueshme për të gjithë brezat. Kosova e ka potencialin për jetë më të mirë se është vend i bekuar nga perëndia, me burime të shumta natyrore dhe njerëzore, me një rini të mrekullueshme.

  • Betejë e lavdishme e UÇK-së u zhvillua në tokat e Marecit, homazhe te varret e 27 dëshmorëve e 16 martirëve

    Betejë e lavdishme e UÇK-së u zhvillua në tokat e Marecit, homazhe te varret e 27 dëshmorëve e 16 martirëve

    Marec, 18 prill 2013 –

    Në prillin e vitit 1999, një betejë e lavdishme u zhvillua në tokat e Marecit, e cila betej la pas një trashëgimi të pashlyeshme. Kjo ishte beteja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, rënë heroikisht 27 dëshmorë dhe u vranë 16 martirë.

    Bëhet fjalë për një betejë të UÇK-së, e cila ia futi tmerrin forcave armike serbe, të cilët më pastaj në fshatat për rreth, e shfrynë mllefin e tyre nga humbja e kësaj beteje mbi civilët e pafajshëm e të pambrojtur.

    Në këtë toke, ku u linda dhe kalova disa vite deri sa e rrita shtatin, lavdia shpërtheu si një flakë e pashtërueshme, duke dëbuar zjarrin e armikut dhe shpalosur trimërinë e ushtrisë sonë për liri.

    Betimi dhe guximi i tyre i pavdekshëm u shfaqën në dritën e ditës së prillit, duke lënë shenjën e tyre shpirtërore për gjithë brezat që do vijojnë.

    Duke nderuar dëshmorët dhe martirët të cilët dhanë më të shtrenjëten për lirinë e Kosovës. Së dy bashkëpartiak nga AKR-ja, Ibrahim Makollin dhe Shefki Abdullahun, duke vendosur vuqeta lulesh tek varret e dëshmorëve në Marec.

    Ne të gjallët sot mbetemi të përkushtuar ndaj kujtimit të tyre dhe luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Andaj në këtë datë 14 vite pas erdha së bashku me bashkëpuntor për homazhe te varrezat e dëshmorëve në Marec, ku po rihapim faqen e një kapitulli të lavdishëm të historisë tonë kombëtare.

    Këto ngjarje të tmerrshme, që shpërndanë dhunën dhe terrorin mbi këtë tokë të bekuar, janë dëshmi e gjenocidit që Serbia tentoi të kryente ndaj popullit shqiptar.

    Megjithëse trupat e tyre u shuajtën nga këto troje, kujtimet e atyre ditëve nuk do të fiken kurrë, dhe ne, si qytetarë të kësaj Republike, kemi detyrimin moral dhe historik për t’i nderuar dhe mbrojtur këto kujtime.

    Mareci ishte i pari në shumë procese ndër etapa historike për atdheun. Ishte ndër trevat e para që pësoi nga dora e agresorit të egër. Sot, i ringritur dhe duke u zhvilluar vazhdimisht, pavarësisht sfidave. Në Ditën e Dëshmorëve dhe Martirëve të Marecit, nderuam sakrificën e tyre sublime për liri.

    Në këtë vend të shenjtë të dëshmorëve, ne si institucione të Republikës, politikanë përfaqësues dhe qytetarë, shprehim mirënjohjen tonë përkujtuese ndaj atyre që jepën gjithçka për lirinë tonë. Në këtë rast të veçantë, na mbetet të përkujtojmë se lufta jonë për drejtësi dhe ndëshkim të kriminelëve është e palëkundur.

    Me kujtimet dhe vuajtjet e tyre si shembuj frymëzimi, ne vazhdojmë udhën tonë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.

    Në homazhe ishin edhe Ramush Haradinaj, ish luftëtar i shquar i UÇK-së, Rexhep Selimi, ushtari i parë i celulave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe komandantit legjendar Adem Jashari, dhe shumë bashkëluftëtar dhe bashkëpunëtor.

    Kjo vizitë në Marec është një kujtim që nuk mund të shuajë koha, dhe beteja e tyre do të mbetet një dritë që na udhëhon në rrugën drejt lirisë dhe drejtësisë për të gjithë.

    Në homazhe ishin edhe Ramush Haradinaj, ish luftëtar i shquar i UÇK-së, Rexhep Selimi, ushtari i parë i celulave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe komandantit legjendar Adem Jashari, dhe shumë bashkëluftëtar dhe bashkëpunëtor.

