Category: Zv. Kryeminister i pare

  • Vizita 2 ditore, në qytetin tipik nordik, Udevalla të Suedisë, i ftuar nga kryetari dhe nga komuniteti shqiptar

    Vizita 2 ditore, në qytetin tipik nordik, Udevalla të Suedisë, i ftuar nga kryetari dhe nga komuniteti shqiptar

    Uddevalla – Suedi, 23 mars 2014 –

    Isha këto ditët e fundit në një vizitë 2 ditore, në qytetin e bukur tipik nordik, Udevalla të Suedisë, i ftuar nga kryetari dhe nga komuniteti shqiptar i kësaj komune.

    Vizitova disa kompani suedeze dhe komunitetin shqiptar në Uddevalla.

    Duke prezantuar dhe bashkëbiseduar me kryetarin dhe komunitetin shqiptar të komunës së Udevallas të Suedisë, isha në vizitë 2 ditore me ftesë të kryetarit.
    Gjatë vizitës bërë njërës nga kompanitë në qytetin e Udevallas të Suedisë.

    Gjatë vizitës time, gazeta e njohur në Suedi ”Expressen” e bëri një intervistë me mua, të njoftuar në faqen e parë, të cilën po e publikoj në shqip.

    Intervistën për këtë gazete prestigjioze suedeze e realizoni gazetari shqiptar Diamant Salihu, për mua ishte nderë i veçant.

    Me gazetarin dhe shkrimtarin e shquar shqiptar në Suedi, i cili punon për gazetën prestigjioze “Expressen”. Diamant Salihut është fitues çmimit Raul Wallenberg në Stokholm.

    Linku i gazetës suedeze “Expressen”; https://www.expressen.se/gt/nu-kritiseras-putins-kosovo-jamforelse/?fbclid=IwAR1-4js_H8XgpXxK9I37ryoDFCD1OKfLvI5_wxYRo3PgKZnLdR98IruRI2A

    KUNDËRSHTOHET KRAHASIMI I PUTINIT I KRIMESË ME KOSOVËN

    Miliarderi Kosovar, zëvendëskryeministri i qeverisë, Behgjet Pacolli, shfaqet tepër kritik ndaj krahasimeve të presidentit të Rusisë, i cili bëri paralele mes konfliktit në Krime dhe situatës së Kosovës.

    UDDEVALLA. Putin krahason marrjen e Krimesë në Kosovën. Por tani vjen një përgjigje nga miliarderi i Kosovës dhe zëvendëskryeministrit të vendit, Behgjet Pacolli.

    – Spastrimin etnik që ndodhi në Kosovë, Putini nuk mund ta krahasojë me situatën në Krime, shprehet Behgjet Pacolli gjatë një vizite në Uddevalla.

    Ballina e gazetës prestigjioze “Expressen” me intervistën time ku i është dhënë fokus kritikës ndaj krahasimeve të presidentit të Rusisë, i cili bëri paralele mes konfliktit në Krime dhe situatës së Kosovës.

    Ai nisi rrugëtimin si një djalë i një familjeje me dhjetë fëmijë. Tani ai udhëheq një ndër kompanitë më të mëdha të ndërtimit, Mabetex Group, e cila tani ka kapital miliardësh duke qenë kampione në industrinë e ndërtimit. Kompania e tij ishte e autorizuar për rinovimin e Kremlinit, qendra të energjisë në Moskë, etj. Tani ai është zëvendëskryeministri i Kosovës, vendi ballkanik që shpalli pavarësinë e tij nga Sërbia gjashtë vite më parë. Qëndrimet e Vladimir Putinit bënë që Kosova në javët e fundit të vijë sërish në axhendat e debateve të politikës botërore, përmes njeriut që tani qëndron në qendër të lajmeve në mediet botërore, presidentit rus Vladimir Putin.

    Presidenti rus, gjatë prezantimit të Krimes si pjesë të Rusisë, krahasoi disa herë në dekleratën e tij ketë problem me rastin e Kosovës. Ai ka mohuar se ka ndodhur një ndërhyrje ushtarake në Krimenë ukrainase. Mirëpo ai krahasoi ndërhyrjen në Krime me ndërhyren e forcave të NATO- s në Kosovë.

    Përkundër këtyre krahasimeve të Putinit, kritika të forta erdhën nga Behgjet Pacolli gjatë një vizite në Uddevalla.

    Ballina e gazetës prestigjioze “Expressen” me intervistën time ku i është dhënë fokus kritikës ndaj krahasimeve të presidentit të Rusisë, i cili bëri paralele mes konfliktit në Krime dhe situatës së Kosovës.

    – Ne kemi dëgjuar në shtypin ditor të krahasimeve që Putini përmend Kosovën. Por Krimeja dhe Kosova nuk mund të krahasohen, shprehet Behgjet Pacolli.