    Lavdi të gjithë atyre që jepën jetën për këtë tokë dhe lavdia e tyre të jetë burim frymëzimi për brezat e ardhshëm.

    Momente nga fjala ime në nderim të dëshmorëve dhe martirëve të luftës së vitit 1999. Marec, 18 prill 2013.

    Fjala ime para të pranishmëve:

    Sot, jemi mbledhur bashkë këtu në Marec që është njëherit edhe vendlindja ime, për t’i kujtuar dhe për t’i nderuar martirët dhe dëshmorët e Marecit, për t’i kujtuar mbi 13 mijë viktimat e dhunës dhe terrorit të shtetit serb gjatë luftës së viteve 1998-1999. Sot kujtojmë mijëra qytetarë të Kosovës, gra, burra, nëna, baballarë, pleq, të rinj e të reja dhe fëmijë të pafajshëm që u vranë padrejtësisht vetëm pse ishin qytetarë të një etnie të caktuar. Dhunën sistematike të shtetit serb popullata civile e kishte provuar në masakrën e Likoshanit dhe Çirezit që në fillim të vitit 1998, në Abri në vjeshtën e po atij viti, si dhe në Reçak më 15 janar 1999.

    Pas fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s, forcat policore dhe ushtarake serbe kishin intensifikuar edhe më shumë krimet, gjenocidin dhe dëbimin e popullatës shqiptare nga Kosova.

    Mbi gjysmë milioni njerëz u dëbuan jashtë Kosovës. U dhunuan me mijëra gra shqiptare. Popullata e paarmatosur pësoi rëndë në Marec, ku, këtu e 14 vjet më parë u vra e u masakruan edhe fëmija 13 vjeçar. Ndërkaq, në fshatrat e Gollakut vetëm në periudhën 19-23 prill 1999 vranë barbarisht 115 civilë të pafajshëm. Mosha e të masakruarve ishte prej 7 vjeç (Fortesë Rusinovci) e deri 98 vjeç (Hamide Zuka). Masakra më e tmerrshme dhe më masive e këtyre ditëve kishte ndodhur më 21 prill 1999 në fshatin Makoc, rreth 7 km në veri të Prishtinës, prandaj prej 115 të masakruarve nëpër fshatrat e Gollakut, 93 u rivarrosën pas luftës në fshatin Makoc, në tokën që e dha falas Mihrije Krasniqi. Ndonëse kanë kaluar 21 vjet, ende askush prej urdhërdhënësve dhe prej ekzektuesve të këtyre krimeve as nuk është gjykuar e as nuk është dënuar. Masakra mbi popullatën civile u bënë edhe në Izbicë, Rezallë, në Qyshk, Studime dhe në Meje.

    Ata, as ju e as ne, nuk do t’i harrojmë kurrë. E dimë që nuk kemi bërë sa duhet, për sa kohë që nuk gjenden dhe identifikohen të gjithë trupat e viktimave. Personat që i shpëtuan masakrës në Makoc, dëshmojnë edhe sot me emër dhe mbiemër për autorët e krimeve në uniformë policore dhe ushtarake serbe. Ne nuk do t’i harrojmë asnjëherë krimet e bëra në Marec, Makoc dhe gjithandej Kosovës. Herët a vonë për to do të jepet përgjegjësi.

    Mareci është simbol i mbijetesës dhe është pjesë e historisë sonë të lavdishme. Për mua personalisht dhe besoj edhe për shumicën prej jush këtu, Mareci është fshati i rilindur dhe i ringritur mbi hirin dhe gjakun e viktimave, që ranë dhe u viktimizuan vetëm pse ishin në vendin dhe shtëpitë e tyre. Vendi ynë ka përjetuar shtypjen më të tmerrshme dhe më të përgjakur në historinë më të re të Ballkanit, prandaj liria dhe shteti ynë themelet i kanë mbi gjakun e atyre që ranë për liri dhe pavarësi.

    Liria që gëzojmë sot është fryt i gjakut dhe sakrificës së martirëve e dëshmorëve tanë dhe gjithë qytetarëve të Kosovës. 

    LAVDI!