    Ai përmend se Kosova ka pasur arsyet e saja për të marrë mbështetjen e Perëndimit, dhe se, kur vendi në vitin 2008 shpalli pavarësinë nga Sërbia, kjo është bërë pjesërisht me mbështetje nga SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia. 107 vende e kanë njohur deri tani pavarësinë e Kosovës. Por ai theksoi se Rusia nuk është njëra prej tyre.

    – Arsyeja në rastin e Kosovës ishte humanitare. Sepse Sërbia ka qenë e angazhuar në spastrimin etnik, tha Pacolli, dhe përmend se si shqiptarët, edhe pse ata janë shumicë në Kosovë, nuk kanë të njëjtat të drejta si sërbët dhe janë vazhdimisht të nënshtruar prej diskriminimit etnik.

    Lufta e përgjakshme në Kosovë 1998-1999 solli mbi 10.000 viktima civile, shumë prej tyre gra dhe fëmijë.

    – Një milion njerëz u detyruan të largohen. Kjo ndodhi për shkak se njerëzit kishin humbur të drejtat e tyre. Prandaj, problemi i Krimesë nuk ka të krahasuar me Kosovën, tha Behgjet Pacolli duke iu përgjigjur presidentit Vladimir Putin.

    “Shqiptari më i pasur në botë”

    Politikani liberal 62 vjeçar njihet si shqiptari më i pasur në botë. Ai deklaroi në zgjedhjet parlamentare të vitit 2007 një pasuri prej 3.7 miliardë kruna suedeze. Vizita e tij në Suedi zhvillohet pas ftesës së kryetarit komunal, Magnus Jacobsson (KD), dhe Naim Murselit, kandidat parlamentar (KD), shqiptarë dhe mik i Pacollit, kohët e fundit vizituan Kosovën. Tani pritet një vizitë kthyese për të diskutuar bashkëpunimet e mundshme në teknologji dhe energji. Pacolli vizitoi të enjten Kynningsrud dhe Uddevalla Energi AB.

    – Ka mundësi të mira për investime në Kosovë. Përveç kësaj, ne kemi shpallur dy zona të tregtisë së lirë në vend, të cilat duhet të jetë interesante për kompanitë suedeze dhe skandinave, tha Behgjet Pacolli, i cili të premten vizitoi disa kompani në Gothenburg.

    Vizita dhe takimet e Zv. Kryeministrit Behgjet Pacolli në Suedi ishtin edhe në faqen e parë të gazetes GT. Në Suedi ftova suedezet të investojnë në Kosovë.

    Po i prezantoj edhe disa fotografi nga vizita ime në qytetin e Uddevalla;

    Me një grup biznesmenësh shqiptar në Suedi, takim vëllazëror dhe shumë i dobishëm.
    Në një nga kompanitë e industrisë së rëndë në Uddevalla.
    Me komunitetin shqiptar dhe ata suedez në Komunën e Uddevallas në Suedi.
  • Me kryeministrin Thaçi vendosëm lule te varri i ish-Presidentit Rugova, në 8 vjetorin e vdekjes

    Me kryeministrin Thaçi vendosëm lule te varri i ish-Presidentit Rugova, në 8 vjetorin e vdekjes

    Prishtinë, 21 janar 2014

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrat Behgjet Pacolli, Hajredin Kuçi, Bujar Bukoshi dhe ministrat Ferid Agani, Dardan Gashi dhe Ibrahim Makolli, ka bërë nderime dhe ka vendosur lule te varri i ish- Presidentit Rugova, në 8 vjetorin e vdekjes.

    Kryeministri Thaçi në një deklarim para mediave theksoi:

    “Jemi sot këtu së bashku si Qeveri e Republikës së Kosovës për të bërë nderimet shtetërore për presidentin Ibrahim Rugova, për të vlerësuar kontributin e tij në letërsi, shkencë, si dhe kontributin e tij të spikatur në politikën shtetformuese të Republikës së Kosovës” – tha z.Thaçi.

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrat Behgjet Pacolli, Hajredin Kuçi, Bujar Bukoshi dhe ministrat Ferid Agani, Dardan Gashi dhe Ibrahim Makolli, ka bërë nderime dhe ka vendosur lule te varri i ish- Presidentit Rugova, në 8 vjetorin e vdekjes.
  • I shoqëruar nga kryeministri Thaçi, bëm homazhe në Prekaz, para shtatoreve të Zahir Pajazitit dhe ish-presidentit Rugova

    I shoqëruar nga kryeministri Thaçi, bëm homazhe në Prekaz, para shtatoreve të Zahir Pajazitit dhe ish-presidentit Rugova

    Prishtinë, 28 nëntor 2013 –

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e 28 Nëntorit, ditës së shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe të  Flamurit Kombëtar, ka bërë homazhe dhe ka vendosur lule në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, si dhe para shtatores së Komandantit të UÇK-së, Zahir Pajaziti dhe para shtatores së ish-presidentit Rugova në Prishtinë.