    Dëshmorët e Marevcit, të rënë në ofanzivën e Prillit, në Gollak.Në mesin e tyre ështê edhe aj që luftoi trimërisht, e ra heroikisht në frontin e liris, ai ishte Shaip Pacolli!
    Mareci është simbol i mbijetesës dhe është pjesë e historisë sonë të lavdishme. Për mua personalisht dhe besoj edhe për shumicën prej jush këtu, Mareci është fshati i rilindur dhe i ringritur mbi hirin dhe gjakun e viktimave, që ranë dhe u viktimizuan vetëm pse ishin në vendin dhe shtëpitë e tyre. 
    Mijëra njerëz nga gjitha anët e Kosovës në kodrën e Marecit ku gjenden varret e dëshmorëve të kësaj ane.
    Me disa bashkëfshatar duke ecur shtigjeve ku luftuan dhe janë jetën disa nga ushtarët e UCK-së.
  • Ja çfarë kam bërë për lobimin

    Ja çfarë kam bërë për lobimin

    Nga Behgjet Pacolli

    Të mërkurën pata mundësinë, të raportoja për punën time në Kuvendin e Kosovës, në Komisionin e jashtëm.

    Në bazë të rregullores së punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, komisionet parlamentare ftojnë në raportim vetëm ministrat, por gjithsesi për mua ishte një mundësi e mirë që dy institucionet tona të kenë bashkëpunim reciprok.

    Pata mund sinë të vlersoja drejtimin profesional të kreut të këtij Komisioni, zotëri Albin Kurtit, qëndrimin korrekt të profesor Sabri Hamitit, të deputetit Hidajet Hyseni, të deputetes bosnjake Emilia Rexhepi dhe me përjashtim të provokimeve të znj Kada Bujupi, apo të ndonjë ndërhyrjeje tendencioze të ish kryediplomatit Skënder Hyseni, u ndieva mirë. Doja t’i ktheja përgjigje të drejtëpërdrejtë do gënjeshtrave dhe relativizimeve që qarkullojnë rreth një pune gjigande, që është krenaria ime. Dëgjova për habi se njohjet nuk kanë ndonjë rëndësi, se ato thuajse vijnë vetëvetiu, etj, etj. Çudi të dëgjoja nga opozita shprehje të tilla ndërsa kur unë isha në opozitë i solla drejtpërdrejt falë kontributit tim 11 njohje.  Ndërsa sot si zëvendëskryeministër kam sjellë drejtpërdrejt 13  njohje, pa përmendur kontributin e rëndësishëm në akoma më shumë njohje që kanë ardhur dhe priten të vijnë. U shpjegova deputetët si qëndron puna me njohjet e Nigerisë, Malin dhe Ugandën.

    U shpjegova deputetëve se punën e kam nisur mbi bazën e një plani pune të detajizuar për Lobim dhe Investime, i cili kishte për qëllim ngritjen e imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, respektivisht, promovimin e vendit tim me qëllim të rritjes së njohjeve për Kosovën dhe rritjes së investimeve të huaja.

    Shtyllat e punës sime: emri i mirë si ndërmarrës; sakrifica financiare dhe përkushtimi njerëzor

    Puna ime ka pasur në themel eksperiencën e madhe në hapësirën ndërkombëtare si ndërmarrës, që më ka siguruar njohje të shumta në nivel kryetarësh shtetesh e qeverish, ministrash, personalitetesh kulturore, sportive, etj. Është pikërisht ky bagazh njohjesh që i ka dhënë fuqi aktivitetit tim lobues në pikëpamje cilësore.

    Isha i vetëdijshëm për forcën dhe mundësitë që i ka Kosova që të loboj, prandaj ky ishte edhe qëllimi im, të ndihmoj aty ku kam  mundësi dhe ku Kosovës i duhet me së shumti.

    Prandaj ndjenja e shërbimit tim ndaj atdheut, më ka motivuar  të investoj në këtë aksion politik të vendit burime të mëdha financiare, duke refuzuar përdorimin e burimeve të shtetit të Kosovës. Të lobosh sot në botë vetëm dhe me ekipe lobuesish, do të thotë të shpenzosh në udhëtime të distancave të gjata, të mbulosh shpenzime të këtij udhëtimi, të qëndrimit, të paguash njerëzit që të shërbejnë në fluturime me aeroplan privat, etj. domethënë,  t’i ofrosh vendeve të specifike përfshirje në projekte të mëdha investimesh.

    Përkushtimi human është garant kryesor i suksesit, sepse veçanërisht në këto dy vjetët e fundit  kam kaluar më shumë kohë në ajër, sesa në tokë, duke i rënë globit në të katër anët, larg familjes e  vendit dhe kjo sakrificë ka dhënë frytet e veta.

    Në punën time,  jo vetëm kam shfrytëzuar kontributet e mëhershme të shteteve të mëdha aleate të Kosovës, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, etj, por në shumë raste jam koordinuar ngushtë me ta, siç është rasti i Ganës, Beninit apo shteteve të tjera të Afrikës.