    Pasi ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, Kryeministri Thaçi ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës dhe mbarë viseve shqiptare për festën e 28 nëntorit, Ditës së Pavarësisë dhe të Flamurit Kombëtar, ditëlindjes së komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jasharai dhe njëkohësisht ditës së daljes publike të UÇK-së më 28 nëntor 1997 në Llaushë të Drenicës.

    Sakrifica e komandantit legjendar Adem Jashari dhe e familjes heroike Jashari, si dhe e gjithë luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës anë e kënd Kosovës, ia solli lirinë dhe pavarësinë Kosovës. Sot, në këtë festë të madhe ndihemi krenarë me këtë sakrificë sublime, por edhe të përgjegjshëm për të vazhduar përkushtimin dhe suksesin tonë institucional për zhvillimin dhe integrimin e Kosovës në institucionet europiane dhe euroatlantike, – theksoi Kryeministri Thaçi.

    Në Prishtinë, Kryeministri Thaçi ka bërë nderime dhe ka vendosur lule para shtatores së Komandantit të UÇK-së, Zahir Pajaziti dhe para shtatores së ish-presidenti Rugova.

    Në vazhdim, po e japim të plotë deklaratën e Kryeministrit Thaçi para shtatores së Komandantit të UÇK-së, Zahir Pajaziti:

    “Lufta, heroizmi, kontributi i jashtëzakonshëm  i komandant Zahir Pajazitit dhe i gjithë komandantëve të UÇK-së, ka bërë që sot ne të jemi të lirë, të pavarur, sovran dhe Kombi ynë të afirmohet jashtëzakonisht në botë.

    Kosova si shtet të konsolidohet dhe forcohet gjithnjë e më tepër, në këto momente kur do të shënojmë edhe 6 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, 101 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë ditë të flamurit kombëtar, jemi duke bërë nderime shtetërore te njëri prej komandantëve më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, te njëri prej komandantëve të parë të  UÇK-së, prandaj nderime dhe lavdi, komandant Zahirit dhe gjithë komandantëve, luftëtarëve e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe gjithë njerëzve që sakrifikuan për lirinë e pavarësinë e Kosovës” tha kryeministri Thaçi.

    Ndërsa, pasi bëri homazhe dhe vendosi lule te shtatorja e ish-presidentit Rugova, Kryeministri Thaçi tha:

    “Ne ishim së bashku këtu si kabinet qeveritar,  për të shprehur nderimin tonë shtetëror për presidentin Ibrahim Rugova, për kontributin e tij, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në këtë ditë të madhe për kombin shqiptar, në ditën e flamurit kombëtar, por edhe të festës së 101 vjetorit të shtetit shqiptar.

    Prandaj edhe sot në emër të Qeverisë së Kosovës, të gjithë qytetarëve të Kosovës, uroj shtetin shqiptar për 101 vjetorin dhe në të njëjtën kohë uroj gjithë kombin shqiptar për Festën e Flamurit. Le të mbetet kjo festë gjithmonë festë e unitetit, e bashkimit, e afrimit, e solidaritetit, e marrjes së përgjegjësive të reja për konsolidimin dhe forcimin e shtetit tonë, por edhe për afirmimin e kombit shqiptar” – theksoi Kryeministri Thaçi.

    Gjatë nderimeve në Prekaz dhe Prishtinë, Kryeministri Thaçi ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, nga ministrat Enver Hoxhaj dhe Bajram Rexhepi.

    Po sot, Kryeministri Thaçi, bëri homazhe dhe vendosi lule edhe tek përmendorja e Heroit të Kombit, Shkëlzen Haradinaj në Pejë, tek përmendoret e Mensur Zyberajt dhe Xhelal Hajdës dhe Salajdin Mullaabazit në Rahovec, si dhe në Kompleksin Memorial të dëshmorëve të kombit në Glloxhan të Deçanit.

  • Prishtina duhet të ketë një shesh dhe një bust të Arben Xhaferit

    Prishtina duhet të ketë një shesh dhe një bust të Arben Xhaferit

    Nga Behgjet Pacolli

    — Ditët e fundit u mbush një vit prej ndarjes nga jeta të intelektualit të shquar Arben Xhaferi. Ai iku i qetë në një ditë pushimesh, pa na lajmëruar, besnik i një besimi të pashpallur të kahershëm të tij, që të mos lodhte të tjerët për ta nderuar edhe kur të vdiste. Përballë një vdekje si kjo, me mesazhet që na përcolli, megjithatë ne bashkëkohësit e tij, duhet të pyesim: a e kemi nderuar ne si duhet këtë njeri të madh, në jetë dhe pas saj? Pyetja vjen prej dikujt si unë që vetëm kohët e fundit para se ai të largohej nga ne, pata rastin të komunikoja me të në një qasje miqësore. Ai s’kishte mbetur peng i fushatave baltosëse ndaj meje, që ishin organizuar prej kohësh dhe ky fakt në vetëvete më jepte energji pozitive. Ai kurrë nuk merrej me thashetheme dhe s’mbetej peng i tyre. Munda të diskutoja dhe të merresha vesh me Arbenin, për inisiativa të mëdha në realizim të një ideje themelore të tij, për krijimin e Komunuelthit ekonomik shqiptar. Ishte vërtet një kënaqësi e madhe njerëzore të shkëmbeja fjalë dhe ide me këtë figurë shumëpërmasore  të shqiptarisë. I mbaj mend me krenari mesazhet e tij për mua: të paktën ti i ke dhënë Kosovës dhe nuk i ke marrë asaj. Nuk do kesh asnjëherë dikënd që do të rrahë supet dhe do të të lavdërojë. Do vuash shumë nga sinkronizimi i sinqeritetit me politikën. Këto fjalë të tij më kujtohen vazhdimisht në tallazin e betejave të mia politike.