    Rezultatet e mia si zvkryeministër

    Gjatë kësaj kohe, prej muajit maj 2011 e  deri më sot, jam fokusuar kryesisht në kontinentin e Afrikës, Azisë dhe Amerikës Latine, si tri zona në të cilat deri më tani, Kosova e ka pasur të pamundur  të ketë qasje. Deri ne vitin 2011 nga Kontinenti i Afrikës, Azisë dhe Amerikës Latine kishim vetëm  pak njohje dhe shume pak vizita të realizuara, që mos të them fare në këto pjesë  të Botës. Prandaj në planin tim të Lobimit kam trajtuar secilin shtet veç e veç, qasje kjo e cila ka sjellë rezultate të dukshme. Gjatë këtyre vizitave të 2011, kam takuar rreth 30 Presidentë apo  kryeministra. Shumë prej tyre, i kam takuar edhe gjatë punimeve të Samitit të përvitshëm të OKB-së në Neë York, në shtator të vitit 2011. Në objektivat e mia, ishte edhe kontinenti i Azisë. Gjatë kësaj periudhe, jam fokusuar kryesisht në Azinë Juglindore, në të cilën ka zhvilluar një turne, dhe kam vizituar apo ka takuar zyrtarë të lartë, apo krerë shtetesh të:

    1. Mbretërisë së Tajlandës
    2. Filipineve
    3. Indonezisë
    4. Bhutanit
    5. Laosit
    6. Vietnamit

    Ndërsa në kontinentin e Afrikës, gjatë kësaj periudhe, si rezultat direkt, i angazhimit tim dhe përkrahjes së miqve ndërkombëtare dhe institucioneve tjera, kanë ardhur 8 njohje. Ndërkohë, një numër i madh shtetesh, janë në procedim e sipër të vendimit për njohje të shteti tonë.

    1. Republika e Afrikës Qendrore
    2. Republika e Guinea Conakry
    3. Republika e Nigerit
    4. Republika e Beninit
    5. Republika Federale e Nigerisë
    6. Republika e Gabonit
    7. Bregu i Fildishtë
    8. Uganda

    Për dallim nga 2011, gjatë vitit 2012 kam zhvilluar në kontinentin e Afrikës pesë turne lobimi dhe kam vizituar një apo më shumë herë, më shumë së 25 shtete.

    Ndërsa vetëm gjatë vitit 2012, kam takuar rreth 35 Presidentë, kryeministra, ose ministra të Punëve të Jashtme.  Shumë prej tyre, i kam takuar disa herë, edhe gjatë punimeve të Samitit të përvitshëm të OKB-së në Neë York, në shtator të vitit 2012, ku përveq angazhimeve gjatë punimeve në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, kam qenë i ftuar edhe në konferencën e më shumë se 100 burrështetasve “South to South”, bashkë me sekretarin gjeneral të OKB-së z.Ban Ki Moon.

    Vetëm nga kontinenti i Afrikës, gjatë vitit 2012 si rezultat i angazhimit të institucioneve të Kosovës dhe përkrahjes së miqve ndërkombëtare, kanë ardhur 4 njohje. Ndërkohë, një numër i madh shtetesh, (duke përfshirë edhe organizatën SADC me 14 vende që vendimin pritet ta marrin në bllok) janë në procedim e sipër të vendimit për njohje të shteti tonë. Për të përmbyllur këtë proces të njohjes në bllok nga vendet e SADC, janë duke krijuar probleme vetëm dy shtete.

    Vendet që e kanë njohur Kosovën gjatë vitit 2012 nga Afrika:

    1. Gana
    2. Uganda
    3. Sao Tome
    4. Chadi
    5. Burundi

    Në këto shtete që e kemi siguruar njohjen, e kam zgjeruar rrjetin e miqve kryesisht të nivelit të lartë të cilët janë angazhuar në favor të Kosovës. Qasja krijuese në këtë drejtim ka konsistuar në atë se kemi arritur ta konsolidojmë vullnetin e këtyre vendeve pro Kosovës, duke i ndihmuar ata me lobim ndërkombëtar për t’i përfshirë në programe ndërkombëtare ndihme, por jo vetëm. Kështu ishte rasti i Beninit në Millennium Challenges Program, program ndihmë i Departamentit të shtetit. Jam angazhuar për ta përfshirë Kosovën dhe ndërmarrësinë e saj në projekte të mëdha infrastrukturore me kompani të mëdha perëndimore. Ky është rasti i Nigerisë, vendit me ndikim të jashtëzakonshëm për nga përmasat që ka.

    Në lobimin tonë në Afrikë kemi afirmuar reputacionin pozitiv personal në rrafsh ndërkombëtar. Nuk mund të arriheshin njohjet nga vendet e largëta pa këtë reputacion.

    Lobimi kundër Serbisë në Afrikë 

    Në këto vende kemi zhvilluar lobim të nivelit të lartë, atë në nivel Presidentësh dhe kryeministrash, nivel i paprekur nga ndikimi kundërlobues i Serbisë përfaqësuar nga ministri i dikurshëm i jashtëm Jeremiq. Është kjo arsyeja pse në ndonjë rast, ka pasur pozicione të kundërta të institucioneve të ndryshme të ndonjë vendi në lidhje me njohjen ose jo të Kosovës, siç ka qenë rasti i Ugandës. Gjithë kontinenti afrikan është territor me ndikim të vazhdueshëm nga Serbia, trashëguese e ndikimit të hershëm të ish Jugosllavisë, ndikim që ruhet nëpërmjet pranisë së madhe të kompanive serbe.  Kjo prani, me depërtimin e saj në politikën e vendeve të caktuara jo vetëm që i jep vlerë suksesit të Kosovës dhe përfaqësuesit të saj të lartë, por dhe justifikon qasjen e zgjedhur ndaj Afrikës : lobim edhe nëpërmjet ekonomisë. Në këtë lloj lobimi, kemi realizuar atë që quhet marketim i një vendi, apo « branding nation ». Kemi ofruar imazhin e një Kosove e cila megjithëse vend në zhvillim, ka një rini të talentuar, të dijshme për teknologjitë e informacionit, ka ndërmarrësi që mund të marrë përsipër detyra vetëm apo në kombinim me kompani perëndimore, në një kontinent si ai i Afrikës, ku është përqëndruar sot vëmendja e kompanive më të mëdha të botës dhe ku ndihet nevoja e kompanive të përmasave të caktuara në sektorin e shërbimeve, të ndërtimtarisë, etj, në funksion të tyre dhe ku Kosova mund të përfitojë shumë.

    Prodhimi i interesave të përbashkët, zgjimi i interesit për Kosovën, një vend i pasur me resurse njerëzore, dhe natyrore, ka shtyrë shumë delegacione të panumërta nga Nigeria, të kryesuar nga guvernatorë shtetesh shumë më të mëdhenj se Kosova, ministrin e jashtëm të Ganës, nga Afrika në përgjithësi, nga Azia, si Bangladeshi, Filipinet, Tajlanda, etj. të vinjë dhe të qëndrojnë në Kosovë.

    Kjo axhendë ndërkombëtare, ka qenë diçka e paimagjinueshme më parë, për arsye të pranisë ndërkombëtare në Kosovë, qenies së Kosovës dikur si vatër krize, apo e një krize të zgjidhur, Kosova është vizituar nga shumë burrështetas perëndimorë, por jo nga vende të tilla si Afrika.

    Këto vizita janë dëshmi e fillimit të marrëdhënieve që kemi arritur të krijojmë me lobimin e fuqishëm në këto vende. Nuk kemi sjellë nota verbale si trofe, por kemi forcuar marrëdhëniet me vende të veçanta, diçka që e garanton votën pro të tyre në anëtarësimin e ardhshëm të Kosovës në OKB. Është një punë jo vetëm sasiore, por dhe cilësore, megjithëse ekspertë të politikës së jashtme e politikanë  në Prishtinë, donin patjetër « nota verbale » si trofe, që do qetësonte qasjen kritikuese të tyre për t’ia filluar sërish në një rast tjetër.

    Shpenzimet e mia disa miliona euro

    I tërë ky angazhim imi, është mbështetur mbi bazë të një pune të ekipeve lobuese të shpërndarë në gjithë territorin e botës. Është e paimagjinueshme që gjithë ky aktivitet të mund të ndodhte me mbështetjen e një ministrie të vogël të një shteti të ri, dhe që s’ka eksperiencë, burime të mëdha njerëzore dhe financiare në shërbim të qëllimeve të veta.

    Prandaj për dijeninë tuaj, buxhetit të Qeverise së Kosovës për dy vite i kam kushtuar shumë më pak se 100 mijë euro, shpenzime të pashmangshme për shkak të problemeve logjistike dhe të stafit, duke u distancuar edhe nga meditja, paga etj. Këto shpenzime, që i kanë kaluar qeverisë së Kosovës, kanë qenë shpenzime të përbashkëta me stafin shoqërues, duke respektuar rregullat e ligjit për kontabilitetin. Ndërsa shpenzimet e buxhetit tim, kapin shumën e disa miliona eurove.