    Pse unë mendoj se ky njeri duhet të nderohet shumë pas vdekjes nga ne bashkëkohësit, nga kombi ynë, nga pjesët e kombit, në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë dhe kudo?  Mbase s’kam shumë ç’të shtoj ç’ka është thënë rreth tij, por ka diçka që mund të them e që lidhet me nderimin që Arben Xhaferit duhet t’i bëjë kryeqyteti i Kosovës, Prishtina. Janë disa arsye që po i parashtroj më poshtë.

    Arben Xhaferi është dikushi që e ka lidhur me Prishtinën një pjesë e rëndësishme e veprimtarisë së tij njerëzore, profesionale dhe intelektuale. Ai ka qenë pjesë aktive e një veprimtarie të ethshme prej rilindasi në krijimin dhe zhvillimin në Prishtinë të një elite kulturore të nivelit të lartë, konkuruese me atë të njësive të tjera të ish Jugosllavisë së dikurshme. Ai ka punuar në Televizionin e Prishtinës duke përçuar prej andej dituri, kulturë bashkëkohore për brezat e rinj, që pastaj u bënë luftëtarët e lirisë. Mbi supet e këtij titani dhe bashkohanikëve të tij, Ibrahim Rugova, Rexhep Qosja, Adem Demaçi, Fehmi Agani, Veton Surroi, etj, u mbështet ringjallja kulturore e Kosovës, si parathënie ideologjike e luftës për liri. Asokohe Prishtina ka qenë vatra më e rëndësishme kulturore, universitare e patriotizmit shqiptar në ish Jugosllavi, që rrezatonte kudo në gjithë territorin e saj, kudo ku flitej shqip. Arbeni me shqipen e tij, me dijet e tij, me modelin e intelektualit, ka qenë gjithmonë një pikë e rëndësishme referimi në konstelacionin e figurave intelektuale të kohës.  Unë si njeri politik, si njeri i ndërmarrësisë dikur, si fqinjë tij, jam i nderuar që po shkruaj sot për Arbenin. Do ndihesha më i nderuar nëse bashkëkohanikët e tij, pjesë e elitës kulturore të Prishtinës dje dhe sot, do të kujtoheshin gjithashtu për të dhe mesazhet e tij. Më shtyu të shkruaja njëlloj heshtje ndaj figurës së tij

    Arben Xhaferi ka qenë dikushi që e ka mbështetur këtë luftë me idetë e tij, me tezat e tij, njëjtë sikur bëri dhe me luftën e shqiptarëve në Maqedoni, të cilës i dha drejtimin e duhur politik dhe kombëtarist.

    Arben Xhaferi ka qenë konsultuesi i rëndësishëm për aktet nga të cilat zu fill pavarësimi, shtetësia e Kosovës, Kushtetuta, institucionet, imazhi i saj i përbotshëm.

    Arben Xhaferi është dikush që dhe i vdekur, i duhet brezave të kosovarëve që kalojnë nga Prishtina, për të përkujtuar një shembull politikani, filozofi, veprimtari politik unik në llojin e vet. Ai shpesh u bë fytyra e ditur, e mençur, e urtë, e shqiptarëve në botë, ashtu si e përcollën mediat më të rëndësishme botërore. Ai kurrë nuk ju largua yllit polar tësjelljes së popullit tonë në rrafsh global- aleancës me perëndimin. Edhe kur s’ishte dakord me shumë qëndrime tëpërfaqësuesve të tij, ai kurrë s’foli në publik kundër tyre, duke mbajtur parasysh rrethanat ku gjendej populli i Kosovës, kancelaritë ku merreshin vendime të rëndësishme për të dhe gjithçka ai thonte, ishte me vend.

    Ndaj ne kosovarëve, sot na duhet një shesh, një rrugë, një monument i tij në një vend qendror të Prishtinës, krahas heronjve të tjerë të luftës dhe të pavarësisë, sepse edhe nëse ai s’përdori armët, diti të drejtonte mirë mendjen e atyre që i përdorën ato.

    Ne, bijve tanë, atyre që do të vijnë pas nesh, do na duhet një dëshmi që të na përkujtojë një politikan që kurrë s’rendi pas pozitave, pushtetit, kontrollit të tij, qoftë kur ishte aktiv, qoftë kur sëmundja ia kufizoi veprimtarinë publike.

    Të gjithë kosovarëve, klasës politike, i duhet një pasqyrë ku të shohë veten, të ballafaqojë veten me një politikan si ai që kurrë nuk shau kundërshtarin e vet politik, armikun e vet kombëtar, por tregoi moderacion, konstruktivitet, pajtueshmëri me të gjithë dhe epërsinë e kombit tonë mbështetur në historinë dhe të sotmen e tij.

    Për kaq shumë arsye unë do propozoja që një rrugë apo shesh i Prishtinës të mbajë emrin e Arbenit dhe aty të ngrihet një bust i tij. Kosova duhet ta bëjë këtë për Arbenin që ka qenë dhe biri i saj. Çdo vend në rajon i nderon vfigura të tilla që janë emblematike për historinë e tyre. Pse jo Arbeni që ka një kontribut kaq të jashtëzakonshëm.

    Në emër të Lëvizjes për Union ekonomik shqiptar, nun i të cilës ishte Arbeni, unë do të mbështes botimin e veprës së tij politike, filozofike, kombëtare. Brezat e rinj, do të kenë kështu një gur kilometrik në rrugën e kombit për begati dhe zhvillim.

    Një komb, një popull serioz dhe i dëshmuar, ka librin e vet të kujtesës së përjetshme. Arben Xhaferi duhet të ketë faqet e veta në këtë libër duke e nderuar këtë libër ku është rezervuar vendi i tij. Prishtina duhet të shkruajë një shenjë nderimi të saj për Arben Xhaferin.  Në këtë vit të parë të largimit të tij nga jeta, unë i them familjes: i përjetshëm qoftë kujtimi i tij!

  • Si të ndalojmë ikjet nga Kosova

    Si të ndalojmë ikjet nga Kosova

    Nga Behgjet Pacolli

    — Po i përcjelli me vëmendje kudo ku ndodhem debatet e shumta që zhvillohen në mediat tona. Mundohem të kuptoj pse njera temë debati është më e pranishme se tjetra. Pse në një temë përfshihen më shumë debatues, pse ajo temë qëndron më gjatë në media  etj. Kështu korriku ka qenë muaj kur për arsye të kuptueshme, politika dhe jeta sociale bëhet më e qetë, por mediat kanë sjellë shumë tema debati. Është debatuar rreth shkrimeve të disa analistëve për luftën, për dy vjetorin e aksionit në veri, për përmbajtjen e bisedimeve të Brukselit, etj.

    E kam nga një pikëpamje për secilën prej këtyre temave dhe mund ta them shkurt atë. Për temën e të ashtuquajturave krime të luftës, them se kur Gjykata gjegjëse e jep përgjigjen, atëherë s’kemi pse të shpikim debate që na ndajnë dhe largojnë nga njeri tjetri. Për aksionin e kryer dy vite më parë, inicuar dhe nga vendimi i qeverisë së Kosovës për reciprocitetin, mund të them se ai aksion, vuri në lëvizje një proces të madh politik siç është ai i Brukselit. Për negociatat e Brukselit, mund të pohoj me bindje se kryeministri po na përfaqson me dinjitet siç duket dhe nga ankesat që vijnë nga pala serbe. Ndërkohë jam i bindur se përfaqsuesja perëndimore nuk na ka thirrur atje për t’i bërë ndonjë shërbim Serbisë, por për t’i bërë shërbim paqes në rajon.  Por, ajo çka më brengos  është pse flitet, debatohet pak ose aspak për temën e ikjes nga Kosova të qindra apo mijëra bashkatdhetarëve tanë në mënyrë të organizuar. Në medie flitet për keqtrajtime të tyre në Hungari, por shumë pak, debatohet për arsyet e ikjes së tyre nga Kosova. Çfarë ka ndodhur këtë vit që fluksi i të ikurve është rritur shumë ? Pse ata zgjedhin Beogradin për të kaluar në vendet e hapësirës Shengen ? Si ka mundësi që ata nisen në mënyrë të organizuar nga qendra e Prishtinës dhe nuk reagohet ndaj organizatorëve, etj. Pse nuk organizohet një fushatë informuese ndaj këtyre njerëzve që ta dinë se nëse vazhdojnë të ikin kështu, Kosova nuk do ta marrë liberalizimin e vizave ? Duhet dhe ta dinë se nëse do të vazhdojnë të ikin si klandestinë në mënyrë kaq masive prej Kosovës, atëherë dhe Shqipëria apo ndonjë shtet tjetër do ta rrezikojë liberalizimin e vizave !