    Unë jam i qetë dhe krenar para Zotit, Familjes dhe Kombit tim për këtë që kam bërë për Kosovën. Njëjtë isha para deputetëve.

  • Me kryeministrin Thaçi vizituam investimet milionëshe në veri dhe jug të Mitrovicës

    Me kryeministrin Thaçi vizituam investimet milionëshe në veri dhe jug të Mitrovicës

    Mitrovicë, 29 mars 2013

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli dhe ministra të tjerë të kabinetit qeveritar, ka vizituar qytetin e Mitrovicës, për të parë më afër projektet infrastrukturore që janë duke u zhvilluar në këtë qytet.

    Fillimisht, kryeministri Thaçi ka vizituar punimet në Fabrikën e Përpunimit të Ujit në Shipol, një investim mbi 10 milionë euro.

    “Kjo fabrikë plotëson nevojat e gjithë qytetarëve të territorit të Mitrovicës, në jug dhe në veri, por edhe për qytetin e Skënderajit, dhe sipas nevojës edhe për qytetarët e Vushtrrisë, derisa të përmbyllet projekti tjetër atje, i Fabrikës së Përpunimit të Ujit në Vushtrri” ka theksuar kryeministri Thaçi.

    Më pas, kryeministri Thaçi është ndalur për të parë punimet në Objektin e Palestrës së re Sportive “Minatori” dhe Qendrës së Re Tregtare, projekti i të cilave arrin shifrën e 24 milionë eurove, si dhe fillimin e ndërtimit të objektit për Universitetin Publik të Mitrovicës.

    Ëndrra e qytetarëve të Mitrovicës ka filluar të realizohet me ndërtimin e këtij Universiteti, që do të ketë kapacitet për rreth 9 mijë studentë, tha kryeministri Thaçi me këtë rast.

    “Do të jetë një universitet bashkëkohor, me të gjitha kuadrat e nevojshme akademike” shtoi ai.

    Në Mitrovicë po vazhdojnë punimet edhe në renovimin e Stadiumit Olimpik të Mitrovicës, projekt ky që u vlerësua shumë i domosdoshëm për të ardhmen, kur edhe Kosova do të mund të bëhet pjesë e garave ndërkombëtare.

    “Ju e shihni, në gara të ndryshme, në ekipet tjera kombëtare, luajnë shumë shqiptarë të Kosovës, dhe ne jemi optimist se do të bëjmë ekipin njërin ndër më të fuqishmet dhe më cilësoret jo vetëm në rajon, por për t’i konkurruar kombëtareve evropiane dhe më gjerë” potencoi kryeministri Thaçi.

    Vizita në Mitrovicë është përmbyllur në lagjen Kroi i Vitakut, ku është vizituar shtëpia e rinovuar dhe galeria brenda shtëpisë së Ali Kadrisë.

    “Ne vizituam një galeri, që është galeri e pronarit, por është mesazh i jetës së re, i frymës së re, është mesazh i shpresës, i besimit dhe i kthesave që po ndodhin këtu” ka thënë kryeministri Thaçi.

    Kryeministri Thaçi ka premtuar se Qeveria dhe autoritet komunale do të jenë gjithnjë pranë këtyre qytetarëve, me investime dhe aspekte tjera mbështetëse qeveritare.

    “Është në interesin e të gjithëve që të gjithë qytetarët e të gjitha nacionaliteteve të kenë të drejtë të   kthehen në pronat e tyre, në shtëpitë e tyre, dhe Qeveria e Kosovës do të jetë në shërbim pa dallim të gjithë qytetarëve, shqiptarë, serbë dhe të tjerëve që jetojnë në veri dhe jug” ka potencuar kryeministri.

    Nga ana e tij, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati ka falënderuar kryeministrin për vizitën dhe për mbështetjen, duke theksuar se të gjitha premtimet e dhëna tashmë janë bërë të realizueshme.

    Ndërsa Ali Kadriu ka kërkuar që amanetin e dëshmorëve ta plotësojmë me punë.

    “Më keni bërë nder të madhe. Ne të gjallët kemi obligim moral që amanetin e dëshmorëve, të njerëzve që kanë rënë për këtë tokë, t’i plotësojmë me punë, me vepra” ka thënë Kadriu.