    Mbi  të gjitha unë dua të flitet për arsyet themelore të ikjes së tyre nga vendi. Kjo është temë thelbësore e jetës sonë politike dhe shoqërore si shtet i ri. Kjo temë lidhet me dilemën kryesore që kishin miqtë tanë perëndimorë që ishin sponsorët e pavarësisë sonë kur na e dhanë atë. Shumë mirë bëjmë që ja japim pavarësinë kosovarëve se e meritojnë për shumë arsye. Por a do të jetë Kosova një vend i vetëmjaftueshëm ekonomikisht ? Me pak fjalë, a do dijë qeverisja të krijojë një sistem ekonomik që t’i ofrojë popullsisë së vet një nivel mirëqenieje normale ?

    Unë kam përshtypjen se boll u morën kaq gjatë, kaq shumë njerëz të penës dhe të politikës me tema të tjera që  na ndajnë si ato që përmenda. Duhet të merremi me temën e krijimit të një sistemi ekonomik që të mundësojmë jetën normale të qytetarit të Kosovës në vendin e vet. Që mungesa e këtij sistemi mos të detyrojë qytetarin tonë, me gjithë familjet të rrezikojë jetën nëpër lumenjtë e Europës në kërkim të një jete më të mirë.

    Çfarë kam bërë unë ?

    Si njeri i politikës, unë vazhdimisht e kam bërë timen, me fjalë, me ide dhe me akte. Asnjëherë s’kam premtuar se do bëj mrekullira, se do krijoj parajsën në tokë, por nëse do më jepej mundësia do të bëja shumëçka që kjo që po ndodh, të mos ndodhte. S’jam nisur nga kurrfarë interesi personal, përveçse nga ndjenja e shërbimit për vendin tim, megjithë zhurmuesve profesionistë të të gjitha stinëve.

    -A nuk mund të kishim miratuar dhe zbatuar që herët një plan rimëkëmbie të ekonomisë, si ai që unë propozova në 1999, mbështetur mbi një model të suksesshëm privatizimi, jo si ky që për fat të keq kemi realizuar deri më sot ? Unë kam folur që në fillim kundër këtij privatizimi, i cili e rrënoi më tej ekonominë, frenoi zhvillimin, rriti papunësinë, nxiti emigracionin etj. Kam folur dhe flas për partneritetet publiko private, kam propozuar dhe propozoj shumë ide dhe projekte në këtë drejtim duke filluar me Trepçën, me sistemin bujqësor, me sistemin energjitik, etj, etj. Nëse do të merreshin dhe do merren në konsideratë këto ide, qoftë dhe pjesërisht,  duke debatuar rreth tyre, nëse do të implementoheshin dhe implementohen ato, atëherë situata do ishte ndryshe. Papunësia do të ishte më e ulët dhe njerëzit nuk do detyroheshin të linin vendin si tani. Por unë s’kam patur mundësi për t’i realizuar ato. Nesër mund të jetë vonë.

    -A nuk mund të kishim krijuar dhe ruajtur me kohë një sistem ligjor dhe institucional që të nxiste investimet e huaja, që të konkuronte vendet fqinjë, jo thjesht nëpërmjet burimeve natyrore që ne kemi, por dhe burimeve njerëzore, politikave të duhura, etj ? Kështu do të kishim më shumë investitorë, më shumë punë, më shumë zhvillim. Do ta sillnim Europën në Kosovë dhe s’do ta kërkonim jashtë saj.  Më duket se nuk e kemi. Ne me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë kemi bërë diçka në përmirësimin e klimës së të bërit biznes siç e tregojnë klasifikimet ndërkombëtare, por ngelet akoma shumë për të bërë.

    -A nuk duhet të kishim krijuar një sistem unik të arsimit profesional që t’i përgjigjej tregut të punës ? Duhet të kishim lejuar vetëm pak universitete, por serioze që të prodhonin kapacitetet që duheshin për zhvillim,  dhe jo mijëra juristë dhe politologë. Si qytetar unë kam mbështetur themelimin e Universitetit amerikan, ndoshta universiteti privat më i mirë në rajon, por s’kam patur mundësi të bëja më shumë. Por një e di, se mungesa e një shkollimi të mirë na frenon në nxitjen e punësimit.

    -A nuk na duhet  një strategji zhvillimore afatgjatë, që të miratohet në mënyrë konsensuale dhe që të jetësohet nga të dijshmit ? Kjo strategji duhet të përcaktojë prioritetet tona, aftësitë konkuruese, dhe mbi të gjitha të jetë komplementare me atë të Shqipërisë. A po shikoni se ç’po ndodh në rajon ? Qeveritë e Maqedonisë me atë të Serbisë dhe Bullgarisë, po takohen dhe po ecin përpara në këtë drejtim. E pse ne mos të bëjmë të njëjtën gjë ? Unë kam bërë shumë aktivitete, kam hartuar shumë projekte, kam lëshuar shumë thirrje shoqërive dhe elitave tona politike, si qytetar, si ndërmarrës, si zëvendëskryeministër, si president, por unë s’mund të bëj më shumë, me këtë përfaqsim politik që kam në qeveri. Më duhet ndihma e qytetarëve, më duhet konsensusi ndërpartiak që të bëj më shumë.

    -Unë kam bërë diçka me ndërmarrjet e mia që punësojnë mijëra njerëz brenda dhe jashtë Kosovës. Akoma më shumë do punësoj në të ardhmen dhe vazhdimisht e kam këtë shqetësim. Unë kam mbështetur brenda Kosovës dhe investitorë të tjerë apo ide biznesi të suksesshme siç kanë qenë ato në Gjakovë, në Kamenicë, etj, etj. Diku na kanë lejuar, diku na kanë sabotuar, por kam shikuar vetëm përpara.

    Unë di të bëj shumëçka në ekonomi dhe kjo është arsyeja pse u ktheva në Kosovë, ndryshe nga bashkëkombasit e mi që sot duan të ikin. Punova për vete, dhe për qindra e mijëra bashkatdhetarë të mi, por dikur thashë se duhet të kthehem që t’i realizoj idetë e mia në vendin tim.

    Sot para pamjeve në televizion, para shkrimeve, atyre pak debateve rreth temës së ikjes së bashkatdhetarëve tanë jashtë vendit për një jetë më të mirë, unë bëj një thirrje. Të mendojmë për sistemin tonë ekonomik që ta zhvillojë Kosovën, të rrisë punësimin, mirëqenien. E kemi fituar luftën, por sot duhet të fitojmë paqen. Duhet t’i tregojmë miqve tanë që na ndihmuan në luftë, se ne e meritojmë ndihmën e tyre. Le t’i lemë për një herë tjetër debatet për do tema që presin, që na ndajnë, dhe që na marrin shumë energji që duhet t’i përdorim diku tjetër.

  • Takova ambasadoren e Kanadasë në Zagreb, jorezidente për Kosovë, Louise Larocqye

    Takova ambasadoren e Kanadasë në Zagreb, jorezidente për Kosovë, Louise Larocqye

    Zv.kryeministëri i parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, z. Behgjet Pacolli, sot priti në një takim ambasadoren e Kanadasë në Zagreb, Jorezidente për Kosovë, znj Louise Larocqye.

    Z. Pacolli, shprehu falënderimet e veçanta për qeverinë Kanadeze, sidomos për rolin që kishte shteti Kanadez në rindërtimin e institucioneve demokratike në Kosovë. z. Pacolli po ashtu e informoi ambasadoren LaRocqye me iniciativat që po ndërmerr Qeveria e Kosovës lidhur me tërheqjen e investimeve të huaja, sidomos në zhvillimin e bujqësisë, energjisë elektrike dhe minierave, duke kërkuar që edhe biznesi kanadez të jetë prezent në vendin tonë.

    Ambasadorja Louise Larocqye, e përgëzoj z. Pacolli për angazhimin e tij të posaçëm në rritjen e numrit të njohjeve për Kosovën. Znj. Larocqye shprehu interesimet konkrete që ka biznesi Kanadez për të investuar në sektor të veçantë. Po ashtu shprehu nevojën që sa me shpejt të nënshkruhet marrëveshja për mbrojtjen e investuesve Kanadez në Kosovë.

  • Në Prishtinë delegacioni nga Tajlanda më premtuan njohjen e Kosovës

    Në Prishtinë delegacioni nga Tajlanda më premtuan njohjen e Kosovës

    Prishtinë, 17 qershor 2013 –

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, z.Behgjet Pacolli ka pritur në një takim një delegacion të shtetit të Tajlandës, të udhëhequr nga i dërguari i kryeministres së këtij vendi, z.Pichate Satirachaval.

    Zëvendëskryeministri Pacolli ka informuar delegacionin nga Tajlanda për gjendjen aktuale politike në vend, duke theksuar nevojën që Kosova të lidhë marrëdhënie diplomatike me shtetin e Tajlandës. Në këtë kontekst, zëvendëskryeministri Pacolli ka informuar delegacionin tajlandez edhe me potencialet ekonomik që Kosova posedon, si vend strategjikisht i përshtatshëm për investitorët.

    “Ne jemi shumë të interesuar që të kemi marrëdhënie diplomatike me Tajlandën. Ne tashmë jemi pjesë e shumë organizatave ndërkombëtare dhe jemi në rrugë e sipër për tu integruar edhe në OKB. Andaj besoj fuqishëm që një vendim i shtetit tuaj për njohjen e Kosovës i kontribuon paqes dhe stabilitetit në rajon”, ka thënë zëvendëskryeministri Pacolli.

    Në anën tjetër, z.Pichate Satirachaval, që njëherësh është edhe këshilltar i kryeministres së Tajlandës, ka thënë se shteti i tij është i interesuar që menjëherë të fillojë raportet ekonomike me Republikën e Kosovës. Ai ka thënë se menjëherë pas kthimit në Tajlandë, kryeministres së këtij vendi do ti raportojë për progresin demokratik që Republika e Kosovës ka shënuar në çdo aspekt, për të pasuar me shqyrtimin e njohjes së pavarësisë së shtetit tonë.

    Delegacioni nga Tajlanda, ka ftuar zëvendëskryeministrin Behgjet Pacolli në një vizitë zyrtare në këtë shtet të Azisë Juglindore. 

  • Ftova qeverinë e Emirateve Arabe të investojnë në Kosovë

    Ftova qeverinë e Emirateve Arabe të investojnë në Kosovë

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, z.Behgjet Pacolli ka pritur sot në një takim ministrin e Ekonomisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, Sulltan Saeed Al Mansoori.

    Gjatë këtij takimi, zëvendëskryeministri Pacolli ka njoftuar z.Al Mansoori gjërësisht për zhvillimet e fundit politike dhe ekonomike në Kosovës, duke nënvizuar në veqanti nevojën e përkushtimit shtetëror për zhvillim ekonomik.

    Në këtë kontekst, zëvendëskryeministri Pacolli ka kërkuar nga ministri Al Mansoori bashkëpunim mes dy vendeve veqanërisht në sferën ekonomike. z. Pacolli ka përmendur faktin se Kosova është një vend mjaft atraktiv dhe me mundësi të mëdha për investime nga Emiratet e Bashkuara Arabe, si vend me potencial shumë të madh ekonomik. Pacolli në veqanti ka ftuar qeverinë e Emirateve, që të investojnë në ngritjen e aeroportit të Gjakovës dhe shkëmbimin e përvojave në lidhje me idenë e krijimit të zonave të lira ekonomike në Mitrovicë dhe Gjakovë.

    Në anën tjetër, ministry Al Mansoori ka falenderuar zëvendëskryeministrin për pritjen e ngrohtë dhe shumë miqësore që i është bërë atij dhe delegacionit nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Ministri, Al Mansoori ka premtuar gjithashtu konkretizim të bashkëpunimit ekonomik me Kosovën, në të ardhmen e afërt si në fushën e investimeve direkte, po ashtu edhe në dhënien e ndihmave në fusha të ndryshme.

     

    Ministri i Ekonomisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, Sulltan Saeed Al Mansoori me delegacion para takimit me zv.kryeministrin e parë z.Behgjet Pacolli.

     

    Takimi i dy delegacioneve në objektin e qeverisë së Republikës së Kosovës.

     

    Shkëmbimi i dhuratave me ministrin e Ekonomisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, Sulltan Saeed Al Mansoori.

     

    Kosova është një vend mjaft atraktiv dhe me mundësi të mëdha për investime nga Emiratet e Bashkuara Arabe, thuhet edhe në këtë katalog që i dhurova ministrit Mansoori.

     

    Konferenca për media pas takimit me delagacionin nga Emirateve të Bashkuara Arabe.

     

    Pritja e veçant për ministrin Mansouri dhe delegacionin e tij në hotelin Swiss Diamond në Prishtinë.

     

    Me delegacionin e Emirateve të Bashkuara Arabe vizituam edhe njërën nga xhamiat në Vushtrri.

     

    Vizitë Spitalit Sheikh Zayed në Vushtrri.

    Prezantimi i projekteve ku u tregua se Kosova është një vend mjaft atraktiv dhe ka mundësi të mëdha për investime. 
     

  • Arrin nota verbale e njohjes nga Republika e Tanzanisë

    Arrin nota verbale e njohjes nga Republika e Tanzanisë

    Lajmi për njohjen nga Tanzani, ky shtet me ndikim në kontinentin afrikan është komunikuar nga zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli nëpërmjet një konference për medie, të enjten me 30 maj 2013.

    Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli gjatë ditës së sotme gjithashtu ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin e punëve të jashtme të Tanzanisë, z.Bernard Membe, me të cilin ka diskutuar për hapat e mëtutjeshëm që duhet të ndiqen, në funksion të lidhjes së marëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve.

    Nota Verbale nga shteti i Tanzanisë që konfirmon njohjen e pavarsisë së Kosovës.
  • Tanzania njeh pavarësinë e Kosovës

    Tanzania njeh pavarësinë e Kosovës

    Zëvendëskryeministri i parë, z. Behgjet Pacolli, ka njoftuar se Tanzania e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Ai ka treguar se njohja nga Tanzania vjen si rezultat i punës së tij dhe lobimit në Afrikë.

    “Kjo është njohja më e rëndësishme për Kosovën. Pas kësaj njohje, do të ketë edhe shumë shtete tjera që do ta pranojnë pavarësinë e Kosovës”, ka deklaruar Pacolli.

    Aktualisht Kosova është njohur nga rreth 100 shtete të botës.

    Zëvendëskryeministri i Parë, Behgjet Pacolli me Presidentin e Tanzanise, Jakaya Kikwete dhe me Ministrin e punëve të jashtme dhe bashkëpunimit ndërkombëtar të Tanzanisë, Bernard Membe.